Agron KAJA/ Partizani-Tirana, më joshëse se Shqipëri-Zvicër

478
Sigal

FUTBOLL/ Fundjavë me dilema për topkëmbën tonë, derbi dhe jo eliminatorja do na bëjë me ethe

E gjithë vëmendja sportive në Shqipëri në këtë fundjavë do të jetë te futbolli, pasi topkëmba të premten dhe të shtunën ka menduar të na mbajë në ethet e 180 minutave interesante që do të prodhojnë këto dy sfida. Por, nëse sot në përballjen me Zvicrën, Shqipëria duhej që të kishte një shpresë serioze për t’u kualifikuar në grupin E eliminator për “Botërori 2014”, nesër po në “Qemal Stafa”, derbi Partizani-Tirana duket se ka vlerë më shumë se kaq. Sepse duke parë gjendjen e Kombëtares sonë në grup, njëherësh edhe rivalet e tjera për vendin e dytë, shpresa jonë për këtë vend është një ëndërr në sirtar, e për pasojë, ndeshja me Zvicrën mbetet vetëm një zyrtarizim e një koaludim për të ardhmen. Mbetet kështu kjo situatë pasi në lojë për vendin e dytë në grupin E eliminator janë Islanda e vendit të dytë me 13 pikë e që do të presë Qipron, në lojë është edhe Sllovenia e vendit të tretë me 12 pikë, e cila do të presë Norvegjinë, që nga ana e saj kërkon vendin e dytë, por aktualisht renditet në vendin e katërt me 11 pikë. Dhe pas këtyre vjen Shqipëria, e cila edhe nëse fiton me Zvicrën, shanset për t’u kualifikuar duket se teorikisht i ka në disfavorin e saj me 49% pro dhe 51% kundër.

Kësisoj, pa e fyer aspak skuadrën helvete që në vendin e parë në grupin E duket e sigurt se do të jetë një nga finalistet e “Botërori 2014” që do të zhvillohet në prnaverën e ardhshme në Brazil, ne vëmendjen më të madhe në këtë fundjavë do ta marrë derbi Partizani-Tirana, i rikthyer në “Qemal Stafa” pas pesë sezoneve të munguara. Do të luhet ndeshja e 136-të mes këtyre dy skuadrave të mëdha të futbollit tonë, e cila vjen të shtunën me një situatë aspakt të mirë për 24 herë kampionen, Tiranën, ndërkohë që Partizani renditet në vendet e kreut dhe e ka nisur këtë rikthim me ambicie për të risjellë aromën e munguar, njëherësh edhe për të qenë skuadër që duhet të luajë në Evropë. Si balanca e fitoreve në favor të Partizanit me 53 ndeshje të fituara ndaj 42 të Tiranës, si emrat e mëdhenj të këtij derbi të madh dhe gjendja e tyre në tabelën e renditjes, na bëjnë që Zvicrën ta kalojmë vetëm në kërshërinë e futbollistëve shqiptarë që ajo ka në përbërje, ta shohim atë si një finaliste të “gjallë” e Botërorit, dhe vetëm kaq. Sepse të shtunën në “Qemal Stafa”, në sediljet e freskëta të tij, pasi të jenë pastruar nga nata e së premtes, do të riulen të ndarë si dikur më parë me korsi dhe polici nga njëra-tjetra, tifozeria “Fanatics” që përfaqëson bardheblutë e Tiranës dhe “Demat e kuq” që përfaqësojnë tifozerinë e Partizanit. Ata e kanë nisur këtë “dyluftim” mes tyre në shkallët e stadiumeve pikërisht më 30 mars të vitit 1947 kur Partizani e shkatërroi Tiranën me rezultatin e thellë 8-0. Por e kanë lënë “luftën” mes tyre më 14 shtator 2008 ku Tirana pat fituar me rezultatin e ngushtë 2-1. Këto janë shifrat historike të këtij derbi, të cilin këtë herë e vendosëm në “pole-position”-in e javës sportive, sepse i tillë është, edhe pse realisht të dyja skuadrat nuk janë shumë pranë historisë më të mirë të tyre. Derbi është derbi dhe si i tillë do të prodhojë gjithccka në 90 minutat e tij, ndërkohë që me Zvicrën do të “kolaudohet” e gjithë tifozeria, madje kanë dhënë fjalën se do të jenë në “Qemal Stafa” ditën e shtunë edhe “Plisat” e Prishtinës. Bukur të shtunën, ndërkohë që e premtja e 11 tetorit do të mbahet mend edhe si dita e mbylljes së një pretendimi nën zë i trajnerit të Kombëtares sonë De Biazi, i cili me karizmën e tij “alla-italiana” na “çakordoi” duke kërkuar një vend të dytë në grup. Gjithsesi, kjo përvojë e tij do t’i duhet Kombëtares sonë për sezonin e ri të Evropianit 2016.

 Shqipëria e 45-ta, Zvicra e 14-ta

 Kombëtarja Shqiptare ndodhet në vendin e 45-të me 652 pikë në renditjen aktuale të FIFA-s (muaji shtator). Zvicra pozicionohet  e 14-ta, pra 29 vende më mirë se kuqezinjtë. Ekipet e tjera të grupit tonë (E) renditen në këto pozicione: Sllovenia (29), Norvegjia (39), Islanda (54) dhe Qipro (134).

SHQIPËRIA

Themelimi si federatë: 1930

Renditja në FIFA: 45

Finale Botërori: 0

Trajner: Xhani De Biazi

ZVICRA

Themelimi si federatë: 1904

Renditja në FIFA: 14

Finale Botërori: 9

Trajner: Otmar Hitzfeld

Bilanci me Zvicrën

11/04/1965, Tiranë

Shqipëri-Zvicër 0-2

02/05/1965, Gjenevë

Zvicër-Shqipëri 1-0

12/10/2002, Tiranë

Shqipëri-Zvicër 1-1

11/06/2003, Gjenevë

Zvicër-Shqipëri 3-2

12/09/2013, Lucernë

Zvicër-Shqipëri 2-0

Në Total: 5 ndeshje;

0 fitore, 1 barazime,

4 humbje, golat: 4-9

BILANCI PARTIZANI-TIRANA

Nd 135, F 53, B 40, H 42, Golat 196:158

 Kapiteni i Shqipërisë: “Ia kemi borxh tifozerisë shqiptare. Duam të thyejmë rekordin e Brigelit”

 Lorik Cana: “Luajmë për fitore”

  Lorik Cana në një intervistë për televizionin publik zviceran ka folur për ndeshjen e së premtes, Shqipëri–Zvicër dhe për lidhjet e tij me shtetin helvetik në të kaluarën. “Në vitin, 1989 para luftërave në Ballkan, familja Cana emigroi në kantonin, Vaud. Loriku jetoi aty prej moshës 6 deri 16 vjeçe para se të bëhej pjesë e PSG, OM, Sunderland, Galatasaray dhe tani te Lacio nga viti 2011. Ai është anëtar i kombëtares shqiptare nga viti 2003”, fillon raporton televizioni publik francez, RTSsport. Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, aktualisht te Lacio, ka luajtur nga viti 1997 deri në vitin 2000 me të rinjtë e Lozanës në Zvicër. Nga mosha gjashtë deri në 16 vjeç, Cana jetoi së bashku me familjen e tij nga Kosova, si emigrant në komunën e Sheso-syr-Lozanë. Kur Paris Sën Zhermeni tregoi interes për të, atëherë Cana mori pasaportë franceze dhe tërhoqi në vitin 2000 dhe familjen e tij për në metropolin francez. Në vitin 2002 Cana debutoi me ekipin e parë të Paris Sën Zhermenit, dhe vetëm disa muaj më pas, ai mori ftesë nga Kombëtarja e Shqipërisë. Rasti e solli, që debutimi i Canës të përkonte me një ndeshje kundër Zvicrës, pikërisht më 11 qershor 2003, në kualifikueset e Europianit, në Gjenevë, një ndeshje e përfunduar 3-2.

  – E di se nga kam ardhur. Udhëtimi im si person dhe lojtar ka kaluar nëpër Zvicër. Lozanën nuk do ta harroj kurrë. Aty shkoj dy herë në vit.

 – Kisha ëndrra dhe qëllime si i vogël. Kisha një infrastrukturë të mirë. Kjo ishte Zvicra, e cila më dha mundësi të bëhem lojtar i mirë. Pastaj shkova në Paris për t’u zhvilluar. Zvicra ka pasur talente të mëdhenj, zviceran por po ashtu edhe nga gjenerata e emigrantëve.

 – Sikur Behrami, Xhaka, Shaqiri…

 – Djemtë që i përmendet, por edhe Xhaka apo Xhemaili kanë pasur mundësi të madhe. Me qenë i sinqertë besoj se Behrami, Mehmedi, Shaqiri, Xhaka duhet pasur edhe në Shqipëri… Fatkeqësisht ata nuk i kanë mundësitë e duhura për t’u zhvilluar. Është për të ardhur keq. Isha me fat që jam rritur në Zvicër.

– Shumë shqiptar kanë zgjedhur të përfaqësojnë Zvicrën. Ata do të ndihmonin shumë kombëtaren e juaj!

 – Kjo është e palëkundshme. Por, nuk kisha dashur të debatoj për lojtarët që kanë zgjedhur fanellën e Zvicrës. E njoh Xhakën për shumë kohë. Është shumë i mirë. Behramin dhe Xhemailin, i takoj në kampionatin italian. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se ata janë lojtar shumë të mirë që kanë arritur nivel të lartë ndërkombëtar.

 -Edhe pse shanset janë të limituara, beson se Shqipëria mund të arrijë fazën e barazhit në kualifikime?

 – Duhet të luajmë mirë. Këto kualifikime na kanë shërbyer si tranzicion, sidomos me ardhjen e trajnerit të ri dhe integrimit të disa lojtarëve të ri. Rezultatet e mira na kanë shtuar apetitin. Do të mundohemi të mposhtim rekordin e mëparshëm që e mbante trajneri, Brigel me 13 pikë të tubuara.

 – Duket se të premten do të luani maksimalisht, që do të jetë vështirë për ekipin zviceran.

 – Do të luajmë për fitore. Ne iu kemi shkaktuar probleme të gjitha ekipeve. Ekipi ynë do të japë maksimumin. Publiku për herë na ka përkrahur. Kjo do të jetë ndeshja e fundit si nikoqir, prandaj do të bëjmë çdo gjë për të kënaqur tifozët tanë”.

 – A ke ndonjë mesazh për ekipin e Zvicrës?

 – Asgjë për ekipin. Për popullin e Zvicrës, dua të them se kjo do të jetë një ndeshje e dy vendeve mike. Gjatë ndeshjes do të ketë rivalitet, por kjo është normale. Zvicra është ekipi më i mirë në grup. Ne jemi garues dhe dëshirojmë të fitojmë. Mendoj se çdo gjë do të jetë në rregull. E kemi parë ndeshjen e parë në Lucernë. Atmosfera ishte shumë e mirë. Njerëzit në tribuna ishin të ndryshëm. Ne e dimë se kemi nevojë për Zvicrën. Zvicra ka lejuar shumë bashkatdhetar tanë të punojnë aty.

 – Nga perspektiva personale mund të imagjinoni përfundimin e karrierës te Lozanë Sport?

 “ Pse jo? Është klubi im i parë dhe do të ishte fat i mirë. Kurrë nuk e harron klubin e parë. Kam shumë miq në Lozanë, ku shkoj dy herë në vit.