Halil Bregasi: Lufta heroike dhe 75-vjetori i Çlirimit të Sazanit

167

Nëse Vlora e pa ditën e çlirimit më 15 tetor 1944, Ishulli i Sazanit u arrit të çlirohej natën e 21 – 22 tetorit.

Lufta heroike dhe 75-vjetori i çlirimit të Sazanit

Halil Bregasi

 

Në përgjithësi, por veçanërisht ata që antifashizmin e Luftës së Dytë Botërore e kanë konsideruar si gjënë më të shenjtë dhe epopenë më të lavdishme të popullit shqiptar, presin si në ankth, ta festojnë ditën e çlirimit me sa më shumë madhështi e gëzim. Por që të vinte ajo ditë, përpara saj, me ditë, javë e muaj, u realizuan çlirime në pjesë të veçanta të vendit tonë dhe në çdo qytet, krahinë, apo dhe vende të veçanta, kanë filluar qysh herët të festojnë ditët e çlirimit.  Në këtë kuadër, mendoj se duhet të veçohet, çlirimi i Ishullit të Sazanit. E them këtë, mbasi, ashtu si çdo pëllëmbë e tokës tonë që është lakmuar nga të huajt, Ishulli,ka qenë që në kohët më të vjetra i tillë. Po të njihet historia e tij, kuptohet se sa i rëndësishëm ka qenë dhe është ajo pikë kyçe, jo vetëm për të hyrë në Vlorë, por edhe për Kanalin e Otrantos. Nëse Vlora e pa ditën e çlirimit më 15 tetor 1944, Ishulli i Sazanit u arrit të çlirohej natën e 21 – 22 tetorit. Ashtu si në të gjitha vendet historike, veteranët e pasardhësit e tyre vendosin buqeta me lule, edhe aty duhet të vendosen të tilla, në përkujtim të atyre që me trimëri të rrallë, i kapën në befasi dhe i asgjësuan pushtuesit nazistë. Po, a mundet të arrihet kjo? Në se në çdo vend vete makina dhe këmba e njeriut, atje nuk shkohet veçse me mjete lundruese, të cilat jo kurdo gjenden.

            Disa të dhëna nga historia e atij ishulli

Ai përmendet qysh nga shek.VI para Krishtit dhe ai shënohet nga mjaft gjeografë grekë e romakë me emrin Sason. Një kohë të gjatë ka qenë nën zotërimin e Venedikut, më vonë, në kohët e reja u pushtua nga anglezët, por në shek. XV, me pushtimin e vendit tonë prej osmanëve, u pushtua prej tyre. Gjatë luftërave ballkanike u pushtua nga Greqia, të cilën e detyroi të largohej prej aty Konferenca e Ambasadorëve e 1913-s. Gjatë Luftës I Botërore u pushtua nga Italia që e mbajti deri në shtator 1943 kur Shqipëria u pushtua nga gjermanët. Më 22 tetor 1944 u çlirua nga partizanët.

Për qenien e vendbanimit flitet në dokumentet osmane, regjistrimi i vitit 1431 , ku gjejmë dhe emrin e fshatit Sebep. Ka të dhëna në vitin 1780 kishte 47 shtëpi si dhe kishën e Shën Kollit. Ky fshat kishte një flotë detare me 34 anije dhe bënte tregti me Brindisin, Venecian, Triesten, Dubrovnikun, Spanjën, Francën, Egjiptin, Maltën, Ulqinin, Prevezën, Himarën, Vlorën dhe Durrësin. Pra, kanë qenë detarë të zot. Në fillim të shekullit XIX, Ali Pashë Tepelena nisi të ushtronte pushtetin e vet në krahinat vetëqeverisëse, si Himara, Suli, Labëria dhe gjer në ishullin e Sazanit. Ekspeditat e Pashait të Janinës ndeshën në rezistencën e banorëve të Himarës e të ishullit të Sazanit. Qëndresa e banorëve të Sebepit zgjati 8-9 muaj, por zemërimi i Pashait të Janinës bëri që ta rrafshonte këtë vendbanim të lashtë. Sipas studiuesit italian Antonio Baldaçi, thuhet se kur piratët e Ali Pashës shkatërruan fshatin Sebep, 13 familje u internuan në Salahorë të Greqisë, të tjerët gjetën strehim në lagunën e Vlorës, sidomos në manastirin e Zvërnecit, ku formuan ato pak fshatra, duke ruajtur fenë dhe gjuhën e baballarëve. Flitet se turqit kanë mbajtur në Sazan shumë anije dhe kanë tentuar të shkojnë deri në Pulja e Kalabri. Për jetën dhe banorët e Sazanit ka shumë dëshmi, qoftë nga arkiva e Venedikut, por edhe për vitet 1200 – 1300 ku flitet për punën e ndërtimit të kështjellës atje. Lidhja e ishullit me tregtinë që bëhej e cila ishte e rrezikuar nga piratët, ka kërkuar që të kishte sa më shumë anije për mbrojtjen e ishullit.  Shumë autorë italianë kanë shkruar për jetën në ishullin e Sazanit, ku më interesantja është jeta e një familjeje fotografitë e së cilës gjenden tek libri i Catherine Gerardi: “Ishulli i Rinës – Rikthim në Sazan”. Gjiri i Shën Kollit, që ishte gjiRI ku ndodhet dhe porti i vogël, ishte vendbazimi i Flotës Detare Luftarake, përjashtuar nëndetëset. Aty në portin e vogël filloi të gjallërohet jeta mbas viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur ishulli u kthye në një bazë ushtarake detare, deri sa u arrit që ishulli të konsiderohej bunker, në fund të viteve 1980. Në vitin 1965, atje kishte rreth 60 familje dhe ato erdhën duke u shtuar. Deri në vitin 1964 aty ishin të bazuara: 6 katera silurues; 6 Minaheqëse të vogla; 2 Minaheqëse të mëdha; 4 Gjuajtës detarë të mëdhenj; artileri bregdetare dhe kundërajrore; kompani e grupe speciale. Mbas vitit 1968 sasia e katerave silurues u rrit deri 12 të tillë, ndërsa me krijimin e Bazës së Durrësit, anijet e mëdha u ndanë në dy pjesë të barabarta. I shkrova të gjitha këto, për të treguar se ai ishull ka qenë e duhet të jetë i rëndësishëm për Shqipërinë. Ne që kemi lënë pjesën më të bukur të jetës, rininë tonë dhe bashkë me familjet tona kemi lënë edhe djersën për ta ruajtur e mbrojtur atë si gjënë më të shenjtë të atyre që e çliruan, kemi jo vetëm nostalgji,por edhe detyrimin që të vendosim një tufë me lule, atje ku është përjetuar ajo luftë për çlirimin e tij. Lufta e Dytë Botërore i ndau shtetet dhe njerëzit në dy grupime: profashistë dhe antifashistë, pra o kundra fashizmit që ishte aleanca e më të mëdhenjve, si: SHBA, Angli, Rusi, të mbështetura edhe nga shtete të tjera më të vegjël siç ishte Shqipëria, ose përkrahës e bashkëpunëtor me fashizmin, apo koalicionin Romë – Tokio – Berlin, i cili pësoi disfatën më të madhe që u kurorëzua me nënshkrimin e kapitullimit të 9 Majit 1945. Është kjo ditë që festohet me madhështi nga më të mëdhenjtë, vendosin kurora në lapidare e përkujtimore, Amerikanët dhe Anglezët bëjnë homazhe në Normandi tek të rënët e tyre, kështu bëjnë të gjithë për të festuar shporrjen e bishës nazi – fashiste, por neve nuk vemi dot në Sazan të vendosim një tufë lule në këtë ditë çlirimi, sepse nuk na jep dikush një mjet për të shkuar. M’u errësua lulishtja e Vlorës, kur më thanë që nuk do kemi anije për të shkuar në Sazan. Prej atij momenti më hipi tensioni dhe nuk e quajta veten në rregull, derisa erdha si i pirë në familje. Ishin përgatitur të moshuar e fëmijë të bënin një pelegrinazh atje ku bashkëshortet tona, mblidhnin ujë nga shiu për të larë rrobat sepse ai mungonte nga burime të tjera, atje ku jetonim me vetëm 4 orë drita elektrike natën, atje ku rritëm fëmijët nën stresin e luftës, atje ku erërat ishin të tilla sa e merrnin burrin zvarrë dhe nënat e fëmijëve të mbuluara me ndonjë rrobë të trashë venin për të marrë fëmijët nga shkolla, sepse burrat do ishin ose në llogore e me detarët në det me anijet duke përballuar dallgët e detit që hidheshin mbi kuvertat e anijeve. Kemi shkuar me anije luftarake për të parë vendbanimin tonë atje dhe mendoj se, duhet të jetë edhe në interes të stërvitjes e përgatitjes së efektivit të një anijeje duke lundruar me pasagjerë, ashtu siç edhe duhet e po bëjnë për të shpëtuar emigrantët në Egje. Në këtë rast do bëheshin edhe në nder të ditës së çlirimit të atij vendbazimi. Dalin pikëpyetje të shumta këtë 75-vjetor të çlirimit. Mos vallë nuk duhet festuar që u arrit çlirimi i Shqipërisë? Mos vallë duhet zbehur ajo luftë e përgjakshme kundër pushtuesve nazi – fashistë?

Sidoqoftë, neve nuk vendosëm dot lule tek lapidari përkujtimor i Sazanit!

Vlorë, 20.10.2019