Edmond Hasanbelliu: Sezonin e mbyllëm pa sukses, do rindërtojmë skuadër të re

60
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Presidenti i skuadrës së Teutës, reagon për lëvizjet e fundit pas mbylljes së sezonit
Sezoni futbollistik 2016-2017 ka pak ditë që është mbyllur, ju e quani atë të suksesshëm për Teutën?
Synimi ynë ishte që të renditeshim në vendin e katërt në tabelë, por kjo nuk u arrit. Duke qenë se në dy apo tre javët e fundit hymë edhe në grupin e skuadrave që kërkonin mbijetesën, ky nuk ishte sukses. Dhe të mos harrojmë, se jemi eliminuar nga Kupa që ishte një tjetër objektivi i yni për sezonin që mbyllëm, e kështu del që asnjë nga synimet nuk u realizua. 

Ditë më parë kemi mësuar se nga skuadra e Teutës janë larguar disa futbollistë që mbyllën sezoni, si është e vërteta?
Nuk ka asnjë të fshehtë për sa po më thoni, sepse ne e kemi mbyllur një sezon ku nuk arritëm synimet tona. Ndaj edhe do ta rinovojmë si skuadër, jo për të qenë më një ekip model, por për një nga më të fortët dhe më me karakter në lojë. Largimet që janë bërë publikë në media, ndoshta do të pasohen dhe nga të tjerë.

Kur i referohemi emrave të të larguarve, nuk mendoni se po ikin disa titullarë të domosdoshëm për Teutën?
Ata që vetë largohen, nuk besoj se e quajnë veten të domosdoshëm për të qëndruar, ndaj që e kanë humbur shansin e vazhdimit të tyre në skuadër. Në përbërjen aktuale ne kemi lojtarë të tjerë, pse jo më të rinj në moshë, të cilët do të jenë pjesë e skuadrës. Duke ju referuar edhe merkatos, besoj se do të jemi më aktivë për lojtarë më cilësorë.

Do të përqendroheni në merkato brenda Shqipërisë, apo me futbollistë të huaj?
Të dyja pistat janë të mundshme. Edhe në tregun tonë, kryesisht në Kategorinë Superiore, ka shumë futbollistë që mbarojnë kontratat në skuadrat ku kanë qenë, apo largohen për arsyet e tyre. Ata që do ti shërbejnë skuadrës sonë, ne do ti kemi në qendër të vëmendjes.

Mos jeni shpejt për këto lëvizje, kryesisht për ata që kërkoni të merrni në skuadrën tuaj?
Nëse ka një periudhë më të mirë për të bërë merkato, është muaji qershor. Sepse në këtë muaj bëhen lëvizje të shumta nëpër skuadra, dhe tregu është më i gjerë. Rëndësi ka që të gjesh lojtarët e duhur, të cilët të jenë në shërbim të skuadrës, jo për të vegjetuar si disa të larguar tashmë.

Besoj se këto lëvizje i keni të konsultuara edhe me stafin teknik të skuadrës?
Patjetër që po, ku do të shkojmë pa pyetur trajnerin. Unë kam vite që e drejtoj skuadrën e Teutës, dhe këto formalitete të domosdoshme, tashmë na janë bërë si rutinë. Me Maganin bisedat janë bërë, dhe gradualisht do të formatojmë një skuadër të mirë. 

Cila do të jetë e veçanta që do të ketë në përbërje Teuta e sezonit të ri 2017-2018?
Së pari, ne do të bëhemi Sh.a (Shoqëri Aksionere), një strukturë që jo vetëm Ligji i Sportit e kërkon, por edhe realiteti duket i orientuar drejt krijimit të saj. Më pas, do të formatojmë skuadrën, ku me futbollistët do të nënshkruhen vetëm kontrata 3 vjet e sipër. Nuk do të kemi më kontrata kalimtare, sepse ato nuk janë shumë efektive, edhe kur bëhet fjalë për futbollistë cilësorë.

Cilat do të jenë kështu synimet e Teutës për sezonin e ri?
Që të flasësh për synime që tani pa e formatuar mirë skuadrën, ndoshta është pak herët, por që, planet tona për të ardhmen do të jenë krejt të kundërta me sezonin e kaluar. Gjithsesi, këtë muaj do të kemi më shumë të reja në skuadër, e natyrisht që edhe synimet gradualisht do të zbardhen.
Së pari, ne do të bëhemi Sh.a (Shoqëri Aksionare), një strukturë që jo vetëm Ligji i Sportit e kërkon, por edhe realiteti duket i orientuar drejt krijimit të saj. Më pas, do të formatojmë skuadrën, ku me futbollistët do të nënshkruhen vetëm kontrata 3 vjet e sipër, pasi nuk do të kemi më kontrata kalimtare
Sekretari i Klubit, Eduard Salillari: Stadiumi me restaurim modern
Nëse nga Presidenti Edmond Hasanbelliu, mësuam rreth situatës në skuadër pas përfundimit të sezonit 2016-2017, nga Sekretari i Klubit, Eduard Salillari, u mësua se klubi na nisur që tani rregullimin e restaurimin e disa ambienteve të stadiumit. “Menjëherë pas mbylljes së sezonit, ne si klub kemi nisur nga puna për rregullimin e të gjitha ambienteve të stadiumin “Niko Dovana”. Bëhet fjalë për shtrimin e fushës me tapet të ri me bar natyral, pasi aktualisht duket se ka një amortizim që nuk ndikon pozitivisht për lojën. Njëherësh, po rregullojmë të gjitha ambientet e brendshme, e këtu nuk bëhet fjalë vetëm për lyerje me bojëra e gëlqere. Stadiumi ynë është i licencuar nga UEFA, dhe të gjitha rregullimet i përgjigjen standardeve që ajo kërkon”, kështu deklaroi për gazetën “Telegraf” Eduard Salillari, Sekretari i FK “Teuta” të Durrësit.
Lojtarë të larguar
Bruno Dita
Rustem Hoxha
Blerim Kotobelli
Shpëtim Moçka
Arsen Musta 
Andi Ribaj
Artur Magani
Faizal Bagal
Ergi Borshi
Erand Hoxha
Mbrojtësi Bicaj firmos me Flamurtarin
Paraditen e djeshme, skuadra e Flamurtarit ka zyrtarizuar transferimin e parë në merkaton e kësaj vere, duke filluar kështu ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri. Dhe është mbrojtësi lezhjan Ditmar Bicaj, i cili ka hedhur firmën në kontratë me skuadrën vlonjate, e tashmë ai mund të quhet zyrtarisht pjesë e skuadrës së Flamurtarit. Në sezonin që u mbyll, Bicaj u aktivizua te Vllaznia dhe ishte një nga futbollistët kryesorë të saj në repartin e mbrojtjes, ndërkohë që në Vlorë, mbrojtësi do të jetë sërish me trajnerin Shpëtim Duro, me të cilin ka punuar më parë te Skënderbeu dhe Partizani.
Ramadanin e duan në Holandë, Partizani kërkon 200 mijë euro 
Gjatë verës së shkuar, Partizani i refuzoi disa oferta që erdhën në adresë të mbajtësit Ylber Ramadani, ndërsa këtë verë klubi i kuq është i prirë që të shesë dhe të blejë njëkohësisht. Ditë më parë u përfol për skuadër turke për Realdo Filin, por së fundmi, sinjale largimi nga Partizani po vijnë edhe për Ylber Ramadanin. Për 21-vjeçarin kosovar ka një interesim të madh nga disa klube të huaja, dhe Partizani mund ta shesë atë vetëm për 200 mijë euro. Ditë më parë, për Ramadanin, Partizani ka marrë oferta nga një klub gjerman dhe një danez. Klubi i kuq ka qenë i kënaqur me ato që ofronin këto klube, por transferimi i Ramadanit nuk është realizuar për shkak të refuzimit të familjes dhe vetë lojtarit. Por, së fundmi, kanë shprehur interes dy klube holandeze, AZ dhe Herenven. Në krahasim me dy ofertat e para, Partizani nuk do që të nxitohet, pasi oferta financiare nuk është aty ku kërkohet. Mësohet se holandezët u ofrojnë 130 mijë euro, ndërkohë që klubi kryeqytetas është i gatshëm vetëm për 200 mijë euro. Në këtë situatë ndodhet Partizani edhe me mesfushorin shkodran Edon Hasani të Kukësit. 
Merkato “peng” i vendimit të Etikës, nënshkrimet mbeten pezull
Kampionati i Kategorisë Superiore ka pak ditë që ka përfunduar sezonin 2016-2017, por te skuadra e Skënderbeut këtë e kanë quajtur si një fillim për sezonin e ri. Sepse Skënderbeu është treguar më i shpejtë se rivalët e tij, duke zyrtarizuar dy blerjet e para, Donjet Shkodrën nga Flamurtari dhe Bruno Ditën nga Teuta. Të dy këta lojtarë mund të quhen pjesë e korçarëve, çka e konfirmon vetë klubit i futbollit korçar, por ka edhe një “postbllok” që nuk po i bën publikë zyrtarizimet. Sepse është vendimi i Komisionit të Etikës që pritet të jepet në datën 8 qershor, ai që po i mban pezull prezantimet zyrtare të klubit bardhekuq. Dhe Skënderbeu, për të qenë korrekt, por edhe vetë lojtarët, të gjithë kanë kërkuar të njihen fillimisht me vendimin e Etikës, dhe më pas të bëjnë zyrtarizimin e transferimit të tyre tek ekipi juglindor. Skuadra më datë 8 qershor pritet që të niset drejt Sllovenisë, atje ku do të kryejë stërvitjet për ndeshjet e UEFA Evropa Ligë, ndërsa përgjegjësit e merkatos janë të impenjuar në afrimin e elementëve cilësorë në ekip, sidomos në pjesën e sulmit që tashmë ka mbetur bosh.
Burim Kukeli: Të mësojmë nga gabimet
Në Konferencën e djeshme për shtypin e mediat në kompleksin e ekipeve Kombëtare në Turqi, i pari i është përgjigjur interesit te medias, mbrojtësi Burim Kukeli, i cili mbi të gjitha, kërkoi që të gjithë të mësojnë nga gabimet e bëra. “Natyrisht që ky është moment shumë i vështirë për skuadrën tonë, pasi vijmë nga humbja e miqësores në Luksemburg. Të jemi të sinqertë, ne këtë nuk e kishim pritur, edhe pse po mundohemi që të japim maksimumin për këtë kombëtare. Tashmë duhet që të mësojmë nga gabimet e bëra”, ka deklaruar fillimisht qendërmbrojtësi Kukeli, i cili kërkon maksimumin në ndeshjen me Izraelin. “Arritja në Evropian ishte një sukses shumë i madh, por tashmë ai ka ikur dhe duhet të mendojmë për ndeshjen me Izraelin. Sepse, shansi i vetëm mbetet fitorja, nëse duhet që t’i afrohemi vendit të tretë në grupin tonë eliminator. Çdo lojtar duhet të japë maksimumin për kombëtaren, edhe pse tashmë misioni bëhet i vështirë për vendin e dytë, dhe ne të paktën të arrijmë vendin e tretë. Për pozicionin tim në fushë, kujtoj se edhe në Evropian kam luajtur qendërmbrojtës, është një pozicion që di ta bëj”.
Elseid Hysaj: Gëzojmë harmoni fantastike
Për shkodranin e mbrojtjes kuqezi, humbja në miqësoren me Luksemburgun nuk duhet të jetë fundi i një cikli. Sipas tij, ai tani ka nisur. “Ne jemi një grup fantastik këtu në Kombëtare, dhe unë do të thosha se nuk është aspak e vërtetë së është prishur grupi. Për situatën ku ndodhemi, nuk mund të them që është cikël i mbyllur për këtë skuadër, përkundrazi, ka nisur tani cikli. Edhe në klubet tona ku luajmë, ka ndodhur që kemi humbur pesë apo gjashtë ndeshje, dhe më pas jemi ngritur. Ky vërtet është një moment i keq, por do e kalojmë”, deklaroi fillimisht në deklarimin e tij mbrojtësi i djathtë Elseid Hysaj, i cili doli në krah të trajnerit, duke paraqitur harmoni fantastike në Kombëtare. “Sa i përket lajmeve për gjendjen e trajnerit tonë, unë them se ai po e bën shumë mirë punën e ti, ndërsa tani na takon neve të bëjmë mirë detyrën tonë. Qarkullon një pyetje, nëse do ikë trajneri, por nëse ai do të ikte, ne do na tregonte, ndaj nuk e besoj. Mediat italiane edhe mua me çuan te Barcelona, por ja ku jam, ndërsa në lidhje me shiritin e kapitenit, nuk është problem kush e merr. Një gjë duhet të kini parasysh, se gëzojmë një harmoni fantastike”.