Enver Cakaj: Për mikun tim Asllan Musai

1316
Sigal

Nëse ka vërtet drejtësi në botë, më i drejti ishte Ai. Nëse ka njeri më të thjeshtë kjo jallane, ishte vetëm Ai. Nëse ka punonjës shteti me kulturë pune e njerzillëku, nuk kishte tjetër veç Asllan Musait. Të bënte mik në mes të rrugës, po dhe të linte në mes të rrugës nëse ja kishe me hile. Kjo ndërgjegje e përkushtim u bë shkak, që ai ishte njeri i zgjedhur në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë.

Na qëlloi të dyve të vuanim spitaleve. Ai doli para meje jashtë shtetit dhe kur u kthye u takuam të dy në Spitalin nr.2 në Tiranë. Unë isha në onkologji, ai në kirurgji, në një dhomë të veçantë. Atje më foli për sëmundjen e tij dhe politikën italiane: “Ne kemi folur për kapitalizmin nëpër forma edukimi, po unë e pashë kapitalizmin me sy!” Kur ishte kryetar i bashkimeve Profesionale të rrethit, në sistemin ku punoja unë kishte një problem me dy punonjëse. Në të vërtetë ato nuk vareshin nga unë, po lekët ua paguante llogaria ku isha unë. E kam ende në vesh atë zërin e tij që më telefonoi; “I dashur Enver, nëse nuk të prishet punë dil një herë nga zyra ime!” Tani m’u kujtua një telefonatë e Sekretarit të Parë, brutale, që ditën e parë që u emërua në Skrapar: “Hajde këtu!” ishte një thënie tepër brutale, që nuk mund ta harroj kurrë. Miku im Asllan më priti në këmbë te dera e zyrës siç i takon një njeriu të njerëzishëm: “E di që nuk ka lidhje me Ju problemi, po unë të kam kërkuar si mik, që të merreni me problemin e tyre, se janë përfaqësues të klasës punëtore me të cilët ne mburremi.” Ai njeri ta impononte dashurinë dhe respektin. Si mund t’ia prishja unë atij njeriu, që reflektonte kulturë dhe dashuri njerëzore? Nuk ishte ndonjë gjë që s’bëhej, thjesht punë tekash dhe bërrylash. E lashë punën time për nder të atij burri dhe e zgjidha që atë ditë, për të cilën i telefonova. Atëherë më ftoi të pinim kafe, po unë nuk munda të vija. E pimë njëherë tjetër. Pas tij dola dhe unë jashtë shtetit për mjekime, po nuk isha në gjendje të dilja e të shikoja jetën e tyre, por të paktën unë atje gjeta shërim të plotë. Kur u ktheva mora lajmin e hidhur, se i miri dhe i ndjeri Asllan Musai kishte ndërruar jetë!

Kam qarë për atë njeri dhe kam shkruar, po veprimtaria e tij nuk mund të mblidhej vetëm në një shkrim. Sa herë vete në varrezat publike në Çorovodë i shpie ndonjë tufë lule. Kam dashur të shkruaj më gjatë për të, po… Ku ta dish, edhe mund të shkruaj. Mos u harroftë në jetë të jetëve ai njeri i rrallë!