Kur përkujtojmë “Ditën e Mësuesit”

597
Sigal

7 Marsi vjen edhe këtë vit i mbushur me befasi të këndshme. Krahas urimeve, luleve e respektit të pafund që shpërndahen në këtë ditë të shënuar e shumë të bukur edhe natyra bëhet më bujare, moti ngrohet dhe sjell bashkë me to, për secilin prej nesh ndjesinë mirënjohjes për mësuesit tanë kudo ku jetojnë shqiptarët!

Çdo vit festohet 7 Marsi- Dita e Mësuesit, që na përkujton ditën kur më 7 mars 1887, u hap në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe. Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj.

Në këtë ditë të rëndësishme të arsimit shqiptar, kujtojmë me respekt të thellë veprën e ndritur të mësuesve dhe patriotëve të shquar, që punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha, për zhvillimin e arsimit kombëtar.

Na mësuan poezitë e bukura të autorëve tanë të mrekullueshëm që çdo fjalë e varg i saj të mbetet e të ngulitet thellë në mendjet tona.

Me aq dashuri e respekt janë sjellë me ne për të na mësuar e formuar  me vlerat më të spikatura të shqiptarisë si humanizmi, ndershmëria, përkushtimi dhe bujaria. Mësimet e mësuesve tanë u bënë udhërrëfyes për rrugën e jetës në të  ardhmen.

Ato mësime na ndjekin edhe sot që kemi dalë në jetën tonë të pavarur. Le t’ua dedikojmë suksesin tonë në jetë mësuesve tanë.

Gazeta “Telegraf” me rastin e festës Kombëtare të 7 Marsit, uron gjithë mësuesit Gëzuar Ditën e Mësuesit!