Ernest Gjoka: “Kemi dhe pesë finale!”

515
Sigal

Flamurtari ndodhet në vendin e dytë në kampionat, kur duhen edhe pesë javë nga përfundimi i sezonit

Flamurtari më në fund pozicionohet në vendin e dytë të renditjes, por me pikë të barabarta me Teutën, secili nga 39. Nëse të dyja skuadrat do ta mbyllnin kampionatin në këto pozicione, atëherë do të shkonin automatikisht në Ligën e Europës. Por, vlonjatët dhe durrsakët “kërcënohen” nga Kukësi i vendit të katërt, që ka dy pikë më pak kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje.

 PESË FINALE – Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, i cili pasoi në bankinë Shkëlqim Muçën dhe spanjollin Hulian Rubio, ndihet i lumtur, por sërish e vë theksin te “pesë finalet” e fundit të kampionatit. “Është një kënaqësi që, për momentin ndodhemi në vendin e dytë, por s’mund t’ia lejojmë vetes të gëzohemi më shumë sesa duhet. Kemi dhe pesë ndeshje përpara, të cilat i konsideroj si ‘pesë finale’. Janë takime shumë të rëndësishme”, – tha Gjoka për gazetën “Telegraf”.

 ASNJË GABIM – Në pesë javët e fundit të Kampionatit të 74-t Kombëtar të Futbollit, Flamurtari do të luajë me Kastriotin në Krujë (në fazën e parë fitoi 3-0); më pas në javën e 23-të do të luajë në Vlorë me Skënderbeun (në fazën e parë humbi 3-1); pas kësaj do të udhëtojë në Kukës (në fazën e parë fitoi 2-0), për të pritur në Vlorë, Vllazninë (në fazën e parë barazoi 3-3). Takimi i javës së 26-të dhe i fundit i këtij sezoni është ai kundër Apolonisë, një formalitet, pasi fierakët i kanë thënë tashmë lamtumirë Superligës. Por, kë veçon trajneri Gjoka nga të pesë ndeshjet? “Të gjitha, duke filluar nga ndeshja me Kastriotin dhe deri në fund janë të gjitha pasi, neve nuk na lejohen gabime”.

 MË SHUMË PIKË – Flamurtari është ekipi që ka grumbulluar më shumë pikë në fazën e dytë, qysh kur Gjoka mori drejtimin e klubit vlonjat, me synimin për të kapur një vend në Ligën e Europës. “Këto pikë, – tha Gjoka, – nuk kanë ardhur nga rastësia apo faktin se, ky ekip ka kualitete. Kemi punuar fort dhe kemi sakrifikuar shumë të gjithë këtë kohë dhe kemi ndryshuar jo pak edhe në filozofinë e lojës, duke bërë atë që kemi kërkuar. Gjithsesi, më e rëndësishmja është që duhet ta mbyllim këtë fazë dhe kampionati me sukses”.

 SULMI MË I MIRË – Vlonjatët kanë sulmin më të mirë në kampionat, me 44 gola, në raport me 35 që ka realizuar Skënderbeu, që e kryeson kampionatin me 10 pikë më shumë se Flamurtari. “Pa diskutim që, kemi deri tani dy golashënuesit më të mirë të kampionatit: Memellin dhe Muzakën dhe, kjo na jep shumë kënaqësi”, – tha trajneri Gjoka. Memelli ka shënuar deri tani 18 gola (dy të fundit në fitoren 3-0 ndaj Apolonisë), ndërsa Muzaka është në kuotën e 11 golave, po aq sa kroati Pero Pejiç i Skënderbeut dhe serbi Lazar Popoviç i Kukësit. Sa për statistikë, Migen Memelli e ka fituar “Këpucën e Artë” në sezonin 2008-2009, kur ai luante për Tiranën, ndërkohë që fituesi i fundit i dalë nga skuadra e Flamurtarit është Daniel Xhafaj, në sezonin 2010-2011.

19 pikë

grumbulloi Flamurtari në përfundim të fazës së parë, gjatë drejtimit të Muçës (1 ndeshje) dhe spanjollit Rubio (12 ndeshje). Vlonjatët e mbyllën fazën në vendin e 8-të.

39 pikë

ka aktualisht skuadra vlonjate, pas 21 javëve të luajtura, duke u pozicionuar në vendin e dytë, me pikë të barabarta me Teutën. Flamurtari ka 10 pikë më pak se Skënderbeu.

20 pikë

ka grumbulluar trajneri Ernest Gjoka në tetë javë, që drejton skuadrën. Për këtë periudhë, Skënderbeu ka grumbulluar vetëm 16 pikë, Teuta 16 dhe Kukësi, po 16 pikë.

PESË JAVËT E FUNDIT

JAVA 22/ 13.04.2013

Luftëtari-Laçi

Bylis-Tomori

Apolonia-Shkumbini

Vllaznia-Teuta

Kukësi-Tirana

Skënderbeu-Besa

Kastrioti-Flamurtari

JAVA 23/ 20.04.2013

Kastrioti-Luftëtari

Flamurtari-Skënderbeu

Besa-Kukësi

Tirana-Vllaznia

Teuta-Apolonia

Shkumbini-Bylis

Tomori-Laçi

JAVA 24/ 27.04.2013

Luftëtari-Tomori

Laçi-Shkumbini

Bylis-Teuta

Apolonia-Tirana

Vllaznia-Besa

Kukësi-Flamurtari

Skënderbeu-Kastrioti

JAVA 25/ 04.05.2013

Skënderbeu-Luftëtari

Kastrioti-Kukësi

Flamurtari-Vllaznia

Besa-Apolonia

Tirana-Bylis

Teuta-Laçi

Shkumbini-Tomori

JAVA 26/ 11.05.2013

Luftëtari-Shkumbini

Tomori-Teuta

Laçi-Tirana

Bylis-Besa

Apolonia-Flamurtari

Vllaznia-Kastrioti

Kukësi-Skënderbeu

Liga e Kampioneve/

Sot, në Stamboll dhe Dortmund, zbardhen dy skuadrat e para gjysmëfinale

  Gallatasaray-Real Madrid, turqit nuk janë dorëzuar ende

 Reali fitoi 3-0 në ndeshjen e parë çerekfinale të zhvilluar në “Santiago Bernabeu”, por skuadra e Gallatasarajit nuk është dorëzuar dhe sot shpreson që të bëjë mrekullinë. Trajneri Fatih Terim beson se skuadra e tij mund të arrijë të fitojë këtë takim. Një mungesë e rëndësishme për Gallatasarajit është ajo e sulmuesit Burak Yilmaz i cili është i skualifikuar. Në vend të tij Terim do të aktivizojë Bulut. Didier Drogba dhe Uesli Shnajjder do të jenë titullarë. Skuadra e Gallatasarajit vjen në këtë takim pas fitores së arritur në kampionat kundër Mersin me rezultatin 3-1 ku Drogba shënoi 2 gola. Real vjen në këtë përballje pas fitores së arritur kundër Levante me rezultatin e thellë 5-1. Në takimin e sotëm do të mungojnë Ksabi Alonso dhe Sergxho Ramos të cilët janë të skualifikuar. Trajneri Murinjo kërkon fitore sot kundër Gallatasaray dhe do të hedhë në fushë të gjithë yjet e skuadrës. Në vend të Ramos do të luajë Arbeloa ndërsa vendin e Xabi Alonso do ta zërë Luka Modric. Skuadra turke në fushën e saj ka arritur të fitojë vetëm 1 ndeshje në Champions League. Në 13 ndeshjet e fundit në kompeticionet europiane skuadra e Gallatasaray ka pësuar vetëm 2 humbje në fushën e saj. Bilanci i ndeshjeve kundër skuadrave spanjolle në ndeshjet e zhvilluara në Turqi është në barazi të plotë. 5 fitore, 5 humbje dhe 2 barazime. Skuadra turke është skuadra që ka pësuar më shumë gola nga të teta skuadrat çerekfinaliste. Real Madrid nuk njeh humbje që prej 12 ndeshjesh radhazi në të gjitha kompeticionet. 10 fitore dhe 2 barazime ka arritur skuadra e Jose Mourinho. Real ka arritur të kualifikohet 41 herë në 54 raste kur ka fituar ndeshjen e parë. Golashënuesi më i mirë i Champions League për këtë sezon është sulmuesi i Real, Cristiano Ronaldo me 9 gola.

Obsesioni i Realit të Madridit, për të fituar trofeun e 10-të të Ligës së Kampioneve është shndërruar në një makth, pasi shumë herë kanë dështuar për t’iu afruar finales. “Decima” (pra numri 10) është shndërruar në një objektiv të madh dhe aq të rëndësishëm sa, Reali e ka harruar të qenit në finalen e Kupës së Mbretit, me rivalët e tyre të qytetit, Atletikon e Madridit, si dhe garën e përjetshem me Barcelonë, me këtë të fundit që është 13 pikë para në Primera Divizion. Çdo lojtar që, del në konfernca shtypi apo çdokush që jep intervistë në qendrën stërvitore të Realit të Madridit, e di se do të pyetet rreth dëshirës së tyre për të fituar “Decima”-n (Të dhjetën) dhe ata janë lejuar nga trajneri Hoze Murinjo të flasin si të duan për këtë temë. Murinjo dëshiron të hyjë në histori si trajneri i parë që fiton tri Liga të Kampioneve me tre klube të ndryshme, pas atyre me Porton dhe Interin. Të fituarit e Ligës së Kampioneve mund të justifikojë shpenzimet astronomike të Realit të Madridit, duke pasur parasysh se në grupin e lojtarëve janë Kristiano Ronaldo dhe Kaka, dy nga lojtarët më të shtrenjtë në botë.

 DORTMUND-MALAGA

Ndeshja e parë ka përfunduar në barazim 0-0, një rezultat që në letër favorizon skuadrën gjermane por nëse Malaga shënon 1 gol atëherë gjithçka mund të komplikohet për skuadrën e Jurgen Klopp. Borussia Dortmund vjen në këtë përballje pas fitores së arritur kundër Augsburg me rezultatin 4-2. Lajmi i mirë për trajnerin Klopp është rikthimi i Mats Hummels që sot do të jetë titullar. Në mesfushë do të jenë Gundogan dhe Bender ndërsa kapiteni Kehl do të jetë në stol. Skuadra gjermane është skuadra e vetme që ende nuk ka pësuar humbje në Champions League këtë sezon. Kevin Grosskreutz mund të jetë titullar pasi Blaszczykoëski nuk është rikuperuar plotësisht. Mesfushori i Dortmund ka deklaruar se skuadra e tij nuk duhet ta diskutojë fitoren kundër Malaga. “Sot nuk duhet ta diskutojmë fitoren. Dëshirojmë të kualifikohemi për në gjysmëfinale dhe jam i bindur se do ta arrijmë një gjë të tillë”. Skuadra spanjolle e Malaga vjen me shumë probleme në këtë takim. Në fundjavë Malaga u mund me rezultatin 4-2 nga skuadra e Real Sociedad. Trajneri Manuel Pellegrini nuk ka udhëtuar me skuadrën drejt Gjermanisë pasi ka udhëtuar për në Kili pasi i jati i tij ka vdekur. Trajneri ka deklaruar se sot do të jetë në drejtimin e skuadrës. Duket se fati i keq vazhdon ta përndjekë skuadrën e Malaga. Gjatë udhëtimit për në Dortmund avioni është goditur nga rrufeja dhe futbollistët kanë qenë të tronditur kur kanë zbritur në aeroport. Për takimin e sotëm do të mungojnë Ëelington dhe Iturra të cilët janë të skualifikuar pasi në ndeshjen e parë kundër Dortmund kanë marrë kartonin e tretë të verdhë gjatë këtij sezoni në Champions. Në sulm do të jetë sërish argjentinasi Saviola ndërsa Roque Santa Cruz do të jetë në stol.

Në 8 raste që skuadra e Dortmund ka barazuar në ndeshjen e parë me eliminim direkt, ka arritur të kualifikohet 6 herë. Dortmund i ka fituar të katër takimet e Champions të zhvilluara në fushën e saj. Për Dortmund kualifikimi në gjysmëfinale do të ishte i pari pas 16 vitesh. Nëse arrin të kualifikohet për në gjysmëfinale kjo do të jetë hera e parë në historinë e klubit spanjoll. Jashtë fushës së tyre skuadra e Malaga ka arritur të fitojë vetëm një takim këtë sezon në Champions League.

LIGA E KAMPIONEVE

ÇEREKFINALET

NDESHJET E KTHIMIT

Sot, 9 prill 2013

Dortmund-Malaga                 (0-0)

Gallatasaraj-Real Madrid   (0-3)

Nesër, 10 prill 2013

Barcelona-PSG              (2-2)

Juventus-Bajern                 (0-2)

 Dy shkodranët tani do të kenë më shumë minuta te Liteksi i Loveçit

 Armando Vajushi i jep “asist” Edon Hasanit

  Marrja e nënshtetësisë bullgare nga ana e Armando Vajushit do t’i sjellë përfitime edhe talentit tjetër shkodran të Liteksit, Edon Hasani. Ish-lojtari i Vllaznisë, i transferuar në skuadrën bullgare së bashku me futbollistin e kombëtares, nuk ka pasur të njëjtin sukses atje. Hasanit i është dhënë më pak shansi për të luajtur dhe jo për shkak të meritave të pakta sportive, por për shkak të shtetësisë dhe numrit të të huajve që lejohen në skuadër, vetëm tre. Në janar, në skuadrën e Hristo Stoiçkovit u afruan brazilianët  Zhunior e Vanzher, të cilët ia ngushtuan mjaft hapësirat Hasanit, ndërkohë që aty ka edhe të huaj të tjerë veç dy shqiptarëve. Megjithëse ai ka luajtur vetëm në tri ndeshje, duke startuar nga stoli, klubi bullgar ka vendosur të rinovojë me të, me shpresën se do të ecë në gjurmët e bashkëqytetarit më të famshëm. Sipas gazetës bullgare “Sport Tema”, Vajushi është pajisur me pasaportën bullgare më 1 prill, çka i jep shanse më të mira për të luajtur në një vend të Evropës Perëndimore, duke i lehtësuar transferimin, por edhe klubit i volitet, pasi tani mund ta aktivizojë si vendas dhe krijohet hapësira për një tjetër lojtar nga jashtë Bashkimit Evropian. “Sport Tema” vazhdon se do të jetë pikërisht Hasani ai që pritet të mbushë hapësirën e lënë bosh nga Vajushi si lojtar i huaj.

Kur Liteks Loveç këmbënguli të paguante 100 mijë euro për të blerë nga Vllaznia, Armando Vajushin, në janar të vitit 2012,  drejtuesit e klubit bullgar nuk besonin se ai do të konsiderohej një “Hristo Stojçkov i ri”. Në fakt, fati e deshi që, legjenda bullgare, ish-fitues i “Topit të Artë 1989” dhe “Lojtari më i mirë shqiptar i vitit 2011” të prezantoheshin në një ditë. Në gjysmësezonin e tij të parë, Vajushi mësoi të fshehtat e futbollit nga ish-lojtari i Barcelonës, ndërkohë që në edicionin aktual 21-vjeçari ka shënuar 9 gola në kampionat dhe dy në Kupën e Bullgarisë, duke u shpallur dy herë lojtari më i mirë i javës në Bullgari. Forma e tij shkëlqyer, jo vetëm që i ka siguruar një vend në Kombëtaren kuqezi, por i ka dhënë mundësinë që ketë dy nënshtetësi: shqiptare dhe bullgare, ndërsa vlera e kartonit i është rritur dhjetëfish, nga 100 mijë euro në 1 milion euro. Liteksi është mësuar me lojtarë shqiptare, madje nga të klasit të parë, pasi më parë kanë luajtur dhe kanë fituar titullin kampion: Altin Haxhi dhe Alban Bushi. Mediat sportive bullgare e kanë konsideruar si një zbulim Armando Vajushin, për teknikën e lartë, horizontin e lojës, por dhe vendosjen e natyrshme taktike në zona të zbuluara, çka e bën atë një rrezik konstant për kundërshtarët dhe një asistdhënës për shokët e ekipit. Oferta për Armando Vajushin kanë nisur të trokasin në dyert e Liteksit, përfshirë ekipe nga Italia, Polonia, Gjermania, Rusia, Zvicra, Kroacia, dhe mësa duket destinacioni i radhës i mesfushorit të avancuar shkodran do të jetë larg Bullgarisë.