Katedra e Gjuhës Shqipe në Amerikë

873
Sigal

Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.

Më 15 mars 1991 Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën marrëdhëniet diplomatike, domethënë normalizohen këto marrëdhënie, që ishin prishur para 52 vjetësh kur Italia pushtoi Shqipërinë.

Kjo ishte fitore historike për Shqipërinë që sapo kishte hedhur hapin e parë drejt shoqërisë pluraliste demokratike. Në vitet që erdhën me pranimin e Shqipërisë në NATO, SHBA do të bëhet faktori kryesor strategjik i Shqipërisë demokratike.

“Edukimi në gjirin e klasës punëtore”!

Kisha 2-3 vjet që isha larguar nga shkolla mekanike e mbrëmjes në Kombinat ku isha dërguar për edukim në gjirin e klasës punëtore dhe isha nën vëzhgimin dhe ndjekjen e Sigurimit të shtetit si “agjent i imperializmit amerikan”. Jo vetëm unë por e gjithë familja ishte dënuar: vajzën e madhe, Albana, që kishte përfunduar me rezultatet “Shkëlqyer” studimet për mjekësi e dërguan të punonte në fshatrat e Kukësit, ndërsa gruaja u propozua të punonte në prodhim. Ishin vite të vështira dhe shumë të vështira psikologjikisht. Miq, shokë, të njohur dhe të afërm nuk më flisnin dhe ndërronin rrugën. Brenda një jave u thinja, u mpaka dhe u plaka nga stresi dhe izolimi.

Publikisht kam deklaruar se pavarësisht nga këto vuajtje nuk e kam mbajtur dhe nuk e mbaj veten as si viktimë dhe as si hero, se do të lëndoja dhe fyeja qindra e qindra shqiptarë që lindën dhe u rritën në burgje dhe kampe internimi, mes torturash të pamasa fizike dhe psikike. (Agron Fico: Gazeta “Illyria”, nr. 1593, datë 27-30 tetor 2006, f. 28.)

Diplomatët amerikanë mësojnë shqip

Viti shkollor 1990-1991 më gjeti në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, kështu u quajt ish-muzeu kushtuar Hoxhës. Në këtë Qendër hapa një kurs të mësimit të gjuhës shqipe për të huaj. Isha me fat se të parët që u afruan për mësimin e shqipes ishin pjesëtarë të personelit diplomatik të ambasadës amerikane. 

E para dhe këmbëmbarë ishte diplomatja e karrierës Jackie Muller, me të cilën më vonë u bëmë miq dhe këtë miqësi e vazhdojmë edhe sot në ditët tona. (Shih esenë “Jackie Muller dhe reforma në drejtësi” te libri Me hapin e Kohës, Agron Fico, Tiranë 2018.) 

Pas zonjës Muller erdhën edhe diplomatë të tjerë, si Paul M. Mussen, Philip Laidlow, Synthia Caples, Kevin Walker e të tjerë. Numri i pjesëmarrësve amerikanë u rrit dhe përfshiu edhe mjaft misionarë të tipit batist, si edhe profesorin Frank Dalton, i cili e mësoi shpejt shqipen, aq sa arriti në vitin e dytë t’i jepte në gjuhën shqipe leksionet në Fakultetin Juridik.

Njohja nga afër e këtyre qytetarëve amerikanë më dha mundësinë të ndryshoja mendimin nga boria e propagandës socialiste të atyre viteve për Amerikën dhe amerikanët. Ata ishin njerëz të lirë, të drejtpërdrejtë dhe mbi të gjitha tepër humanë, njerëzorë, ndryshe nga tipi ynë shqiptar, robot, i përulur dhe i frikësuar. I standardizuar nga 10 kërkesat e moralit komunist.

Tradita e mësimit të shqipes në rrafsh akademik

Tradita e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat e larta dhe në universitete të Amerikës është e hershme. Si një nga gjuhët e familjes indo-evropiane ajo ka depërtuar edhe në sferat e larta të botës akademike.

Në rrjetin e shkollave të larta të Amerikës vendin e nderit, nga pikëpamja kronologjike për mësimin e gjuhës shqipe, e zë Universiteti Columbia në Nju Jork. Atje shqipja hyri në programin mësimor të gjuhëve të huaja më 1932. Si profesor i kursit u emërua Nelo Dizdari, i cili ishte diplomuar në Columbia si gazetar.

Kjo ngjarje pati një farë peshe, sepse gjeti vend në faqet e gazetës famëmadhe “NewYork Times” (6 mars 1932), e cila shkruante: “Në sesionin e pranverës Columbia do të ofrojë një kurs në gjuhën shqipe, i pari kurs nga sa dihet në një universitet amerikan ose anglez. Mësuesi do të jetë Nelo Dizdari i lindur në Shqipëri. (Peter Prifti: Mozaik shqiptar, Buzuku, 2003, f. 195-196.)

Kurse akademike të shqipes ka pasur dhe ka edhe sot në Universitetin e Çikagos, në shtetin Illinois, ku kanë punuar figura të kalibrit të lartë si profesorë të shqipes, si Eric P. Hemp, Kosta Kazazis dhe Victor A. Friedman.

Me profesor Friedman-in u takuam në një kongres ndërkombëtar në Tampere, Finlandë, (29 korrik – 3 gusht 2000) ku ai mbajti kumtesën “Disa veçori të habitores në gjuhën shqipe”.

Një klasë për gjuhën është hapur në Universitetin e Kalifornisë ,në San Diego në vjeshtë të vitit 1976, ku jepnin mësim Peter Prifti dhe Leonard Neumark. 

Gjuha shqipe në Amerikë pas pluralizmit demokratik në Shqipëri

E para katedër e gjuhës shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, u hap në shtetin e Miçiganit në vitin 1996.

Bashkëpunëtori dhe sekretari i Fan Nolit, Profesor Peter Prifti, e përshëndeti këtë ngjarje të shënuar në një shkrim, ku midis të tjerash shkruan: “Një qendër e re për mësimin e gjuhës dhe kulturës së shqiptarëve u themelua kohët e fundit në Miçigan… Themeluesi dhe drejtuesi i qendrës është Prof. Dr. Agron F. Fico, me origjinë shqiptare, i njohur si gjuhëtar dhe folklorist… Aktualisht ai është duke ngritur një Qendër Albanologjike, e cila synon të bëhet një magnet i fuqishëm për shqiptarët dhe amerikanët, si një model për qendrat e tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” (Peter Prifti: Mozaik shqiptar, 2003, f. 199.)

Studentët amerikanë, të lirë, të drejtpërdrejtë dhe plot energji jete ndikuan që si profesori i tyre edhe unë të ndiqja ritmin e tyre. Kështu kur shpjegova temën “Vallet popullore – shprehje e kulturës artistike të vetë popullit” ndoqa një mënyrë tjetër shpjegimi. Shkrova më parë në dërrasën e zezë vargjet:

Tafil e Gjolekë di,

Bobo ç’ qenkan të këqij,

Luftuan për Shqipëri.

Hoqa xhaketën dhe në reflektim të një incizimi të kësaj valleje në Horë të Vranshtit më 1967 kërceva dy-tre hapa, duke e shoqëruar edhe me këngë.

Ndodhi çudia. Studentët hipën mbi karrige dhe shikonin se si në pak minuta profesori i tyre ishte kthyer edhe në valltar.

Orët e mësimit me studentët amerikanë kishin mjaft dinamizëm dhe kërkohej një përgatitje serioze, sepse ata i ndiqnin informacionet për gjuhën dhe kulturën dhe bënin pyetje ose shtronin çështje për diskutim, si p.sh.: “Si vepron ose zbatohet koncepti ‘besa shqiptare’ në ekonominë e tregut ku çdo gjë është kthyer dhe vlerësohet kryesisht dhe vetëm në para?!”

Punimi i studentit afrikano-amerikan William Tito

Të paharruara më kanë mbetur në kujtesë marrëdhëniet me studentin afrikano-amerikan William Tito. William-i banonte larg nga fakulteti, në Detroit, një orë e ca rrugë me makinë, që në kohë dimri me borë dhe furtunë shkonte edhe më shumë. Në Miçigan në dimër binte shumë dëborë dhe bënte ftohtë. William-it i qëllonte të vinte shpesh me vonesë, e kuptueshme për largësinë dhe motin. Një ditë erdhi pothuajse nga fundi i leksionit. Hyri pa u ndjerë dhe unë nuk i thashë asgjë.

Në fund të leksionit e thirra dhe e pyeta. William Tito, ai student dhe njeri i mrekullueshëm, përmes lotimit më shpjegoi se nëna i vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe atë mëngjes ishte bërë keq dhe atij i ishte dashur të fliste me mjekun. U trondita pa masë. M’u kujtua nëna ime shumë vjet më parë kur isha emëruar mësues në gjimnazin e Gjirokastrës dhe më duhej të kujdesesha edhe për nënën, që vuante si nëna e William-it.

Nuk do të kishte kaq rëndësi për lexuesin sa më sipër sikur të mos tregoja se William Tito në provimin përfundimtar bëri një befasi shkencore. Në tezën e provimit me shkrim “Gjuha dhe kultura shqiptare në larminë e tyre” ai paraqiti një figurë ku në qendër ishte vendosur shtiza e flamurit kombëtar shqiptar dhe ngjitur me të dy njerëz me veshje toske dhe gege me kryet si dy shqiponja. (Shih figurën.) Më vlejti shumë qëndrimi dhe shembulli i studentit afrikano-amerikan William Tito dhe me të u bëra mik. Sa herë që shkoja nga Nju Jorku në Miçigan e takoja, hanim drekë bashkë dhe bënim edhe ndonjë fotografi.

Kishte ndodhur që gjatë një leksioni për kulturën shqiptare të largoja një studente nga ora e leksionit, se e kishte tejkaluar lirinë e saj studentore. E kuptova se edhe mund të isha treguar më i duruar, por u bë dhe nuk zhbëhej më. Erdhi dita e provimit me shkrim dhe ndodhi një ngjarje befasuese. Studentja kujdestare, që binte në sy për mprehtësinë dhe hijeshinë, kërkoi të fliste para se të shpërndaja tezat e provimit. për një çast mendova se do të shprehte ndonjë mendim kritik për punën dhe sjelljen time. Ndodhi e kundërta. Ajo foli shkurt, vlerësoi leksionet e zhvilluara dhe shtoi se “Ne do ta shprehim këtë edhe në anketën e dekanatit”. Më dorëzoi një kartolinë me firmat e studentëve (duke përfshirë edhe atë që kisha larguar nga leksioni) dhe më dhuroi një orë xhepi antike. Pas kësaj ajo shpërndau nga një fletë-palosje që studentët të shprehnin mendimin për mësimin dhe pedagogët, sipas disa pyetjeve si: cilësia e mësimit, vlerësimi, etika e pedagogut etj. me treguesit “shumë mirë”, “mirë”, “mjaftueshëm” dhe “pamjaftueshëm”. Studentët i plotësuan dhe përgjegjësja e kursit i mblodhi dhe i futi në një zarf, që e vulosi dhe e shpuri në dekanat.

Ashtu siç vinte në dukje Profesor Peter Prifti në mendimin e shprehur më lart, kjo katedër e gjuhës dhe kulturës shqiptare pati jehonë edhe në gjirin e bashkësisë shqiptare në Miçigan. Çdo vit, në muajin mars organizonim një seminar me pjesëmarrjen edhe të mjaft shqiptarëve që banonin në këtë shtet, me sesione shkencore, aktivitete artistike dhe donacione për studentët.

Ndofta nga prurjet më me rëndësi të kësaj katedre ishte se punoi dhe solli studentë shqiptarë nga Shqipëria që të studionin në Amerikë. Erdhën disa grupe. Ata studiuan fort dhe sot janë në sektorë të ndryshëm punësimi në Amerikë. Kjo ishte një arritje e dobishme që u pasurua më vonë edhe me nisma të tjera, të cilat fatkeqësisht i kthyen në biznese për përfitime vetjake..

Pasaporta e punës së nderuar

Përfshirja në botimin e vitit 2000 Who’s Who Among America’s Teachers (Kush është aksh mes profesorëve të Amerikës) ishte jo vetëm një surprizë, por edhe një nderim i arritjeve mësimore-shkencore e publike. Shokë e miq u gëzuan dhe më uruan me letra, telefonata e telegrame.

Masmedia i bëri jehonë kësaj ndodhie. Në një shkrim me titull “Harrohet në Shqipëri dhe vlerësohet në Amerikë”, botuar te gazeta “Republika”, thuhej: “Prof. Dr. Agron F. Fico është përzgjedhur të përfshihet në botimin “Who’s Who të mësuesve të Amerikës” për vitin 2000. Ky është një nder që i bëhet kulturës sonë kombëtare, por edhe një kënaqësi e pamasë për ata që e njohin nga afër kontributindhe vlerat e tij… Madje dihet se vetëm 2.5% e mësuesve të shquar amerikanë në shkallë kombëtare nderohen në këtë botim…”

Ndërsa gazeta “Albania” artikullin e vet e titullonte “Profesor Fico ndër profesorët më të mirë në SHBA për vitin 2000”.

“Urime për përfshirjen në “Who’s \Who të profesorëve amerikanë për vitin 2000”. Ky është një nder që nuk arrijnë ta marrin ndonjëherë shumica e profesorëve amerikanë që japin një jetë të tërë mësim nëpër universitete. Kënaqem shumë që e merituar këtë nder.” – më shkruante drejtori i World English Institute Richard N. Ady. (Agron Fico: Profesor në tre kontinente, Nju Jork, 2004, f. 227.)

Shekulli i XX po i mbyllte fletët e fundit të kalendarit të vet; njerëzimi po hynte në një shekull të ri plot shpresa dhe ëndrra.

Ndihesha i gëzuar se po hyja në të me pasaportën e punës së nderuar.