Magjia e Kukësit vazhdon edhe në Europë

568
Sigal

Kuksianët barazuan 1-1 me Flora Talinin në Estoni. Gerhard Progni realizon golin e shpresës

Ndeshja e parë në Europë. Suksesi i parë. Goli i parë. Ishte një mbrëmje historike ajo e Kukësit në kryeqytetin e Estonisë, Talin, në atë barazim bindës 1-1 ndaj Flora Talinit vendas, në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të Ligës e që u jep shumë shpresë kuksianëve për një kualifikim. Një ndeshje shume luftuar nga djemtë e Armando Cungut, duke filluar nga portieri Argent Halilaj e deri te goleadori Gerhard Progni. Kukësi e nisi me formacionin tip, me të cilin luajti edhe sezonin e kaluar ne Superiore, ku u shpall nënkampion i vendit dhe preu biletën e Ligës së Europës: në portë është Halilajt, ndërsa mbrojtja kompozohet me Malakarnen dhe Brahjen (në qendër), ndërsa dy lojtaret e krahut, Peqini dhe Hallaçi, janë të orientuar për të dale në detyra ofensive, ne mbështetje të Allmuces dhe Musollit. Në vijën ofensive është sulmuesi serb Popoviç, ndërkohë që pas tij janë Progni dhe Hoxha. Në rolin e “plejmejkërit” është Enkel Alikaj. Kronika lojës është e pasur. Minutat janë një dialog mes dy palëve në mesfushë me synimin për të goditur portat kundërshtare. Duhej të vijë minuta e 9-të, që estonezet të bëjnë vizitën e parë të rrezikshme në portën e Halilajt. Ndërhyrja e Malakarnes konsiderohet e parregullt, kështu që kryesori akordon karton të verdhë për argjentinasin. Goditja e dënimit pritet nga portieri i Kukësit. Post merr një asist nga Alliku në të 11′ dhe nuk shpërdoron, por i kalon të tijtë në epërsi. Marrin fund shpejt përpjekjet e skuadrës sonë ta mbajë të paprekur rrjetën e vet, ndërkohe që verilindoret vuajnë presionin në rritje të Flora Talinit. Në minutën e 26-të, Lazar Popoviç ngrihet me kokë mbi të gjithë lojtarët, por penalizohet me faull të shkaktuar ndaj  Mikadze. Në të 33’, është Frolov, që tenton të shënojë golin e dytë me një gjuajtje nga distanca, por ka grushtuar Halilaj. Minuta e 39-te, Allmuça ka fituar një goditje të lirë mbi vijën ballore të Flora Talinit. Ekzekuton Progni, që e kroson topin ne zonën estoneze, aty ku ndërhyn me kokë Brahja, por goditja e tij kalon pak centimetra tej shtyllës së djathtë pingule të portierit vendës.  Skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-0 për Flara Talin. Pjesa e dytë nisi me një kundërsulm të Kukësit, por Peqini kapet në pozicion jashtë loje. Në minuten e 65-të, Gerhard Progni adreson saktësisht një top në kuadratin estonez, duke iu afruar ndjeshëm golit të barazimit. Me dy kohë, portieri i Flora Talin arrin të evitojë rrezikun. Një minutë me pas, trajneri Cungu vendos të bëjë lëvizjen e parë. Nxjerr Alikajn dhe hedh ne fushe një forcë të freskët dhe plot energji, si Malota. Llogaritë e kuksianeve bëhen në dy plane tashmë: të mos pësohet goli i dytë, por dhe tentohet barazimi. Në  minutën e 76-të kosovari Yll Hoxha fiton një faull, pas ndërhyrjes së gabuar të Van De Streek. Trajneri Cungu vendos të hedhë në fushë edhe Manukën në vend të Hoxhës, zëvendësim i cili shoqërohet menjëherë me golin e barazimit. Gerhard Progni shënon në minutën e 79-të, duke i kaluar në delir presidentin Safet Gjici, trajnerin Armando Cungu dhe drejtorin sportiv Sulejman Starova. Barazimi 1-1 reziston edhe pas katër minutave shtesë. Goli në fushën kundërshtare dhe dalja i pathyer i ka shtuar shumë shanset e kuksianëve për të kaluar në turin e dytë. Ndeshje e kthimit do të jetë në “Qemal Stafa”, pas një jave, më 11 korrik.

Progni hyn në histori

Mesfushori sulmues Gerhard Progni u bë lojtari i parë i Kukësit që, shënon në një ndeshje ndërkombëtare, duke hyrë kështu në historinë e klubit verilindor, në debutimin e tij të parë në Europë.

 LIGA E EUROPËS 

NDESHJET E PARA TË TURIT TË PARË ELIMINATOR

FLORA TALIN–KUKËSI 1-1

Golat: Post 11’ / Progni 79’

FLORA: Meerits, Mets, Jürgenson, Palatu, Mikadze, Van De Streek, Laabus (Sapinnen 85’), Frolov, Post, Luigend (Logua 74’), Alliku (Prosa 80’). Trajner: Marko Lelov

KUKESI: Halili, Brahja, Hallaçi, Malacarne, Peqini, Progni, Allmuça, Alikaj (Malota 66’), Musolli, Popović (Malindi 82’), Hoxha (Manuka 78’). Trajner: Armando Cungu

Gjyqtarë: D.Scherbakov, D.Zhuk, S.Savitski (Bjellorusi)

LACI-DIFERDANZH   0-1

Golat: Lebresne 84’

LACI: Bakaj, Doku, Buljan, Ndreka, Kastrati, Ofoyen, Shazivari (Sefgjini 40’), Vucaj, Nimani, Zefi, Rovcanin (Ajazi 70’). Trajner: Stavri Nica

DIFERDANGE: Ueber, Rodrigues (Bastos 68’), Bukvic, Caillet, Pedro Ribeiro (Meligner 76’), Bisevac (Kettenmeyer 83’), Jänisch, Lebresne, May, Er Rafik, Franzoni. Trajner: Michel Le Flochmoan

Gjyqtarë: L.Guidi, M.Zanotti, A.Guidi (San Marino)

TEUTA-DAÇIA KISHINAU 3-1

Golat: D.Xhafaj 29’, Dosti 68’, Mancaku 73’ / Pavlov 38’

TEUTA: Rizvani, Idrizaj, Buiu, T.Osmani, Jakupi, Nika (Cyrbja 73’), Dosti, Hyshmeri (Cekici 81’), Mado (A.Hoxha 85’), Mancaku, Xhafaj. Trajner: Gugash Magani

DACIA: Matiughin, Posmac, Ilescu, Ogada, Lapushenko, Soppo (Cociuc 76’), Grosu, Mihaliov, Stoleru, Orbu (Dragovozov 76’), Pavlov (Shevel 80’). Trajner: Igor Negrescu.

Gjyqtarë: B.Simsek, C.Satman, K.Yılmaz (Turqi)

 Amatorët e Luksemburgut turpërojnë Laçin

 Historia e Laçit në Europë vazhdon të ketë njolla turpi. Nëse para dy sezonesh humbi thellësisht 7-1 nga bjellorusë e Dnjepri Mogilevit, kurbinasit dje u mundën në Korçë nga amatorët e Diferdanzhit: 0-1, dhe me shpresa të reduktuara për kualifikim. Edhe pse kur u hodh shorti u duk se Laçi ishte ekipi më me fat, duke parë dhe kundërshtarët me të cilët do të përballet Teuta (Daçia Kishinau e Moldavisë) dhe Kukësi (Flora Talin e Estonisë), nuk rezultoi aspak ashtu. “Letra e fatit” u shndërrua në një sarkazëm të hidhur për laçjanët e Stavri Nicës, fituesit e Kupës së Shqipërisë. Kronika e ndeshjes është në përgjithësi pozitive për Laçin, por golin fitues e shënoi Luksemburgu, pikërisht atëherë kur nuk pritej, gjashtë minuta paa përfundimi të takimit. Kapiteni Vuçaj, Nimani, Shazivari, Rovçanin u panë shumë shpesh në drejtim të portës së Ueberit, por pa mundur të gjejnë golin. Minuta e 14-të është drithëruese për Diferdanzhe. Vucaj godet ne pozicion ballor dhe portieri mik mezi grushton topin. Shkodrani ekzekuton nga këndi dhe mbrojtësi Ndreka për pak shënon. May për Diferdanzhe reagon në mundësinë e parë të kësaj ndeshjeje, gjuan drejt kuadratit bardhezi, por Bakaj është i vëmendshëm dhe zotëron topin pa asnjë problem. Kundërpërgjigjet Rodrigues për Diferdanzhe, përmes një goditje të lirë të fituar nga dyluftimi me Kastratin, por Bakaj tregon sërish aftësitë e veta. Vuçaj është tepër i lëvizshëm në mesfushën laçiane, por nuk heziton të vihet edhe në ndihmë të sulmit, duke parë se ky repart çalon te skuadra e Nicës. Trajneri Nica bën lëvizjen e parë në formacion, teksa nxjerr Shazivarin për Sefgjinin në minutën e 40-të. Në minutën e 43-të, Bakaj behet serish protagonist i Laçit, duke zmbrapsur me një pritje vendimtare goditjen e Er Rafikut. Në minutën e 52-të, Laçi ka mundësi për të shënuar, por ndërhyrja vendimtare e Ueberit, duke e devijuar topin në këndore shmang zhbllokimin e rezultatit. Trajneri Nica motivon lojtarët e tij, por kundërpërgjigja e kundërshtarit është e shpeshtë. Në të 64’ është Nimani që ka një tjetër rast të shënojë, por edhe ai gabon. Miqtë kundërpërgjigjen rrallë. Por minuta e 84-t do te ishte fatale dhe e pafalshme për kurbinasit: Lebresne ka mposhtur Bakajn, duke bërë surprizën e madhe. 0-1 për Diferdanzh dhe askush nuk u beson syve. Një humbje që flet shumë dhe rrezikon seriozisht kualifikimin për në turin e dytë të Laçit.

 Tifozët mbeten jashtë

  Tifozët nuk u lejuan të gjithë që të hyjnë në stadium edhe pse kishin blerë biletë. Arsyeja që nxorën ishte se stolat e stadiumit nuk plotësonin kushtet e UEFA edhe pse Laçi morri “OK” për të luajtur ne Korçë para disa ditësh nga delegatet që dërgoi UEFA. Tifozët protestuan për disa minuta.

Teuta shkatërron Daçia Kishinaun

 Teuta dhuroi spektakël duke mundur 3-1 Daçia Kishinaun në “Niko Dovana”, në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Europës, e duke hedhur një hap jo të vogël për kualifikim në turin e dytë. Xhafaj, Dosti dhe Mancaku ishin autorët e golave për ekipin e Gugash Maganit. Durrsakët do të udhëtojnë drejt Moldavisë pas një jave më të qetë dhe me avantazhin e dy golave.

Teuta e nis me një formacion sulmues ndeshjen, duke dashur të shfrytëzoje  maksimalisht faktorin “Niko Dovana”. Synimi i trajnerit Gugash Magani është i qarte: te marre nje rezultat sa më të mirë në sfidën e parë, për të shpresuar pastaj ne kthim te kualifikimi. Bledar Mancaku u bë shumë shpejt problem për mbrojtjen moldave, duke arritur të sjellë pështjellim aty dhe tëe krijoje hapësira manovrimi për Daniel Xhafajn dhe Nikëen. Veterani vlonjat fitoi disa goditje dënimi në afërsi të portës së Daçias, duke e spostuar formacionin e Maganit në gjysmëfushën kundërshtare. Gjithsesi, goditja e parë e rrezikshme në kuadratin moldav do te vinte në minutën e 26-të, kur Xhafaj godet rreptë dhe e detyron portierin mik të tregojë aftësitë. Në minutën e 29-të është sërish vlonjati i Teutës, ai që shënjestron portën moldave, duke shënuar golin e parë për “Djemtë e detit”. 1-0 për Teutën. Presingu dhe lufta për topin e parë është arma e lojtarëve të Maganit, fale të cilave arrijnë t’i imponohen kundërshtarit. Në minutën e 38-të, moldavët teksa finalizojnë me sukses kundërsulmin e tyre. Panlov shënon në portën e Rizvanit dhe barazon shifrat. Me këtë rezultat mbyllen 45 minutat e para. Pjesa e dytë është një dominim absolut i Teuës në lojë dhe në gola. Bledar Mancaku tenton disa herë me gjuajtje nga distanca, por portieri i Daçias nuk lejon prekjen e rrjetës së tij për herë të dytë deri në minutën e 68-të, kur Albi Dosti e kalon Teutën sërish në avantazh: 2-1. Gjithçka nis në formë asisti nga këmbët e Mancakut. Mesfushori i avancuar durrsak nuk mjaftohet vetëm me pasimet e arta që ka dhënë për dy golat e parë të Xhafaj dhe Dostit, por arrin të fusë në listën e golashënuesve edhe vetën  tij. Kështu, në minutën e 73-të, Bledar Mancaku i trefishon shifrat, me një eurogol dhe duke vendosur një bazë të mirë për kualifikimin për në të turin e dytë, çka do të ishte hera e dytë për durrsakët në historinë e tyre. Kjo ishte 6-të në 25 ndeshje ndërkombëtare të Teutës.