Dy shqiptarë dhe një kosovar parakalojnë në Olimpiadë në Pjong Çang

59
Nga Agron KAJA
LOJËRAT OLIMPIKE DIMËRORE/ Me një ceremoni madhështore, dje në Korenë e Jugut u ndez pishtari i Lojërave të 23-ta Olimpike Dimërore
Spektakël dhe mesazhe afrimi për dy Koretë
Në Lojërat Olimpike Botërore Dimërore në “Pjongçeng 2018”, një nga pikat kulmore të tyre ka qenë ceremonia e hapjes dje, e cila dje nisi në orën 12:00 me orën shqiptare. Përkundër idesë se këto janë Lojëra Dimërore dhe temperaturat priteshin të ishin të ulëta, ato kanë qenë shumë më poshtë parashikimeve, pasi ka pasur ditë që temperatura është luhatur nga -6, në -20 gradë celsius, ndërsa gjatë ceremonisë ato zbritën në -1 gradë celsius. Në stadiumin me 35 mijë vende, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) kishte marrë masa për t’i mbrojtur sportistët dhe spektatorët nga i ftohti i madh që ka pushtuar Korenë e Jugut. Për spektatorët në stadium do të ketë një paketë me ngrohëse duarsh, kapuçë dhe batanije. Në këtë ceremoni, numri i përgjithshëm ishte rreth 2,000 vetë, të cilët interpretuan disa prej yjeve më të njohur të muzikës në Kore të Jugut. 
Në një ceremoni madhështore dhe spektakolare, dje u zhvillua ceremonia e hapjes së Lojërave të 23-ta Olimpike Dimërore, të cilat do të mbajnë ndezur pishtarin në Pjong Çang të Koresë së Jugut. Një aktivitet madhor sportiv ndërkombëtar që edhe në 16 ditët në vijim, me të gjitha garat që do të zhvillohen aty, do të garojnë rreth 3 mijë atletë nga 91 shtete të Botës, të cilët do të konkurrojnë në 102 gara. Ceremonia ka nisur me një program të shkurtër artistik, ku binin sy simbolet kryesore të Koresë “tigri i bardhë”, “dragoi blu” dhe “bretkosa e zezë”, ndërsa “Toka e Paqes” është slogani i kësaj olimpiade që bashkoi të dy Koretë nën një flamur. Stadiumi mikpritës i ceremonisë prej 35 mijë vendesh është ndërtuar vetëm për dy ceremonitë hapëse dhe mbyllëse, si dhe për shpërndarjen e medaljeve në çdo mbrëmje të këtyre garave, e më pas ai do të çmontohet. Parakalimi i ekipeve pjesëmarrëse u bë sipas alfabetit korean, e sipas traditës, vendi organizator parakalon i pari, por në mënyrë simbolike. Flamuri koreanojugor mbahet nga 8 ish-olimpistë vendas, ndërsa ekzekutohet himni kombëtar i Koresë së Jugut, që këndohet nga kori i ylberit i përbërë nga fëmijë. Më pas, të pranishmit mirëpritën kalimin e ekipeve, që si çdo vit filloi me Greqinë, si vendi ku u zhvilluan lojërat e para olimpike. Shtetet pjesëmarrëse parakaluan përreth stadiumit, ku sportistët garues përshëndetën të pranishmit e shumtë në stadium. Sipas alfabetit korean, Shqipëria parakaloi e 48-ta, me Suela Mëhillin flamur-mbajtëse, dhe pas saj, me grupin e kuqezinjve ishte edhe Erjon Tola. Të dy konkurrentët tanë do të garojnë në ski alpine, ndërsa për herë të parë në një olimpiadë merr pjesë edhe Kosova, me Albin Tahirin, që do të konkurrojë edhe ai në ski alpine. Norvegjia, Gjermania, Holanda, SHBA-të mbeten disa nga shtetet pretendente për ta fituar këtë olimpiadë, edhe për faktin se kanë një numër të konsiderueshëm sportistësh në përbërje të tyre. Rusia përfaqësohet në këtë Olimpiadë Dimërore Botërore me atletë që nuk janë përfshirë asnjëherë në skandalet e dopingut, të cilët konkurrojnë nën flamurin Olimpik. Në fund të ceremonisë parakaloi ekipi i Koresë së Bashkuar, nën një flamur të unifikuar, i cili mbahej nga sportistë të dy Koreve, duke treguar edhe njëherë se misioni i sportit është bashkimi dhe paqja. Në fund të ceremonisë, nëpërmjet fëmijëve shprehej dëshira për të pasur një komunikim ndërkombëtar të lirshëm në mbarë botën, pa barriera dhe pengesa. Ceremonia u mbyll me fjalët përshëndetëse të Li Hi Bom, presidentit të Komitetit organizativ të Lojërave Olimpike në Pjong Çang, dhe presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah. Më pas, Presidenti i Koresë së Jugut, Mun Ca In i shpalli të hapura Lojërat e 23-ta Olimpike Dimërore. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe disa personalitete botërore, si Zëvendëspresidenti amerikan, Majk Pens dhe Presidenti francez, Emanuel Makron. Në këtë event ka udhëtuar edhe një delegacion qeveritarësh të Koresë së Veriut, i kryesuar nga Kryeparlamentari Kim Jong-nam.
Lajtmotivi kryesor në këto Lojëra është paqja, harmonia dhe nxjerrja në pah e të përbashkëtave përkundër ndasive, që merr më tepër vlera në një periudhë të përmirësimit të marrëdhënieve midis Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut. Domethënës ishte fakti se, të dy vendet parakaluan me një delegacion dhe nën një flamur të përbashkët në këtë ceremoni.
17 ditë
Duke nisur nga dita e djeshme 9 shkurt 2018, Lojërat Olimpike Botërore Dimërore, do të zgjasin garat e tyre për 17 ditë dhe, më 28 shkurt mbyllen 
2 skiatorë
Shqipëria përfaqësohet me 2 skiatorë në Lojërat Olimpike Dimërore, Suela Mëhilli dhe Erion Tola që do të garojnë vetëm në disiplinën: Ski alpine