Bujar Qesja: Jetë të gjatë legjendës së notit shqiptar, Sadik Mema!

740
Sigal

Jetë të gjatë Sadik Mema!

 

Nga Bujar Qesja

Mjeshtër i Madh

 

Në këtë 21 qershor 2019, miku dhe shoku ynë Sadik Mema, besniku i notit, me një nofkë përkëdhelëse “Pupja”, ardhur nga fëmijëria e hershme, mbushi 65 vjeç.

Pupja është padyshim aktualisht, Numri Një i notit shqiptar. Të gjithë përvojën e tij të hershme dhe të sotme, të gjithë akumulimin e tij sportiv, të gjithë formimin e tij qytetar dhe intelektual, e ka vënë në shërbim të shoqërisë sportive dhe jo të tillë. Më vjen mirë, që ruan një raport të shkëlqyer me njerëzit, duke fituar respektin dhe simpatinë e tyre. Pupja është nga ato njerëz, që është i pari në detyrimet ndaj miqve, shokëve, por edhe moshës së njomë, që i është përkushtuar me të gjithë arsenalin e tij gjithëformues, veçanërisht në sportin e notit. Por është i pandjeshëm në kërkesat ndaj të tjerëve. Ky tiranas i ëmbël, mbase të veçantë në kohën e sotme jo pak të trazuar, është shumë i domosdoshëm për ne të gjithë.

Ku është vlera dhe rëndësia, i këtij njeriu të urtë dhe fisnik? Komunikimi i lindur, për të qenë i preferuar në bisedë. Ta bën mbarë për çdo gjë. Ndonëse është i ikur tërë kohën nga familja, për angazhime pune, gjen kohën që të merret me pjesëtarët e saj. Pupja është kryetrajner i notit, tek resorti i famshëm “Te Stela”. Stërvit me qindra notarë të vegjël dhe të moshave më të rritura. Dhe merret më të gjithë. I përkëdhel të gjithë një nga një, si fëmijët e tij. Nuk e pamë njëherë të mërzitur, apo të nxehur, pasi kjo edhe mund të ndodhë. Por ky Pupja, i lyer me magjinë dhe bekimin njerëzor, buzëqesh, flet thjesht dhe i inkurajon në hapat e cilësisë dhe mjeshtërisë.

Ekipet Te Stela të Sadik Memës, janë kampionë absolutë në notin shqiptar. Sportistë elitare, kanë brenda mjeshtërisë së tyre edhe magjinë e një pune të jashtëzakonshme të Pupes tonë, të këtij kryespecialisti të notit. Në rininë e tij, kampion absolut në delfin. Më pas ndjek studimet në Akademinë e Sporteve, në degën e notit. Është mirfilli, në vijën e parë të përparimit të notit shqiptar.  Drejton gati për dhjetë vite, Federatën Shqiptare të Notit, me cilësinë e sekretarit të këtij institucioni unikal të sportit. Dhe pasi drejton ekipe të ndryshme të notit, është përqendruar më në fund prej shumë e shumë vitesh, pranë resortit që administron shoku i tij i vegjëlisë Stefan Pinguli “Te Stela”. Kam qenë disa herë aty, “Te Stela”.  O Zot çfarë masiviteti dhe konkurrence! Kam dërguar këtu, mbesën time të zemrës, Geanën dhe ia kam lënë në dorëzim Pupes.

Isha me 19 maj 2019 Te Stela. Pupja dhe shoku i tij energjik, Dritan Mezini bënë një akt human, pse jo edhe fisnik dhe domethënës. Mblodhën ku qenë e ku s’qenë, veteranët e notit, ato që kanë mbajtur barrën e zhvillimit të notit dhe kanë bërë historinë e paharruar të notit tonë. Unë shkova dhe fola për Bon Kadiun, për kolosin durrsak të notit, që u nda nga ne vitin e kaluar. Por më bëri përshtypje dashuria e pakufi, respekti i jashtëzakonshëm i Sadik Memës, për Bonin tonë, mungesa e të cilit na ka kaluar në dëshpërim. Një ditë e paharruar në mes miqsh dhe shokësh. Dhe këtë e bëri, i miri dhe i mrekullueshmi ynë Pupja.

Ti je në 65-vjetorin e lindjes Sadik. Këto radhë për ty, janë fare pak për atë çka ti je dhe për atë çka ti bën. Është dita jote, por edhe pak është edhe dita jonë. Pasi ditëlindja i një miku të rrallë si ti Sadik Mema, na gëzon edhe ne, që jemi të privilegjuar që kemi shoqërinë tënde, por gëzojmë edhe mjeshtërinë tënde të punuarit dhe të drejtuarit.

Ti Pupe mbetesh një vlerë e rrallë i notit. Dhe jo vetëm tek kampionët e “Te Stela”. Ti je vetë një kampion i rrallë në sport, por kampion i rrallë edhe në jetë dhe shoqëri.

Sadik Mema, jetë të gjatë dhe lumturi në jetën tënde!

Një urim special për ikonën e notit Sadik Mema vjen edhe nga Presidenti i Federatës të Notit Shqiptar, Agim Çiraku.