Bedri ALIMEHMETI/ Pavllo BUKOVIKU, “Beni i madh” i Tiranës

434

Dossier / Kapiteni goditës i fuqishëm, simbol i pathyeshmërisë së bardhebluve. Trashëgimtar dinjitoz i traditës sportive tiranase dhe i një gjenerate të shkëlqyer

Pavllo Bukoviku bën pjesë në atë gjeneratë të shkëlqyer futbollistësh, që e ngjitën klubin kryeqytetas në podin e titujve kampionë, i rikthyen lavdinë e viteve 30-të dhe bën që me atë futboll të mrekullueshëm që performuan nëpër fushat e stadiumet tona nën drejtimin e një strategu të rrallë si Myslym Alla të mbeten përjetësisht në kujtesën e atyre, që patën fatin t’i shihnin. Ai është vijues e trashëgimtar dinjitoz i traditës sportive të një familje të njohur të Tiranës, e cila i ka dhënë shumë si futbollit bardheblu, ashtu edhe atij kombëtar. Vetëm 18 vjeç qe, kur zbriti për herë të parë në fushën e lojës me fanellën bardheblu. Ka ndodhur kështu në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Shqipërisë ndaj Lokomotivës së Durrësit (sot Teuta). Ndërkohë më parë ai ishte stërvitur në “fidanishten” e talenteve të rinj të Xhavit Demnerit, ku bashkë me Naim Ballën, Skënder Halilin, Panajot Panon, Osman Memën, Fatmir Frashërin, Luigj Bytyçin, Pjerin Perollin, Tomor Gjokën, Aurrel Verrinë, Kristaq Foto, Stefan Pavlin, Bujar Kulhekun, Eqerem Casllin etj., kishin dominuar kampionatin shqiptar të të rinjve.

Dhe pas atij debutimi të suksesshëm në atë ndeshje të largët me “djemtë e detit” Bukoviku u bë pjesë e formacionit të ekipit “Shpresa” të ekipit Puna e Tiranës me të cilin në vitin 1958 u shpallën kampionë të Shqipërisë, e më pas kaloi pranë ekipit të parë bardheblu, në radhët e të cilit gjeti ngrohtësinë e dashurinë vëllazërore të futbollistëve të asaj periudhe si Osman Reçi, Bedri Stërmasi, Sadik Struga, Enver Shehu, Enver (Çoçi) Rada, Met Metani, Remzi Bulku, Hysen Petrela, Galip Caushi etj., e sigurish të të vëllait Teofilit. Të gjithë këta ishin një brez futbollistësh qëndrestarë, të cilët e kishin mbajtur skuadrën më këmbë në momente shumë të vështirë, kur ekipet e Partizanit e Dinamos ndër vite i merrnin vazhdimisht lojtarët cilësorë. Kështu nisi rruga sportive e Pavllo Bukovikut, të cilin të gjithë e thërrisnin me emrin Ben. Ishte një emër “nofkë” ky përkëdhelës mbetur nga fëmijëria e hershme, siç ndodhte e vijon ende të ndodhë ende jo vetëm nëpër familjet tiranase. Gjithsesi, miq e shokë e sidomos futbolldashësit e shumtë të Tiranës vijuan ta thërrisnin Ben, deri sa nga fundi i vitit 1966 në mesfushën e bardhebluve zbriti një futbollist tjetër me emrin Arben Çela. Pas kësaj për t’i dalluar nga njëri tjetri figurativisht jo nga cilësia e lojës, por nga diferenca në moshë nisën ta thërrisnin “Beni i madh” e “Beni i vogël”.

I fortë fizikisht, me një konstrukt të rregullt, shumë i shpejtë në veprime, me një grintë e rezistencë të admirueshme, çka i bënte shokët ta ndiqnin me besim të plotë deri në fraksionet e minutës së fundit. për të mos u dorëzuar e humbur shpresën edhe në situata tejet të vështira. Pa harruar që “Beni i madh” ishte mjeshtër i goditjeve të forta e të fuqishme me të dyja këmbët. Tipik në detyrën e mesfushorit organizator me tipare sulmuese, zbatues besnik i detyrave të ngarkuara nga trajneri, njëherësh shënues e rifinitor mjaft i zoti. Me këto vlera të pakrahasueshme sportive Pavllo (Ben) Bukoviku mbeti një futbollist mjaft i vlerësuar e shumë i rëndësishëm për ekipin, deri në kampionatin e XXXII në sezonin 1970-1971, kur u largua nga fusha i duartrokitur nga futbolldashësit. Por, kjo “lamtumirë” do të qe e shkurtër, sepse vetëm pas dy vitesh do të rikthehej sërish mbi “qilimin e blertë”, këtë herë me uniformën e gjyqtarit. Detyrë, të cilën e kreu me dinjitet e me mjaft kompetencë për 16 vite. Dhe jo vetëm në ndeshje të kampionatit shqiptar por, edhe në takime të rëndësishme ndërkombëtare, ku është dalluar për korrektësi gjykimi në takime ku luanin skuadra të njohura si CSKA e Sofjes me Omonia e Qipros, ekipet Shpesa U-21 të Turqisë me të Austrisë etj.

Por, periudha më e shkëlqyer në rrugën sportive të Bukovikut është ajo e futbollistit, ku për 15 vite zhvilloi mbi 350 ndeshje, në shumë prej të cilave kontributi i tij qe determinant. Madje, ajo filloi mjaft bukur. Edhe pse kishte vetëm pak kohë që ishte bërë pjesë e tij, me ekipin e të rinjve të Xhavit Demnerit fitoi titullin e parë kampion (1957), i cili u pasua një vit më vonë në radhët e ekipit Shpresa të Tiranës, ku u shpall sërish kampion. Pas kësaj kalon në radhët e skuadrës së parë bardheblu, por për pak kohë sepse thirret për të kryer shërbimin ushtarak, ku menjëherë një talent si ai bëhet pjesë e ekipit të Partizanit, që drejtohej nga trajneri Rexhep Spahiu. Dhe sukseset mbërrijnë shpejt. Dy tituj kampionë (1959 dhe 1961) dhe një Kupë e Shqipërisë (1961). Pas kthimit te 17 Nëntori niveli i futbollit të Bukovikut arriti majat kulmore të cilësisë sportive. Më 1963 ai është protagonist kryesor në fitoren e të parit trofe të pas luftës Kupës së Shqipërisë nga ana e bardhebluve në finalen e paharruar me Besën e Kavajës. Po atë vit qe marrë përforcim nga Partizani në lojnat e ushtrive të bllokut të lindjes, zhvilluar në Hanoi (Vietnam) ku fiton medaljen e argjendtë.

Pas kësaj nis epoka e Tiranës së “Artë” të viteve 60-të. Me përjashtim të Panajot Panos pranë skuadrës ishin kthyer të gjithë djemtë e dalë nga “fidanishtja” e Xhavit Demnerit, falë përkushtimit të të cilëve u vu në jetë dhe u realizua me sukses strategjia e teknikut Myslym Alla, për thyerjen e dominimit të Partizanit e Dinamos në kampionatet e topkëmbës shqiptare. Dhe Tirana vargëzon njëri pas tjetrit titujt (1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970). Ndërkohë, me Ben Bukovikun kapiten 17 Nëntori bën edhe një performancë të shkëlqyer në Kupën Ballkanike ndaj skuadrave të njohura si Beshiktash i Stambollit, Cernomore e Varnës (Bullgari) etj., e sidomos performaca e bardhebluve kulmon në Kupën e Kampioneve të Europës në përballjet me skuadrat e njohura FC Kilmarnok i Skocisë (0-0 e 0-1), Standard i Liezhit të Belgjikës (0-3 e 0-0) dhe Ajaks i Amsterdamit (2-2 e 0-2). Gjatë kësaj kohe Bukoviku vesh katër herë edhe fanellën e ekipit përfaqësues. Madje, në takimin e 30 tetorit 1963 me Danimarkën në Tiranë i dhuron asistin e golit Panajot Panos, që tund rrjetën e portierit Sorensen në minutën e tretë. Dhe Shqipëria prek fitoren 1-0. Kjo ishte rruga sportive e Pavllo Bukovikut, kapitenit, “Benit të Madh” të Tiranës së “Artë” të viteve 60-të, tashmë 75 vjeçar në pension prej kohësh, të cilit tashmë më shumë se gjithçka ia zbukurojnë jetën tre nipat, dy nga vajza e një nga djali.

“Dinastia Bukoviku”

Padyshim jo vetëm nga numri, por dhe nga cilësia e lartë e asaj që performuan sportistët e dalë nga familja Bukoviku përbëjnë një “Dinasti sportive”, pa harruar që në rrugën e bukur të të magjishmit futboll, burim frymëzimi për djemtë e kësaj familje u bë vëllai i nënës, daja i tyre Sllave Llambi. Një emër i madh i futbollit shqiptar. Sllave Llambi pati luajtur me SK Tirana (kampion më 1936 e 1937), me Shprefenë në vitet e pushtimit italian, me ekipin kombëtar, të cilin e pati drejtuar edhe si trajner për pak kohë dhe me Partizanin (kampion më 1947, 1948, 1949 dhe 1954). ndërkohë ai pati luajtur dy vjet edhe në kampionatin italian, fillimisht me FC Bolonjën dhe më pas në Milano me Ambrozianën (Interi i sotëm), me të cilin u shpall kampion i Italisë. Vëllai i madh Teofili, njohur nga të gjithë futbolldashësit tiranas me emrin Tafil, por që ai vetë për këtë fakt nuk u shqetësua asnjëherë, e nisi rrugën sportive me 17 Nëntorin më 1947. Gjatë shërbimit ushtarak luajti edhe për ngjyrat e Partizanit dhe e mbylli karrierën me Tiranën më 1962-n. Dhjetë vite më pas Pavllo (Beni) ndoqi rrugën e të vëllait, kur më 1957 nga ekipi i të rinjve të Xhavit Demnerit kaloi tek të rriturit e Tiranës. Më 1958-1961 gjatë shërbimit ushtarak luajti për Partizanin me të cilin fitoi dy tituj kampion dhe një kupë të Shqipërisë. Po me këtë ekip më 1963 (marrë përforcues) fitoi medalje të argjendtë në Hanoi të Vietnamit, në lojnat e ushtrive të lindjes. Ndërkohë në radhët e ekipit kombëtar luajti katër ndeshje. Më pas me Tiranën fitoi një Kupë më 1963 dhe katër tituj kampion: 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970. Millani, djali i Teofilit nga 1972 deri më 1985 luajti vetëm për ngjyrat bardheblu, me përjashtim të ndonjë rasti kur u mor si përforcues te Partizani. Me fanellën e Tiranës Millani fitoi dy tituj kampion dhe tri kupa të Shqipërisë. Me ekipin kombëtar zhvilloi gjashtë ndeshje ku ka shënuar një gol ndaj Finlandës në eliminatoret e Kupës së Botës më 3 shtator 1980 në fitoren 2-0 (Braho 2′, Baçi 18′). Më pas Millani ka drejtuar nga bankina Tiranën dhe për disa kohë ka qenë edhe drejtues i klubit. Tashmë prej kohësh ai është përgjegjës i Ligës Amatore pranë FSHF-së. Klaudeta vajza e Pavllos u dallua si basketbolliste me Tiranën, më pas tek Studenti, ku edhe e mbylli karrierën sportive.

Të veçanta nga jeta e Bukovikut

 Mbiemri Baçi apo Bukoviku

 Teofili, vëllai i madh njihet me mbiemrin Baçi, kurse Pavllo me mbiemrin Bukoviku. Nuk është rasti i parë. Tek ekipi i Tiranës kështu ka ndodhur edhe me vëllezërit Haxhi, Osman e Ali Mema. Haxhiu, gjatë gjithë karrierës sportive është njohur me mbiemrin Arbana, kurse dy vëllezërit më të vegjël në moshë me mbiemrin Mema. Sipas rrëfimit të shumë kohëve më parë nga ana e Teofilit, mbiemrin Baçi ia ka taksur komentatori i famshëm e krijuesi i gazetarisë sportive shqiptare Anton Mazreku, të cilin Bukovikët e kishin në një lagje. “Kur fillova të luaja unë, – pati rrëfyer Teofili – një ditë Antoni më thotë që gjatë transmetimit të ndeshjeve nuk do të më thotë Baçiovski, siç ishte mbiemri ynë i vërtetë por Baçi. Për këtë gjë më tha ai kishte biseduar edhe me tim at, Millanin, me të cilin kishte miqësi. Dhe kështu mbeti. Nga ajo kohë të gjithë më njohin me mbiemrin Baçi”. Edhe Pavllo pak  a shumë rrëfen të njëjtën gjë, duke theksuar që edhe mbiemri Bukoviku po ashtu është “dhuratë” e Anton Mazrekut. Madje, vite më vonë për ta saktësuar përfundimisht u është dashur të hapin edhe një proces gjyqësor.

 Gol, me topin e parë që prek

 Ka ndodhur në kampionatin XXXII në sezonin 1970-1971 në një ndeshje luajtur në stadiumin “Dinamo” (sot “Selman Stërmasi”) midis 17 Nëntorit e Skënderbeut të Korçës. Në pjesën e dytë kur shifrat ishin 2-1 për bardheblutë, trajneri Alla aktivizon në lojë Pavllo Bukovikun, i cili sapo futet në fushë drejtohet për nga zona e rreptësisë korçare, ndërkohë shokët thuajse mbi vijën kufizuese të saj i dhurojnë një top, të cilin ai pa e ndalur e godet fuqishëm. Dhe rrjetë. 3-1. Ishte kjo ndeshja përmbyllëse e një karriere sportive tejet të suksesshme.

 Penalltitë e Kavajës

 Më 7 prill 1963 në Kavajë është luajtur ndeshja e dytë finale midis Besës vendase dhe Tiranës. Nga përfundimi i saj do të përcaktohej fituesja e Kupës së Shqipërisë. Atë ditë të largët të messhekullit të kaluar, qyteti i Kavajës u “pushtua” nga mijëra tifozë bardheblu, ardhur me tren e me makina. Takimi i parë midis dy ekipeve, luajtur në Tiranë kishte përfunduar 2-3 për kavajasit. Por, kujtojmë se, në ato vite nuk vlerësohej goli në fushën kundërshtare kështu që me fitoren e Tiranës 1-0 në ndeshjen e kthimit, zhvilluar nën rrebeshin e një shiu të rëndë e në një fushë të përbaltur, për të përcaktuar fituesen e Kupës, ndeshja u shty 2 X 15′. Gjithsesi shifrat sërish nuk ndryshuan, por Tirana për shkak dëmtimesh kishte humbur dy portierët, Met Metanin dhe Esad Beliun, çka e kishte detyruar teknikun Myslym Alla të urdhëronte Ali Memën të zinte vend mes shtyllave në roje të portës. Detyrë, të cilën ai e kreu me sukses jo vetëm gjatë minutave të mbetura por, edhe kur u erdhi radha gjuajtjeve të penalltive.

        Për ekzekutimin e tyre trajneri Alla ngarkoi Pavllo (Ben) Bukovikun, që nuk gaboi asnjëherë. Katër goditjet e tij mjeshtrore nga pika e bardhë (e pesta nuk qe nevoja të kryhej) ishin të forta e të sakta përfunduan në rrjetën e portës së mbrojtur nga Shefqet Topi. Për kavajasit gjuajti T’habit Rexha (që më vonë u shqua si këngëtar i këngës popullore). Nga penalltitë e tij Ali Mema arriti të presë tre. Kështu falë goditjeve të “Benit të madh” e pritjeve të Ali Memës, dy heronjtë e asaj ndeshje të paharruar bardheblutë ngritën lart të parin trofe të rëndësishëm zyrtar të pasluftës në futboll. Atë natë festoi gjatë e gjithë Tirana.

  Talentet e Skënder Halilit

Gjatë kohës kur ishte gjyqtar futbolli, Pavllo shkonte shpesh jo vetëm për ta takuar shokun e vjetër të skuadrës, Skënder Halilin, i cili merrej me përgatitjen e futbollistëve të grupmoshave të klubit, por edhe për t’i arbitruar ndeshjet. – Më vinte mirë, – kujton Bukoviku – që ekipi i tij ishte i përgatitur. Gëzohej shumë kur këtë gjë ia thoja dhe pas kësaj niste e m’i tregonte me gisht djemtë e talentuar, që stërviste. “Ja ky do të bëhet mbrojtës i shkëlqyer, – më thoshte plot pasion – edhe ky tjetri ja ke për të parë shumë shpejt do të jetë sulmuesi më i mirë i Tironës”. Dhe me të vërtetë shumë prej tyre si Astrit Ramadani, Krenar Alimehmeti, Florian Riza, Fatos Daja, Fation Kepi, Ilir Daja etj., u bënë futbollistë dhe spikatën jo vetëm në radhët e Tironës por, edhe të ekipit kombëtar.

Skeda

Emri: Pavllo (Ben)

Mbiemri: Bukoviku

Vendlindja: Tiranë

Datëlindja: 6 qershor 1939

Roli: Mesfushor organizator sulmues

Ekipet me të cilët është aktivizuar:

Puna e Tiranës 1957-1958, Partizani 1958-1961, 17 Nëntori (Tirana) 1961-1971

Me ekipin kombëtar: 4 ndeshje

Danimarkë-Shqipëri 4-0 (Kampionati Europian 29.06,1963)

Shqipëri-Danimarkë 1-0 (Kampionati Europian 30.10.1963)

Holandë-Shqipëri 2-0 (Kupa e Botës 24.05.1964)

Irlandë e Veriut-Shqipëri 4-1 (Kupa e Botës 07. 05.1965)

Trofe:

Kampion me ekipin e të rinjve (1957)

Kampion me ekipin Shpresa U-21 (1958)

Fitues i Kupës së Shqipërisë me Partizanin (1961), Tiranën (1963)

Kampion i Shqipërisë: 6 herë

Me Partizanin: 1959 dhe 1961

Me Tiranën në sezonet: 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970

Medalje e argjendtë në Hanoi të Vietnamit më 1963, me Partizanin në lojnat e ushtrive të bllokut të lindjes

Kualifikime:

Kurs një vjeçar për trajner futbolli (1973)

Kurs për gjyqtar futbolli (1974), pas të cilit për 16 vite me radhë drejtoi ndeshje në kampionatin tonë, por edhe në veprimtari ndërkombëtare

Tituj që mban: “Mjeshtër Sporti”, “Mirënjohje e qytetit të Tiranës”

Dekoruar: Me “Urdhrin e Punës” kl. III, dhe Urdhrin “Naim Frashëri” kl. III e kl. II

foto 5 – Ekipi i te rinjve 1957, Bukoviku (me këmbë, i 3 nga e majta)