Agim Canaj: Skënderbeu ka bërë hapa cilësorë, trajnerët e huaj ikën të dështuar

176
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-trajneri në disa skuadra të Kategorisë Superiore, ja si e analizon gjysmën e parë të sezonit 2017-2018
Nga Skënderbeu në krye dhe Lushnja në fundin e renditjes, si mendoni se janë paraqitur skuadrat e Superiores në 16 javët e luajtura?
Duke menduar se e njoh mirë kampionatin shqiptar, them se në këto 16 javë, pjesa më e madhe e skuadrave kanë pasur shumë dritëhije. Skënderbeun ka bërë hapa shumë cilësorë në këtë gjysmë të parë të Kampionatit dhe përjashtohet nga të tjerat, të cilat nuk kanë treguar shumë vlera në fushën e lojës.

Ju e veçoni Skënderbeun si kryesues, apo si skuadër e konsoliduar?
Skënderbeu e mban me meritë kryesimin, dhe në menaxhim e organizim, ai është kthyer në një ndërmarrje sportive. Në këtë tregues, të gjitha skuadrat e tjera kanë treguar deficite, por, në hapat e skuadrës korçare më shumë afër duken Partizani, Flamurtari e Kukësi.

Cilat i mendoni si arsye, që këto skuadra nuk kanë treguar tërësisht vlerat e tyre, apo pse janë larg pritshmërive?
Arsyen e parë e mendoj të thjeshtë, të gjitha skuadrat nuk kanë ditur që ti përdorin financat e tyre në shërbim të organizimit e drejtimit të skuadrave. Shumë skuadra e nisën me bujë sezonin, por në këto 16 javë, ato treguan shumë pak nga sa predikuan. Dhe si arsye tjetër, besoj se është edhe menaxhimi i dobët i klubeve.

Mund të themi se në këtë situatë kanë ndikuar negativisht edhe lëvizjet e shpeshta të bankinave?
Unë jam kundër lëvizjeve të tilla të trajnerëve, pasi lojtarët mësohen me strategjinë e stërvitshmërinë e tyre, ndërsa për një rezultat, gjykohet shumë ngushtë dhe largohet trajneri. Ndryshimet që janë bërë në bankinat e skuadrave, më shumë janë një trendi i presidentëve të klubeve, se sa domosdoshmëri në skuadra.

Kukësi vendosi në bankinë trajner austriak, po si ka qenë performanca e trajnerëve të tjerë të huaj në Superioren e këtij sezoni?
Performacat e tyre kanë qenë të dështuara. Që nga Fernandezi i Luftëtarit, te Iuliano i Partizanit e Milinkoviç te Kukësi, nuk dhanë asgjë të mirë në skuadra për aq sa drejtuan. Duke u zëvendësuar me trajnerë shqiptarë, ndryshimet kanë qenë shumë të dukshme, sit e Partizani apo edhe te Luftëtari.

Në Kategorinë Superiore, çfarë mendoni se duhet të ndryshojnë në këtë pjesë të mbetur të sezonit?
Kur morra më sipër si shembull Skënderbeun, them se skuadrat e tjera duhet të mësojnë në administrim e në menaxhim nga skuadra korçare. Ndërtimi i klubeve profesioniste është i vështirë, sepse kërkon edhe financa të mëdha, të cilat pjesa më e madhe e skuadrave tona nuk i kanë të konsoliduar.

Nga fusha e lojës, tashmë në plan të parë ka dalë merkato dimërore, çfarë mund të rregullojnë skuadrat në këtë periudhë?
Në periudhën e dimrit është shumë e vështirë të bësh merkato cilësore, sepse gjatë verës janë angazhuar futbollistët në skuadra të tjera, dhe të mirëpaguar. Duhen sforco të mëdha financiare, por edhe fat që të gjesh futbollistë që të bëjnë diferencën me grupin. 

Duke qenë një periudhë e alternuar me stërvitje e merkato, mendohet një konsolidim i skuadrës për ta përballuar më mirë pjesën e dytë të sezonit?
Koha është shumë e shkurtër, dhe duke menduar ndryshimet e trajnerëve, do të jetë shumë më e vështirë që në këtë periudhë të kemi një konsolidim të skuadrave. Duhen shumë financa që të arrihet një mbledhje e skuadrës, duke menduar se është ruajtur grupi i lojtarëve kryesorë në çdo skuadër.

Dhe për pjesën tjetër të sezonit, çfarë ndryshime do të presim nga skuadrat?
Unë nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim të madh. Më shumë do të jetë një sfidë trajnerësh, tek të cilët do të varet shumë ecuria në çdo skuadër. Do të kenë më shumë progres ato skuadra që kanë pasur qëndrueshmëri në rezultatet e tyre në 16 javët e luajtura, pa ju shmangur edhe befasive, apo të tjera dukurive që shfaqen në çdo fundsezoni.
Në kampionatin shqiptar mungojnë sulmuesit tipikë të golit. Largimi i Pejiç, Salihit dhe Ekuban, i kanë lënë si të vetmuar Souenë e Skënderbeut dhe Alveshin e Flamurtarit, në këndvështrimin e golashënuesit tipik. Kjo mungesë ka sjellë mangësi në fazën finalizuese në pjesën më të madhe të skuadrave
Trajnerët në Superioren 2017-2018 
Skuadrat Është Ishte
Skënderbeu I. Daja 
Flamurtari Sh. Duro 
Kukësi P. Pakult Milinkoviç
Laçi G. Mezani S. Nica
Partizani S. Starova M. Iuliano
Kamza R. Ndreu 
Luftëtari H. Lika Fernandez
Teuta S. Nica G. Magani
Vllaznia A. Gjoka A. Cungu
Lushnja A. Bano H. Dedja
Ndeshjet-Java e 17-të
Datë 27 janar 2018
Vllaznia-Kukësi 14:00
Luftëtari-Skënderbeu 14:00
Partizani-Flamurtari 14:00
Teuta-Lushnja 14:00
Kamza-Laçi 14:00

RENDITJA 
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 16 37
2. Flamurtari 16 28
3. Laçi 16 27
4. Kukësi 16 25
5. Partizani 16 24
6. Kamza 16 23
7. Luftëtari 16 19
8. Teuta 16 15
9. Vllaznia 16 15
10. Lushnja 16 8