Mësues Ali Bregu/ Për Çorovodën dhe Skraparin

387

Ali Bregu (mësues dhe drejtor shkolle 1962-1971­)

Porsi gurgullimë lumi,

Malli im vërshon nga larg,

Si ndër kanione Osumi,

Për t’u çlodhur në çdo prag.

 

Ti zë fill ku rrjedh “Guhak”-u.

Lartohesh ku shfaqet dielli.

Këmbët lan me ujë Osumi,

Sytë me kaltërsi qielli.

 

Çlodhem pranë Riza Cerovës.

Kujtoj bijtë e tu të ndjerë,

Mullixhiun e Sharovës*,

Demir Zykon e të tjerë.

 

Mestan trimin, luftëtarin,

Gjith’ martirët e lirisë,

Xhelal trimin, firmëtarin,

Krenari e Shqipërisë.

 

Xha Rizanë, trim me famë,

Estref Cakën e Osojës,

Tekiun e Kahremanë,

E të gishtit, e të gojës.

 

Kujtoj Ferit kapedanë,

Sypatrembur e të besës,

Tefik e Tajar, luanë,

Krenaria e Vendreshës.

 

Gjithë ata njerëz punëtorë,

Të zgjuar, etur për dije,

Që na mëkuan çdo orë,

Veç me fjalë mirësie.

 

Me gjith’ shpirt e me gjithë zemër

Flas me zë e flas me letër,

Me të gjithë emër për emër

Dhe Xhevon* si askush tjetër.

 

Uji rrjedh nga Qaf’ e Martës

Gjithë potere- gurgullime,

Është mesazh i Lace Backës,

Kënga jote për lavdinë.

 

Këng’ e re, raki e vjetër,

Ku rrojnë njerëz bujarë,

Ku Iljazi* ka shtëpinë,

Malli për ju ç’më ka marrë !

 

Për ju ku kokën mbështeta,

Porsi në prehër të nënës

Dhe në zemrat tuaja mbeta,

E mësues, edhe nxënës.

 

Bëj të rri, më nuk rri dot,

Bëj të ik, ti më mban pranë.

Të uroj për jetë e mot:

“Veç për mirë ta ndjefsha zënë!”

 

Shënim :

1-Mullixhiu i Sharovës, është pseudonimi i Heroit të Popullit, Zylyftar Veleshnja .

2-Iljazi -Shkrimtar humorist nga Skrapari

3-Xhevon- Xhevair Spahiu, poet i madh dhe “Nder i Kombit” .