Agim Bulku, “kontratë” të përjetshme me futbollin!

1121
Nga Bujar QESJA
VLERËSIMI/ Bashkia i jep dekoratën “Mirënjohja e Qytetit të Durrësit”, njërit prej talenteve më virtuozë të topkëmbës shqiptare
E premtja e 7 korrikut 2017, do të mbetet një ngjarje e veçantë për Agim Bulkun, pasi Bashkia e qytetit të Durrësit i dha titullin e lartë: “Mirënjohja e Qytetit të Durrësit”. Dhe këtë gëzim të ligjshëm, emri i famshëm i futbollit durrsak dhe atij shqiptar, Agim Bulku, e ndau me familjen, miq dhe të afërm, kolegë e bashkëpunëtorë, kuadro e specialistë, por edhe me futbollistë bashkëkohës së tij. Agim Bulku është portreti më i spikatur i njeriut të formuar me edukatë dhe ndjesi qytetare, i nxënësit dhe studentit të përgatitur, i futbollistit plot talent e prestigj, i familjarit model, i babait të dhembshur dhe bashkëshortit ideal, i gjyshit krenar. Por mbi të gjitha, i një shqiptari të sprovuar, i një durrsaku që kurrë nuk bëri kompromis me emrin dhe fanelen që mbronte. Agim Bulku është fort i lakuar në mjedisin qytetar e futboll-dashës të Durrësit, dhe më gjerë. Me emrin e tij janë lidhur sukseset e Lokomotivës të viteve 70-të, por edhe të Shkëndijës së famshme të një brezi të papërsëritshëm, të krijimit të bazave të para të futbollit të moshave të inkuadruara në shoqata të pavarura sportive, dhe ai këtu është i pari, me arritjet e sektorit të kulturës fizike e sporteve ku ai drejtoi për disa vite, me kristalizimin e shkollës sportive “Bernardina Qerraxhia”, ku Bulku drejtoi edhe këtu për disa kohë, por mbi të gjitha, formimi i tij klasik qytetar e sportiv i dha shanse zhvillimit të futbollit durrsak në të gjitha kategoritë.

Kulturën sportive, së pari Bulku nga vetja e shtriu edhe tek familja e tij. Krah iu bë bashkëshortja ideale Çeljeta Bulku, pjesë e fisit të famshëm tiranas të Maçëve, një atlete kjo shumë e njohur. Më pas, sporti u bë pjesë e dy fëmijve si drita të Agim Bulkut: Geraldos dhe Vilmës. Djali një futbollist i shkëlqyer i ekipit Shpresa, dhe vajza kampione kombëtare në atletikë për garat e shkurtra. Në Shqipërinë e pas viteve 90-të, emigracioni u bë pjesë e jetës së mijëra shqiptarëve, ndër to edhe për familjen Bulku. Geraldo u përqendrua në Bolonja, ku falë aftësive të tij të lindura sportive dhe manaxhuese, edhe në biznes, sot është bërë një firmë e njohur. Krenaria për të është e pafundme dhe kjo e gëzon pa masë Agim Bulkun. Geraldo lidhi familjen me një vajzë të mrekullueshme nga Ukraina, dhe sot ka dy fëmijë, që të dy të lidhur ngushtësisht me sportin. Madje Nikol është edhe gjimnaste. Vilma, pasi mbaroi studimet e larta për shkencat motorike, u njoh dhe bashkëjeton me italianin Françesko, dhe ky një maratonist. E ku mund të gjesh tjetër një familje si kjo e Agim Bulkut, ku Evropa e Bashkuar, ku duhet të shkojmë është e pranishme, me italianë, ukrainas, shqiptarë, ku jetohet me djersën e ballit, ku të gjitha bashkëpunojnë, duke mos zbehur aftësitë individuale. Një familje në lëvizje, në sinkron me zhvillimet kapitaliste të tregut të lirë, por mbi të gjitha, një familje atdhedashëse, ku dashuria për tokën e të parëve është e pazëvendësueshme.

Karrierë “virtuoze”, nga starti në finish
Jeta e Agim Bulkut të detyron të gërmosh thellë në biografinë e tij dhe të ndjehesh komod për arritjen e një karriere të shkëlqyer sportive, nëpërmjet vështirësish të panumërta e kapërcimit dinjitoz të tyre. Bindjet për të guxuar në jetë, u kthyen në kod moral dhe përcaktues të karakterit njerëzor, të vetëmohimit dhe kurajës që të bëhet dikush, të qëndrojë dikush dhe të vazhdojë edhe më tej të mbetet dikushi. Moto e punës së Agim Bulkut mbetet: ti shërbejë shoqërisë me të gjithë aftësitë intelektuale, fizike dhe shpirtërore, pavarësisht nga kostoja e rriskut që kërkohet. Më parë, Bejto Sulo në Sukth, kur Agimi ndiqte arsimin tetëvjeçar, e më pas Muharrem Haxhiu në gjimnazin e Shijakut, nuk iu ndanë djaloshit për të ndjekur futbollin, pasi talenti dhe aftësitë e tij bënin dallim ndër moshatarët. Dhe Agim Bulku jo vetëm që nuk i harron mësuesit e tij të fëmijërisë, por shfaq hapur simpatinë dhe respektin e pamasë për punën frymëzuese që kanë bërë. Atyre ia dedikon nisjen e rrugës së bukur dhe ëndërrimtare të futbollit. Në shkollën e mesme të mjeshtërisë sportive në degën e futbollit, me emrin e famshëm “Loro Boriçi”, fillon të mësojë edukatën e topkëmbës edhe 16 vjeçari Agim Bulku në vitin 1967. Aventura e mrekullueshme tashmë kishte filluar për djaloshin fantazist, të cilit edhe në gjumë i shfaqej topi i futbollit, fushat e blerta, rrjetat e portave, publiku tek thërriste në kor emrin e tij, Me meritë të padiskutueshme rreshtohet për forcën e talentit dhe të mjeshtrisë, krahas emrave të paharruar si Agron Sula, Vasillaq Zëri, Astrit Hafizi, Milto Gurma, Leonidha Çurri, Arjan Hoxha, Petrit Gjoni, Gjergji Ballço, etj.
Mësues dhe trajner, dy pistat e jetës
Mendimi krijues i futbollistit teknik dhe improvizues, do të sinkronizohej dhe alternohej në periudhën 1974-1980 me brezin e dëgjuar të Lokomotivës së famshme të përbërë nga futbollistët Leshteni, Filiari, Hima, Kapidani, Jani, Likmeta, Dollaku etj. Dhe ai, Agim Bulku, do të mbetej kapitull i arrirë edhe i futbollit me tradita të qytetit bregdetar. Një jetë të të tërë me futbollin dhe pranë futbollit. Dita e 17 majit i vitit 1975, ka të veçantën e saj, sepse Agim Bulkut i jepet titulli “Trajner futbolli”. Drejton të rinjtë e Lokomotivës për tri vite, 1980-1982, duke mos iu ndarë detyrës si mësues i edukimit fizik, profesion të cilit i kushtohej pa masë. Personaliteti si futbollist, aftësitë organizative dhe profesionale si mësues dhe trajner, ia rritën reputacionin dhe i dhanë emër të mirë Bulkut në tërë komunitetin durrsak që e rrethonte. Ishte kjo arsye që djalit të njohur tashmë të Sallmones, t’i ofrohej detyra e numrit një të sportit dhe fizkulturës në rrethin e Durrësit, ajo e kryetarit të Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve. Dhe qëndroi në këtë detyrë nga vitit 1983 e deri në 1990, duke arritur suksese të ndjeshme edhe në këtë sektor të vështirë. Nga cilësitë më të veçanta të shkëndijasit të papërsëritshëm, mbeti dhe vazhdon të mbesë edhe në vazhdim, të mos kënaqurit me ato çka arritur, por të punojë e studiojë vazhdimisht. Në janarin e vitit 1996 mbaron kursin e kualifikimit për trajner futbolli, në të famshmen Koverçianon italiane. Detyra e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së deri në vitin 2001,e përgjegjësit të zonës nr. 3 për futbollin e fëmijëve dhe të rinjve, drejtor i shkollës së mesme kombëtare të mjeshtërisë sportive “Bernardina Qerraxhia” në Durrës, i vënë kapakun agazhimeve të mëdha e të rëndësishme për sportet, dhe veçanërisht për futbollin të Agim Bulkut, i cili edhe pas kësaj punon, studjon, eksperimenton duke akumuluar bagazh të pasur teoriko-praktik dhe shkencor.
Gjykuam se do të linim diçka pa treguar, në mos plotësisht, por vetëm në pak radhë atë mirënjohje të madhe që reflekton në opinionin qytetar për punën e jashtëzakonshme që kryen Agim Bulku me futbollin. “Mirënjohje” është fjala më e lakuar në këtë 25 vjetor të Tropikalit. Djaloshi i djeshëm 9-vjeçar, sot është rritur dhe, jo vetëm në moshë, por edhe në mendim e psikologji, cilësi e nivel. Demonstron cilësisht 25 vite punë, lodhje, përpjekje, pasion dhe përkushtim. 
Materiali u përpunua dhe u redaktua nga gazeta “Telegraf”
Sigal