Armando Duka: Kombëtarja, sukses i Kombit

482
Sigal

 

FSHF/ Për situatën në futbollin shqiptar, nga Kombëtarja,
te trukimet e Liga Mbarëkombëtare, flet për “Telegraf” Presidenti i FSHF-së,
Armand Duka

 

Futbolli
rritet në çdo situatë, Kombëtarja sukses i Kombit

 

Nga Agron KAJA

 

Futbolli shqiptar është gati në mesin e sezonit
2016-2017, dhe përpos arritjeve e dukurive që e kanë shoqëruar atë vit pas
viti, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, deklaroi dje
për gazetën “Telegraf” se në institucionin që ai drejton, punohet ritmikisht
dhe me përkushtim. Duke dashur të na “rrëfejë” më të veçantat e çdo treguesi në
punën e tij dhe të gjithë stafit në FSHF, Duka së pari u ndal në pjesëmarrjen e
Kombëtares sonë në Kampionatin Evropian të Futbollit “Francë 2016”, të cilën ai
e quan fryt i një pune të njerëzve të futbollit gjatë të gjithë këtyre viteve.
“Pjesëmarrja në Kampionatin Evropian të Futbollit besoj se ka qenë ngjarje e
rëndësishme për të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen, ndërsa do të mbetet si
një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën time. Aty kanë qenë me zemër të
gjithë shqiptarët, sepse është një Kombëtare e gjithë Kombit tonë, ndërsa sot
gjashtë muaj pas tij, konkluzioni se, sa më lart të ngjitesh aq më të vështira
bëhen punët, duket se është real”, theksoi fillimisht Presidenti i FSHF-së, i
cili më pas deklaroi se trajneri i huaj nuk është zgjedhje e gabuar për të.
“Vendosjen e një trajneri të huaj në krye të Kombëtares sonë unë e kam quajtur
të arsyeshme, jo vetëm për përvojat që kanë, por edhe pse shqiptarët i
respektojnë shumë të huajt. Kemi edhe trajnerë të mirë shqiptarë, por gjykuar
në sensin e seleksionimit të lojtarëve, kemi menduar se të huajt pabarazinë e
kanë më të vogël nga ata vendas. Nëse një ditë mund të kemi edhe një trajner
shqiptar në Kombëtare, nuk mendoj se do të gabojmë. Unë nuk ndërhyj kurrë tek
trajneri i Kombëtares, aq më pak te De Biazi. Diskutoj shpesh me të, dhe më
pëlqen se është trajner me grintë, por vendimet për lojën i merr vetëm ai me
stafin e tij teknik”. Nisur nga atmosfera jo fort pozitive për skuadrën e
Skënderbeut, të cilën UEFA e dënoi për një vit mospjesëmarrje në kompeticionet
e saj nga disa dyshime për trukim ndeshjesh, Armand Duka deklaroi për gazetën
se ato nuk janë vetëm fenomen në futbollin shqiptar. Sipas tij, dyshime ka pasur
për trukime ndeshjesh, por të faktuara me prova juridike ende nuk janë
paraqitur. “Ka pasur shumë dyshime për trukime në futbollin tonë, por asnjëherë
nuk janë dhënë prova juridike që ato të quhen faktike. Natyrisht që fiksimet e
rezultateve në ndeshjeve janë një sëmundje e futbollit aktual, por ne si FSHF
në luftën kundër trukimeve apo shitjes së ndeshjeve të futbollit, them se kemi
bërë progres. Nëse rikthehemi në retrospektivën e viteve të shkuara, edhe në
vendin tonë kishte të tilla dukuri, ku ndeshjet liheshin me “akorde”
pushtetarësh e partiakësh të kohës. Në kohën e sotme kjo dukuri që është
shndërruar si një fenomen, bëhet edhe më e ndjeshme sepse janë elementët
financiarë në mes. Në gjykimin tim personal, unë nuk jam ende i sigurt që ky
fenomen do të eliminohet një ditë, në Shqipëri e në gjithë botën e futbollit”,
deklaroi më tej Presidenti i FSHF-së, i cili Skënderbeun si skuadër e akuzuar
për trukime ndeshjesh, e veçon për sukseset e tij si Kampion për gjashtë herë
resht, por edhe për pjesëmarrjen dinjitoze që bëri duke arritur në grupet e
Ligës së Europës. Nëse Armand Duka nuk mendon një Superiore me më shumë
skuadra, argument i tij vjen me të mirat e dobësitë e saj. “Mendoj se ne kemi
një kampionat nga më të mirët në Rajon, ku vetëm në infrastrukturë bëjmë
diferencën. Por, ne sot nuk mund të themi se luajmë futboll si në Spanjë,
Angli, Gjermani apo në Itali dhe të krahasohemi me to, prandaj, për kushtet
tona, një kampionat me 10 skuadra të elitës është më normal, pa thënë asnjëherë
që nuk ka probleme e mangësi me të cilat ne ndeshemi në çdo situatë e luftojmë
maksimalisht e përkushtim që ti minimizojmë sa më shumë”. Në bashkëbisedimin me
Presidentin e FSHF-së, veçon edhe marrëdhëniet e mira institucionale ne UEFA-n,
apo të tregonte edhe të veçanta të tjera në punën e tij në drejtimin e
futbollit shqiptar.

 

 

 

 

Liga
Mbarëkombëtare, është e mundur!

Jo vetëm në kohën që Armand Duka drejton FSHF-në si
president i saj (6 shkurt 2002 e në vazhdim, por edhe më parë ka pasur zëra apo
dëshira që shqiptarët të krijonin një Ligë Futbolli Mbarëkombëtare. Për Dukën,
nuk ka pengesa dhe bisedimet kanë nisur. “Unë e kam pasur si objektiv që të
kemi një Ligë Futbolli Mbarëkombëtare dhe kam bërë disa biseda me Presidentin e
Federatës së Futbollit të Kosovës. Ndoshta koha është për ta bërë një gjë të
tillë, por na duhet edhe një kompromis me UEFA-n që kjo ligë të ketë edhe
 një përfaqësues në Europë, pse jo duke bërë pak “qethje” nga përfaqësimi
i Shqipërisë dhe nga ai i Kosovës. Fituesi i Kupës mendoj se duhet të shkojë në
Europë, e cila do të sjellë edhe përfitime financiare për fituesit”.

 

 

KOMBËTARET

Bushi
te U21 dhe Bogdani te U 19

Pas një mungese disa mujore me bankina bosh, dje është bërë
zyrtarizimi i trajnerëve të Kombëtareve U 19 dhe U 21. Pas përfundimit të
kontratës së Redi Jupit si trajner i U 21 dhe largimit të Arian Bellait nga
bankina e U 19, dje FSHF-ja zyrtarizoi trajnerët e rinj Alban Bushi dhe Erion
Bogdani. Prezantimi i tyre u bë ambientet e FSHF-së nga drejtori teknik i
ekipeve tona kombëtare, Paolo Tramexani, të dy legjionarët shprehën konsiderata
për këto pozicione. Bushi: “Është emocion i veçantë dhe nder për mua”. Bogdani:
“Do punoj me pasion si në punët e tjera”.

 

 

 

KATEGORIA SUPERIORE

Ndeshjet/ Java e 15-të

Dje, datë 9 dhjetor 2016

Teuta-Skënderbeu        0-0   

Sot, datë 10 dhjetor    2016

Kukësi-Flamurtari        
14:00

Partizani-Laçi                14:00

Vllaznia-
Luftëtari          14:00

Tirana-Korabi                17:00

RENDITJA

Skuadrat        Nd     Pikë

1.Skënderb      15     
29

2.Kukësi          14     
28     

3.Partizani       14     
25

4.Tirana           14      22

5.Vllaznia        14     
19

6.Luftëtari       14     
15

7.Flamurtari     14     
13

8.Teuta            15     
12

9.Laçi              14     
11

10.Korabi        14
     6