Flamurtari dhe Tirana, skuadrat për t’u ndjekur në gjysmën e dytë të kampionatit

557
Sigal

Me skuadrat aktuale, formën e tyre dhe pikët e grumbulluara, është bërë e qartë çdo gjë mbi ekipet që kanë zgjatur më shumë “duart” drejt titullit kampion. Është thëne dhe është rithënë se katër vendet e para aktualisht në renditje, do të ndajnë mes tyre titullin kampion. Fillimi i fazës së dytë të Superligës do të sjellë as më pak e as më shumë sesa një kampionat prej katër skuadrash, ku pengesa kryesore do të kenë 6 ekipet e tjera, nga të cilat tre janë në “luftë” të vazhdueshme njëra me tjetrën që të vazhdojnë të qëndrojnë në ligën e parë, ndërsa tre skuadrat e tjera (Laçi, Vllaznia dhe Flamurtari) kanë synimet kryesore në fillimin e ndërtimit të skuadrës për sezonin e ardhshëm, duke qenë se për këtë sezon i mbyllen dyert e fitimit të titullit pa i hapur mirë akoma. Faza përgatitore, në vetvete mund të sjellë ndryshime të ndjeshme tek skuadrat, ku secila do të jetë në gatishmëri që të përfitojë nga gabimet në pikë. Edhe pse është akoma shumë herët që të flitet për javën e parë të kampionatit në 2015-ën, deri më tani disa skuadra kanë bërë “lajm” me ndeshjet miqësore që kanë zhvilluar, e ajo skuadër që më shumë është përfshirë ka qenë dhe vazhdon të jetë padyshim ekipi i Skënderbeut, që në tre takime miqësore të luajtura, ka pësuar më shumë gola se ç’do të kishte dashur, duke mos arritur nga ana tjetër që të shënojnë asnjë deri më tani. Por faza përgatitore sigurisht që nuk është kampionati dhe përfshirja e futbollistëve nuk ka të njëjtin seriozitet, e në këtë rast duhet pritur fillimi i fazës së tretë për të parë me të vërtetë ndryshimet e skuadrave, nëse janë për mirë apo për keq, sa vlerë dhe sa ndikim do të kenë futbollistët e blerë dhe a do të kenë ndikim ata që janë larguar. Një sy më shumë do të ruhet tek Flamurtari që ka qenë furnizuesja kryesore për skuadrat e tjera, ku ka parë t’i largohen shumë nga futbollistët, ose më saktë të largojë futbollistët, ndërsa ka blerë futbollistë të tjerë që mund edhe të gjejnë vështirësi në përshtatje në takimet e para. Në fakt, lëvizjet që janë bërë tek kjo skuadër pritet që të sjellin rezultate më pozitive se sa rezultatet e gjysmës së parë të kampionatit. Duke u nisur nga rezultatet përmbyllëse të fazës së dytë të gjysmës së parë, çdo gjë do të fillojë aty ku u la, por me ndryshime të vogla në përbërjen e futbollistëve pas zhvillimeve të merkatos. Nisur nga kjo, të fituarit e mëdhenj janë padyshim bardheblutë e Tiranës që mbi të gjitha morën në skuadrën e tyre Gjergji Muzakën, që pritet të sjellë ndryshim për mirë tek ish-skuadra e tij. Në total, pritet që Superliga ta ruajë atë bukurinë e gjysmës së parë të sezonit, e ku rivaliteti këtë radhë të jetë vetëm në kontekstin sportiv.

 Lushnja-Partizani dhe Tirana-Besëlidhja luajnë së bashku, paraprijnë kampionatet

 Ndërthurja e ligave më të mira të futbollit në Shqipëri ka një zgjerim të dukshëm kur kampionatet janë në faza përgatitore dhe skuadrat përkatëse mundësojnë me njëra-tjetrën miqësore të shumta. Sot është radha e Partizanit dhe Tiranës që përkatësisht zhvillojnë miqësore me Lushnjën dhe Besëlidhjen, dy skuadrat që në grupet A dhe B janë ndër pretendentet kryesore për të qenë kampione. Takimi mes Lushnjës dhe Partizanit do të luhet në Lushnje ndërsa Tirana-Besëlidhja do të luhet në Kavajë. Sigurisht që ky është një test i mirë për të katërta këto skuadra, ku secila do e testojë veten me ekipe të nivelit të mirë në futbollin shqiptar. Skuadrat e Superligës, duke qenë se fillojnë më shpejt kampionatin nga Kategoria e Parë, e kanë më të ngjeshur pjesën përgatitore dhe sigurisht që ndeshjet të këtij niveli janë detyrimisht të nevojshme. Ndeshjet që do të zhvillohen sot, do sjellin një pamje edhe më të qartë se deri në çfarë niveli kanë arritur përgatitjet para fillimit të pjesës tjetër të sezonit.

  Skënderbeu dhe Kukësi, miqësoret për t’u harruar, korçarët sot ndeshen me Freiburgun

Nëse zhvillimi i fazës përgatitore jashtë Shqipërisë do të sjellë vetëm përgatitje më të lartë për Kukësin dhe Skënderbeun që përkatësisht ndodhen në Turqi dhe Spanjë, atëherë humbjet nuk do të përmenden më, pasi deri më tani, asnjëra prej të dyjave nuk ia ka dalë që të fitojë asnjë ndeshje, e për më tepër as nuk kanë shënuar gol ndaj kundërshtarëve. E si të mos mjaftonte kjo, situata bëhet nga keq në shumë keq, sidomos për Skënderbeun që dyshohet se ka trukuar ndeshjen me holandezët e ADO Den Haag, që përfundoi 2-0 në favor të tulipanëve, duke bërë që të lindin pikëpyetje mbi këtë takim në të cilin federata holandeze mendon të nisë edhe hetimet. Këto informacione erdhën nga mediat holandeze, por që sigurisht që nuk u pranuan nga drejtuesit e Skënderbeut. Aktualisht, Skënderbeu po zhvillon fazën përgatitore në Spanjë dhe deri më tani ka zhvilluar tre ndeshje miqësore duke treguar një nivel të dobët loje pasi nuk ka arritur që të shënojë asnjë gol ndaj tre kundërshtarëve, vetëm ka pësuar 11 të tillë, që janë shumë për një skuadër që pretendon të jetë për të pestën herë rresht kampione e Shqipërisë, ndërkohë po sot do të ndeshet me skuadrën e Bundesligës gjermane, Freiburg, për të zhvilluar edhe të katërtin takim miqësor në këtë fazë përgatitore. Ndërkohë që Kukësi ka zhvilluar dy ndeshje, të dyja të humbura me rezultatin 1-0, e në ndeshjen e fundit ndikim të madh në humbje patën edhe kushtet e vështira atmosferike që nuk lejonin zhvillim normal të ndeshjes.

 Godelli testohet edhe tek “B-ja”, Pulaku e ndjek të premten

Ashtu siç ishte parashikuar, Daniel Godelli kreu dje testin B që ishte parashikuar herët më parë, kur edhe doli pozitiv në përdorimin e substancës së ndaluar stanozolol, gjatë aktivitetit për trofeun botëror që u zhvillua në Kazakistan, nga ku u shpall edhe kampion bote. Në fakt, pavarësisht dëshirës së mirë, nuk pritet që të ketë ndonjë ndryshim nga testi A në testin B, pasi në 99% të rasteve janë teste që japin të njëjtin përfundim, por Godelli, i bindur në pafajësinë e tij, ashtu si edhe Romela Begaj, ka deklaruar se nëse del pozitiv edhe në testin B do të ndjekë edhe të fundit rrugë ligjore sportive, ku do të paraqitet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv për të vërtetuar edhe nëpërmjet ADN-së pafajësinë e tij dhe se prania e asaj substance në trupin e tij nuk është në mënyrë të vullnetshme, por në mënyrë rastësore dhe padijeninë e tij. Godellin, sa i përket testeve, do ta ndjekë edhe Pulaku, të cilit, pas testeve antidoping, i gjetën praninë e po të njëjtës substancë në trupin e tij. Në rast se këta sportistë shpallen përfundimisht fajtor, me shumë mundësi do të ndëshkohen nga Federata Botërore e Peshëngritjes, ku pezullimi mund të jetë për një periudhë deri në 4 vjet, por deri atëherë mbetet që të vërtetohet çdo gjë.

Marin Çiliç tërhiqet nga Australian Open 2015

Fituesi i US Open 2014, kroati Marin Çiliç nuk do të marrë pjesë në turneun e parë të madh për vitin 2015, Australian Open. Shkak për tërheqjen e tij që para se të fillonte turneu është bërë një dëmtim në shpatull, diçka jo edhe aq problematike por që sipas këshillës së mjekëve përfshirja në lojë do ta dëmtonte edhe më shumë tenistin, kështu që kroati ka vendosur të mos rrezikojë duke u tërhequr nga “grand slami” i parë i 2015-ës. Ky turne do të fillojë me datë 19 janar, ndërkohë që finalet do të zhvillohen me 31 janar për femra dhe me 1 shkurt për meshkuj.

 Vllaznia fiton nga talentet, shet Krujën tek skuadra arabe

 Skuadra e Vllaznisë, e cila njihet për “fidanishten” e talenteve që nxjerr, falë punës shumë të mirë që bëhet në akademinë e të rinjve, ia ka dalë më së miri që të përfitojë përsëri në shitjen e futbollistëve të talentuar tek skuadra që sigurojnë të ardhura. Është Arsid Kruja futbollisti i radhës që kalon kufijtë e Shqipërisë për tu bashkuar me skuadrën arabe Hajer Klub, në një marrëveshje që përfshin dy vite kontratë. Shitja flitet që të jetë bërë për rreth 100 mijë dollarë, ku sigurisht është në ndihmesë e madhe për skuadrën që ka provuar probleme të shumta sa i përket anës financiare këtë sezon. Politika që ka zgjedhur Vllaznia është shumë fitimprurëse, pasi i rrit futbollistët por kohët e fundit vetëm për t’i shitur jashtë Shqipërisë, pasi në këtë mënyrë përfitojnë më shumë, ashtu siç ishte rasti i Vajushit që u ble nga Liteksi. Kruja, në deklaratën e disa ditëve më përpara, tha se nuk do të lëvizte nga Vllaznia, por siç duket situata ka ndryshuar pasi 21 vjeçari tani e tutje do të jetë pjesë e skuadrës që militon në Arabinë Saudite.

Xherdan Shaqiri prezantohet sot zyrtarisht tek Interi

Edhe pse prania e Shaqirit dhe blerja e tij nga Bajerni tek Interi është diçka zyrtare, prezantimi i tij formal para mediave dhe para tifozëve akoma nuk është bërë, ndërkohë që dje pasdite, skuadra e Interit ka deklaruar se në orën 13:30 do të bëjë edhe prezantimin zyrtar të futbollistit. Në këtë prezantim, gazetarët do të kenë mundësi që t’i drejtojnë pyetje Shaqirit që po ashtu, zyrtarisht, do të japë deklaratën e parë si “zikaltër”. Duke qenë se Shaqiri nuk arriti dot që të luante në ndeshjen ndaj Xhenovas, takim që u fitua 3-1 nga Inter, pritet që të luajë në ndeshjen ndaj Empolit, ku aktivizohet edhe futbollisti shqiptar Elseid Hysaj.