Të rinjtë në ambasadën Gjermane na kujtojnë korrikun e ’90-s

579
Sigal

Të rinjtë shqiptarë duan të ikin. Ambasada gjermane na kujton korrikun e viteve ’90

 

Lajmi nga Gjermania, se tregu i punës ka nevojë për krah pune dhe konkretisht në disa profesione të caktuara ka bërë që në derën e ambasadës së Gjermanisë në Tiranë të dynden çdo ditë qindra shqiptarë, shumica të rinj. Këta janë të rinj, që ndonëse të diplomuar, të kualifikuar, e kanë humbur shpresën se në Shqipëri mund të punojnë, se në Shqipëri mund të jetojnë, prandaj kërkojnë një rrugëdalje nga pasiguria dhe mjerimi ekonomik. Gjatë 4 viteve të fundit nga Shqipëria janë larguar më shumë se 400.000 shqiptarë dhe ky migrim masiv të kujton Shqipërinë e 1991-shit, ku qindra mijë shqiptarë u dyndën në dyert e ambasadave në Tiranë dhe drejt kufijve të Shqipërisë me Italinë dhe Greqinë, për të migruar. Sot shkaku i këtij migrimi masiv të shqiptarëve është keqqeverisja e Rilindjes Socialiste, korrupsioni i madh dhe i pandëshkuar, që ka bërë krijimin e një oligarkie të re dhe varfërimin ekstrem të popullit. Fotot më poshtë tregojnë më shumë se fjalët se si të rinjtë shqiptarë duan të largohen nga vendi. Dhjetëra prej tyre presin përgjigje për viza, për të gjetur një punë në Gjermani. Situata është e tillë thuajse çdo ditë. Të gjitha sondazhet e organizatave vendase dhe të huaja kanë nxjerrë se në masë të madhe shqiptarët duan të largohen në emigracion për një jetë më të mirë. Mbi 84 % e shqiptarëve duan të largohen nga Shqipëria, 5do vit mbi 300.000 shqiptarë aplikojnë Lotarinë Amerikane. Në vitin shkollor 2018-2019 u regjistruan në shkollat parauniversitare të Shqipërisë 11.000 nxënës më pak, dhe shkaku kryesor i këtij pakësimi shqetësues të nxënësve në shkollat e Shqipërisë është migrimi masiv i familjeve shqiptare. Shqipëria sot zë vendin e dytë në Botë për nga numri i azil-kërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian dhe krahasohemi me vendet e luftës, sikurse Siria. Paralelisht, të dhënat e INSTAT tregojnë që shtesa e popullsisë së Shqipërisë është zero, çfarë tregon qartë që, nëse vazhdojmë me këtë rritëm, në një të ardhme të afërt, Shqipëria do të shkretohet nga mungesa e popullsisë.

Ndërkohë, që qeveria e Rilindjes Socialiste nuk shqetësohet aspak për migrimin masiv të Shqipërisë. Madje, kryeministri Rama, i pyetur pikërisht për migrimin masiv të shqiptarëve, edhe nga televizionet e Francës dhe Gjermanisë, është përgjigjur se atë dhe qeverinë e tij nuk e shqetëson aspak migrimi masiv i shqiptarëve, sepse ky është një fenomen që ndodh edhe në vendet e tjera të Evropës, duke përmendur Kroacinë, Italinë, dhe se shqiptarët, sipas kryeministrit Rama largohen nga Shqipëria sepse kanë pretendime më të mëdha për një jetë më të mirë dhe jo, sepse nuk kanë punë në Shqipëri.