Pas kokainës së kapur në Pire, fshihen trafikantët shqiptarë

505
Sigal

Mediat greke plasin bombën: Shqiptarët pas kokainës së kapur në Pire.

Dy kontejnerë kaluan nga Durrësi

Nuk ishte një rastësi që 613 kg kokainë u sekuestruan në një kontejner me banane në portin e Durrësit. Shqipëria është bërë depoja e kokainës që vjen nga Amerika Latine në Evropë, dhe nga Shqipëria kokaina trafikohet nëpër Evropë.

Gazeta greke “Protothema”: Shqiptarët janë trafikantët e 580 kg kokaine në Pire

Gazeta “Protothema” ka publikuar dje një artikull lidhur me sekuestrimin e 580 kg kokainë disa ditë më parë në portin e Pireut, një ngjarje e cila ka mbetur ende në mjegull dhe me informacion të cunguar pasi hetimet vijojnë intensivisht në sekret të plotë. Megjithatë, në shkrimin e djeshëm, zbulohen detaje të reja mbi ngjarjen e bujshme. “Të dhëna të tjera në rrugët ndërkombëtare të kokainës, krijoi zbulimi i 580 kg kokainë të pastër brenda 12 kontejnerëve me banane në portin e Pireut. Shërbimet greke dhe të huaja po hetojnë seriozisht faktin që Greqia të jetë futur në shënjestrën e karteleve latino-amerikane, që të dërgojnë në portet greke ngarkesat me “zonjën e bardhë” që ajo më pas të shpërndahet në Evropë. Një ngjarje që siç thonë drejtues të lartë të policisë, ka të bëjë me faktin që në 2018, policitë evropiane sekuestruan në portet e Belgjikës dhe Holandës, sasi të mëdha kokaine nga Ekuadori që i tejkalonin 50 tonët. Kështu, mafiozët, në bashkëpunim të ngushte me trafikantë të mëdhenj shqiptarë të kokainës, duke kërkuar për rrugë të reja, vunë Greqinë në kornizë, por sekuestrimi i qindra kilogramëve kokainë me vlerë miliona euro, u prishi planet. Në të njëjtën orë, pas zbulimit të 580 kg kokainë dhe arrestimit të katër personave, policia, kufiri, dogana dhe anti-krimi ekonomik, kërkojnë pronarët e mëdhenj që fshihen pas sasisë së sekuestruar në portin e madh. Madje, fakti që dy kontejnerë ikën nga Pireu në Durrës, kombinuar kjo me informacionin e ardhur në zyrat e drejtuesve të policisë, të çon në dyshimin se pas trafikut fshihen shqiptarë që jetojnë në Greqi. Kur gushtin e kaluar, autoritetet greke zbuluan 52 kg kokainë në sektorin e ftohjes së një kontejneri me banane në portin e Selanikut, u vendos që të hetohej më thellë çështja pasi “burimet” thoshin se kjo sasi ishte pjesë e një sasie më të madhe që drejtohej për në Greqi. Duke ndjekur kontejnerët konkrete, kishin informacionin se sapo porositësit të merrnin bananet dhe kontejnerët të shkonin në vend të kontrolluar, do shfaqeshin trafikantët që do nxirrnin kokainën nga sistemi i ftohjes. Por ditët kalonin, askush nuk u shfaq dhe policia vendosi ta nxirrte vetë drogën. Në vazhdim nisën një hetim të thellë duke vendosur në mikroskop gjithë kontejnerët që vinin në Pire duke përdorur kritere dhe filtra të veçantë që duheshin kontrolluar. Kështu pas skanimit, u arrit në 100 kontejnerë të dyshuar, për të arritur në 12 që përmbanin 580 kg kokainë të pastër. 4 të arrestuarit, d.m.th., shoferi i kamionit që do transportonte kontejnerët, agjentja doganore, drejtori i firmës së bananeve dhe importuesi i madh, u lanë të lirë. Oficeret e policisë përpiqen të kuptojnë, nëse kanë lidhje me çështjen apo kanë rënë viktima të kartelit, ndërkohë që paralelisht kërkojnë kokat e mëdha. Kërkimet e deritanishme treguan që më shumë mundësi pas çështjes fshihen mafiozë shqiptare që jetojnë në Greqi, por kontrollojnë gjithë lojën evropiane të drogës dhe kane dërguar përfaqësues në Amerikën Latine, patriotë të tyre. Sekuestrimet vitin e kaluar në Anverse dhe zbulimi në kontejnerë në total i 50 ton kokaine, bëri që karteli të kërkojë rrugë të reja që të sjellë kokainë në Evropë. Informacionet thonë që në fillim baronët zgjodhën ishullin e Maltës dhe madje prillin e kaluar autoritetet zbuluan ne dy kontejnerë me banane që erdhën nga Ekuadori, 144 kg kokainë të pastër. Kjo sasi do të përfundonte në Durrës të Shqipërisë dhe në Malin e Zi. Sekuestrimi duket se i shqetësoi Escobarët shqiptarë që kërkonin rrugë të reja dhe kështu përfunduan në portin e Pireut dhe Selanikut.