Erjon Bogdani: “Është ende herët për të varur këpucët në gozhdë”

51

Sulmuesi i Kombëtares kërkohet nga Avelino. 36-vjeçari: “Siena dhe Italia janë prioriteti im”

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani ka rrëfyer për faqen e specializuar italiane të merkatos “Tuttomercatoëeb”, në lidhje me paraqitjet e tij me Sienën gjatë sezonit të kaluar (skuadra ra në Serinë B), perspektivat për të ardhmen, por dhe ëndrrën e tij për të shkuar me Shqipërinë në finalet e Kampionatit Botëror 2014, ku sipas golashënuesit më të mirë të Shqipërisë, në rast se do të fitojmë në Slloveni, atëherë gjithçka do të jetë gjithmonë e më afër. Edhe pse është 36 vjeç,  “bomberi kuqezi” nuk ka aspak ndërmend të varë këpucët në gozhdë” “Fizikisht ndihem shumë mirë dhe mund t’i jap ende shumë futbollit. Ndihem mirë dhe kam dëshirë të madhe për të luajtur.

 – Erjon Bogdani, si do ta gjykonit sezonin që është mbyllur prej pak kohësh?

– Nuk shkoi mirë, por këtë e them në përgjithësi. Në disa momente na u duk se mund t’i shpëtonim rënies nga Serie A, por në fund paguam dënimin prej -6 pikësh që morëm fillim të sezonit, gjë që na i preu krahët dhe na bëri të ndihemi të lodhur. Bëmë çfarë ishte e mundur, por me një penalizim të tillë ishte vërtetë e vështirë t’ia dilnim mbanë.

– Dhe për ju u mbyll kapitulli i dytë me Sienën, pas atij të parit nga 2005 deri në 2007-n…

– Isha kthyer më shumë dëshirë te Siena. Pas një viti te Çezena, ku arritëm të siguronim mbijetesën fund të sezonit, projektet ndryshuan dhe klubi vendosi të synonte te lojtarë të tjerë. Kështu që u ktheva pas pesë vitesh te Siena, duke shënuar katër gola dhe arritëm të siguronim qëndrimin në Serie A në vitin e parë. Sezoni i fundit ka qenë shumë i vështirë, sepse shkoja dot mirë me trajnerin Kozmi dhe nuk kam luajtur pothuajse fare. Me ardhjen e Iakinit në stol gjërat ndryshuan, jam treguar gjithnjë e i gatshëm dhe bëra ndeshjet e mia. Më vjen keq që kjo nuk mjaftoi për t’i shpëtuar rënies.

– Ku do t’iu shohim në sezonin e ardhshëm? Cilën fanellën do të vishni?

– Sinqerisht nuk e di të them, është menaxheri im që po merret e këtë çështje. Ka pasur shumë oferta nga skuadra të Serie B dhe për momentin kam vendosur të pres pak. Mbi të gjitha pres Sienën, përpiqem të kuptoj se çfarë do të bëjë, nëse do të regjistrohet në kampionat dhe shpresoj të më thërrasin, sepse jam ndjerë shumë mirë aty dhe do të doja të qëndroja. – Gjithsesi, brenda 8-9 ditëve do të marr një vendim.

– Ju tashmë jeni 36 vjeç, a nuk keni menduar në ndonjë moment të varni këpucët në gozhdë?

– Fizikisht ndihem shumë mirë dhe mund t’i jap ende shumë futbollit. Ndihem mirë dhe kam dëshirë të madhe për të luajtur.

– Prioriteti juaj mbetet akoma Italia?

– Mendoj se po. E njoh shumë mirë Italinë dhe kam 12-13 që luaj në futbollin italian dhe jam përshtatur mirë këtu.

– Na thoni diçka për kombëtaren shqiptare, që është cilësuar si surpriza e eliminatoreve të Botërorit “Brazil 2014”

– Në fillim nuk kisha besim, sepse ka pasur edhe ndryshime brezash në skuadër, me lojtarë të njohur si Skela e Lala që e mbyllën karrierën futbollistike. Mendoja se do të bëhej edhe më e vështirë, por në fakt me kalimin e ndeshjeve nisëm të merrnim rezultate të mira dhe tani normalisht besojmë, është e kotë ta fshehim. Sigurisht, jam befasuar nga ajo që po japim në fushën e lojës, ashtu siç jam befasuar edhe nga rendimenti i Norvegjisë dhe Sllovenisë, sepse prisja të ishin rivale më të forta. Pikërisht ndaj Sllovenisë do të luajmë në muajin shtator një ndeshje ku do të vendoset gjithçka: nëse marrim një rezultat pozitiv mund të besojmë seriozisht, përndryshe Sllovenia futet në lojë për kualifikimin.

 Avelino: “Eja tek ne Bogdani!”

 Avelino është duke bërë plane, për të rekrutuar sulmuesin shqiptar Erjon Bogdani, pavarësisht moshës së tij. “Erjon Bogdani është në skadence kontrate me Sienën dhe ka shumë vlerësues në Serinë B. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, edhe nuk është më një djalosh me 36 vitet e tij, mund të jetë një qendërsulmues klasik, i cili mungon në skakierën e Rasrelit”, – shkruanin mediat italiane.

  Udineze kërkon Samir Ujkanin

 Samir Ujkani mund të rikthehet sërish titullar në Serinë A, këtë radhë jo me Kievon, por me Udinezen. Klubi nga Friuli ka hedhur sytë nga portieri i Kombëtares shqiptare, pasi Zheljko Bërkic, nuk do të mund të japë kontributin e tij të paktën deri në janar për shkak të një dëmtimi të rëndë. Gjatë një seancë stërvitore në palestër, 26-vjeçari nga Novisadi ka pësuar një dëmtim aksidental në shpatull, por që rezultoi më  rëndë nga sa mendohej. Portieri serb iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe do t’i duhen të paktën katër muaj derisa të nisë stërvitjen me topin. Në këto kushte drejtuesit e Udinezes janë të detyruar të kërkojnë një portier tjetër me eksperiencë në Serinë A. Sipas mediave italiane, drejtori sportiv i friulanëve, Kristiano Xhareto, e pranoi se Ujkani mbetet alternative kryesore për të plotësuar organiken me një tjetër portier, po shtoi gjithashtu se Ivan Kaleva i blerë nga Dinamo e Zagrebit nuk do të jepet në formën e huazimit, sikurse ishte parashikuar, por do të luftojë për një fanellë titullari, me shumë mundësi me Ujkanin. 25-vjeçari shqiptar është në pronësi të Palermos, ku u aktivizua gjatë fazës së parë të sezonit që lamë pas, ndërsa në merkaton e dimrit u transferua te Kievo në formën e huazimit. Qëndrimi në stol te Kievo e shtyn Ujkanin të kërkojë një tjetër destinacion për sezonin e ri, ku sigurisht Udineze do të ishte më I preferuari

Tjetër rekord i Kombëtares në klasifikimin botëror. Tani ndodhemi në vendin e 37-të

 Shqipëria mund Serbinë në renditjen e FIFA-s

  Një tjetër rekord i Shqipërisë në renditjen e Botërore të FIFA-s  vendi i 37-të! Si kurrë më parë! Ngjitja e Kombëtares sonë është e pandalshme, teksa në gjashtë muajt e fundit kemi fituar jo pak, por 27 vende, pasi në janar të këtij viti pozicionoheshim në vendin e 63-të. Pas barazimit 1-1 me Norvegjinë, në ndeshjen e 7 qershorit, Shqipëria e De Biazit nuk e ndal ngjitjen në renditjen mujore të FIFA-s: vendi i 37-të me 689 pikë. Nëse i referohemi kësaj renditjeje në gjashtë muajt e fundit, vërejmë ngjitjen si me “ashensor” të kombëtares shqiptare të futbollit, dhe tashmë kemi lënë pas edhe një “armik simbolik” siç është Serbia, që tani ndodhet katër vende pas nesh, në të 41-in. Fillimisht, në prill vendosëm një rekord historik, duke ngjitur 16 vende njëherësh dhe pozicionuar të 48-t në botë, pastaj në maj kemi superuar edhe 5 vende të tjera. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për qershorin, cka shënon një sukses të padiskutueshëm në llojin e vet, sepse vendin e 38-të (as të 43-tin, sa ishim në maj, as të 48-n, sa ishim në prill) as mund ta kishim ëndërruar më parë. Tashmë jemi të 37-tët, ndërkohë që rivali ynë i fundit në kualifikueset e “Botërorit 2014”, skuadra norvegjeze, është ngjitur me 4 vende për muajin korrik, duke u pozicionuar e 25-ta me 801 pikë, ndërsa Zvicra, kryesuesja e grupit tonë kualifikues, mban vendin e 16-të, me 987 pikë, duke humbur dy pozicione në krahasim me dy muajt pararendës. Sllovenia, me të cilën ballafaqohemi në shtator, është e 45-ta në këtë renditje dhe ka ngjitur 10 vende njëherësh, çka dëshmon se ky rival është bërë i rrezikshëm tashmë në Grupin E kualifikues. Rekordi i renditjes së kuqezinjve para katër pozicioneve më të larta të katër muajve të fundit ishte vendi i 50-të, i arritur në prill-maj 2011, në kohën kur drejtoheshim nga Josip Kuzhe. Kombëtarja pati fituar një superndeshje (paçka se jo me shumë gola) ndaj Bjellorusisë, çka i dha shumë pikë. Më pas, kombëtarja kuqezi njohu vetëm ulje, aq sa në tetor, nëntor, dhjetor 2012, shkuam në vend të 84-t. Nga ky moment nisi ngritja, me arritjen deri në rekordin aktual, vendin e 37-të për muajin korrik 2013. Vlen të evidentohet fakti se Shqipëria ka parakaluar edhe Serbinë, e cila gjendet katër vende më poshtë. Sa i përket renditjes së përgjithshme, në “Top 10″ ka disa ndryshime. Spanja vazhdon të mbetet e para, ndërsa e shoqëron Gjermania. Kolumbia ka bërë ngjitjen më të madhe. Nga vendi i 7-të, kolumbianët tani janë të tretët në listë. Edhe Italia ka përparuar me dy vende, duke u pozicionuar e shtata. Në “Top 10″ janë futur Brazili dhe Belgjika, ndërkohë që Anglia dhe Ekuadori nuk gjenden më në mesin e dhjetë më të mirëve.

 De Biazi: “Faleminderit djem!”

 Menjëherë pasi është publikuar kjo renditje reagoi përmes faqes së tij në “Facebook” edhe trajneri italian i kuqezinjve, Xhani De Biazi: “Ngjitja vazhdon. Shqipëria e 37-ta në renditjen e FIFA-s! Faleminderit djem!”

Thoma Strakosha grumbullohet nga Petkoviç

 Pas fitores së titullit kampion me të rinjtë e Lacios, portieri shqiptar Thoma Strakosha shpërblehet për arritjet e tij duke u grumbulluar për herë të parë në fazën përgatitore nga trajneri Vladimir Petkovic. 18-vjeçari që shkëlqeu me ekipin bardhekaltër në turneun final të kampionatit, do të udhëtojë bashkë me Krekon, Kataldin dhe sulmuesin Keita drejt qytezës Auronxo di Kadore ku do të vihet nën urdhrat e trajnerit boshnjak, çka do të thotë se djali i legjendës së portës së Kombëtares shqiptare, mund të zgjidhet si portieri i tretë i Lacios për gjithë sezonin e ardhshëm. Ai do të udhëtojë edhe drejt Kinës në datën 27 Korrik ku Lacio do të zhvillojë një turne miqësor. Kjo nuk është hera e parë që Strakosha thirret në ekipin e parë bardhekaltër pasi ai zëvendësoi argjentinasin Karrizo duke filluar që nga muaji Janar pas largimit të këtij të fundit te skuadra e Interit.