Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme por interesa të përjetshme
FRAGMENT NGA KAPITULLI I TREMBȄDHJETȄ I ROMANIT “ OLIGARKȄT
Nȅ politikȅ nuk ka miqȅsi tȅ pȅrjetȅshme por interesa tȅ pȅrjetȅshme
De Gol
Pas kalimit me sukses të kësaj prove, që për Aleksin ishte edhe më e vështira, ai filloi të mbështeste hapur fitimtarin në synimet e tij për të rizgjuar pasionin për politikën, por pa lënë pas dore biznesin dhe pasurimin.
Rastisi që mori një ftesë për darkë nga një ambasador, i cili mesa dinte ishte në përfundim të mandatit të tij.I pati qëlluar të ishte i ftuar në pritjet që jepnin ambasadat me rastin e festave kombëtare, por një ftesë e tillë për një darkë miqësore të ngushtë, i bëhej për herë të parë. Pasi pinë shishen e parë të verës së zgjedhur, ambasadori i tha:
-Zoti Aleks, jam informuar se ju jeni një biznesmen i suksesshëm. Siç mund të jeni në dijeni, unë së shpejti e përfundoj mandatin në vendin tuaj dhe mendoj të mos e vazhdoj karrierën në diplomaci.
Ai heshti. Ndërkohë mbushi gotën e të ftuarit dhe më pas të tijën nga shishja e re e verës që solli kamerieri. Pastaj e ftoi mikun të ngrinin një dolli për miqësinë. Aleksi kish nisur të nuhaste diçka nga fjalët e para të ambasadorit, por mendoi ta linte të mbaronte mendimin deri në fund.
-Pra, siç ju thashë, do të heq dorë nga diplomacia, por kjo s’do të thotë se do të bëj një jetë pasive. Do të jem në bashkëpronësi me një firmë elektronike në vendin tim dhe kam menduar se mund të krijojmë një bashkëpunim të ngushtë me kompaninë tënde, që merret me këtë fushë. Nëqoftëse jeni i interesuar…
Ai heshti dhe mori gotën e verës, piu një gllënjkë dhe pasi e la në vend, e vështroi tjetrin drejt në sy.
-Më pëlqen mendimi, -i tha Aleksi duke folur me ngadalë, për të menduar ato që do të thoshte më tej.- Di edhe që ju jeni të përparuar në këtë fushë. Sigurisht na duhet të kemi disa të dhëna, pastaj specialistët e të dyja palëve mund diskutojnë për hollësitë.
Aleksi nuk kishte ndërmend ta vazhdonte më tej këtë bisedë, jo vetëm se u ndodh i papërgatitur, por edhe ngase nuk donte të futej në hollësi. Edhe tjetri u duk se nuk do ta zgjaste më tej.
– Në të vërtetë desha të bisedoja edhe për një problem tjetër me ju, që ka të bëjw me mikun tuaj në krye të politikës.
Ai i kishte ngulur sytë Aleksit, si për të kuptuar reagimin e tij, por edhe ky e shikonte në sy pa i lëvizur asnjë muskul në fytyrë.
-Unë mund t’i jap disa informacione, që do të jenë me shumë interes për të në lidhje me opinionet e kolegëve të trupit diplomatik këtu. Kuptohet, do të jenë shumë konfidenciale. Siç e kemi në praktikë, këto opinionet janë informacione për qeveritë e tyre. Dhe në këtë bisedë…pse jo edhe për ndonjë pikë të dobët të tyre…
-Me sa kuptoj, ju doni që unë të organizoj një takim tuajin me të? Po ju mund ta kërkoni takimin edhe vetë, pa ndërmjetësinë time, ashtu siç mund ta keni bërë edhe herë të tjera.
Aleksi ishte vërtet i habitur nga kërkesa e tjetrit.
-Ashtu është, siç thoni ju, por unë kërkova ndërmjetësinë tuaj, se në të tilla raste, nuk e di a më kuptoni, këto biseda janë shumë private dhe e kanë një çmim.
Fjalët e fundit i shoqëroi edhe me lëvizjen e gishtave të dy duarve. Aleksi kishte ulur kokën dhe dukej sheshit se po mendohej. Ishte hera e parë që ndodhej në një situatë të tillë, por shpejt e mblodhi veten. “Pra,” mendoi aty për aty, “ky ka një mall, që është një informacion dhe do ta shesë. Normale… tjetër se ne nuk jemi mësuar me këto praktika, të cilat duhet të jenë të zakonshme për këta.”
-Me sa kuptova, i dashur ambasador, ju keni një mall dhe doni ta shisni, kështu?
Tjetri buzëqeshi dhe tundi kokën.
-Dhe unë jam në rolin e ndërmjetësit. Atëherë po flas edhe në rolin e biznesmenit. Ku është ajo që fitoj unë?
-Mirë e thatë, edhe unë e njoh mirë këtë fushë. Për ju kam përgatitur një dhuratë dhe jam i sigurt se do t’ju pëlqejë. Po na eci, shpejt do të jemi në bashkëpunim me firmat tona dhe me lehtësirat që do na krijojë miku juaj.
Aleksi u takua që të nesërmen me mikun e tij dhe e informoi për bisedën e një nate më parë.
-Po mirë, ta dëgjoj ç’do të më thotë. Po qe se ia vlen, jepi ti sa i bën haku dhe merr vesh çfarë kërkon tjetër.
-E vrava mendjen pasi u ndava me të dhe e di ç’mendova? Edhe këta ambasadorët që na vijnë këtu dhe ne i shohim në dritë të syrit, janë njerëz të zakonshëm, që mund të shiten e të blihen si mall tregu. Nuk e di a më kupton?- Aleksi e vështroi tjetrin që kishte ulur kokën dhe dukej se po mendohej.-Dhe jo vetëm kaq, por si të gjithë njerëzit edhe këta kanë dobësitë e tyre. Nëse ua gjen, i përdor edhe për interesin tënd.
Pikërisht këtë gjë po mendonte edhe tjetri.Pasi u largua miku i tij, ai qëndroi edhe disa orë në zyrë, gjersa e hartoi një plan në kokën e tij. Të nesërmen, takimin e parë e bëri me njërin prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.
-Dëgjo pse të kam thirrur,- i tha sapo tjetri u ul përballë tij,- doja të dija nëse kemi aparate të fjalës së fundit për përgjime, jo vetëm për afër, por edhe për në distancë?
-Nuk e di, po të pyes. Mendoj se për të tilla punë duhet të kenë ata të Shërbimit…
-Jo, ata nuk duhet të marrin vesh asgjë. Madje këtë duhet ta dimë vetëm ne të dy. E shumta dhe ky imi këtu, më kupton? Informohu dhe po nuk e pate një aparat nga ata të fundit, porosite të vijë sa më shpejt. Po kamera që regjistrojnë, për shembull, dikë në dhoma hotelesh, a mund të vendosim?
-Në disa hotele kam parë që ka kamera, po nuk e di a ka në dhoma.
-Dëgjo atëherë, me dy-tre nga njerëzit e tu të besuar dhe sigurisht duke biseduar edhe me pronarët e disa hoteleve, nga ato që frekuentohen prej të huajve e ambasadave ose edhe nga zyrtarët tanë apo ata të opozitës, do të vendosni kamera në disa prej dhomave apo suitave të hoteleve. Ato dhoma do t’u jepen atyre që kemi interes për t’i regjistruar. Si thua, e bën dot?
-Patjetër, shef, kam një që mund ta bëjë shumë mirë, se këtë punë ka bërë edhe në emigracion.
-Nuk duhet të dalë asnjë fjalë…
-Ky është shumë borxhli karshi meje. E kërkonte Europoli dhe unë e mbrojta.
-Mirë atëherë, fillo nga puna sa më parë. Për çdo të re do të më informosh.
Pas një ore thirri një tjetër bashkëpunëtor.
-Si i ke punët me atë bjonden e …- dhe e vështroi drejt në sy, duke e gjendur tjetrin krejt të papërgatitur.
-Mirë, shef. E kam shoqe.
-Vetëm shoqe? Unë kam informacione të tjera. Apo janë llafe? Dëgjo, bjeri shkurt, ke gjë me të apo jo?
Tjetri uli kokën.
-Po burra jemi, shef. Pastaj, si të të them, edhe ajo me burrin takohet a s’takohet një herë në gjashtë muaj.
-Mirë, e mora vesh. Vazhdo ta mbash afër, se do të na duhet, më kupton? Ku takoheni, apo në shtëpinë e saj.
-Po shef, po ndonjë darkë e hamë edhe jashtë, pastaj shkojmë.
-Po në hotel shkoni?
-Jo shef, se nuk dua…
-E mora vesh, po nganjëherë mund të shkoni edhe në ndonjë hotel në periferi. Ose në ndonjë tip moteli, kuptohet të jetë me nivel.
-Puna është familja ime, shef.
-Ore harron me cilin po flet? Ti nuk i the njeriut dhe nuk u kujtove për familjen kur hargaliseshe me atë deputeten…po më mirë të mos i hapim letrat. Tani këtë që po të kërkoj na duhet për punë, jo për qejf, më kupton? Do të thotë qorri kur dhe ku duhet të shkosh.
Pastaj thirri njërin nga deputetët, i cili ishte nënkryetar dhe kryetar në dy delegacione të Kuvendit, në dy nga organizmat ndërkombëtare që monitoronin vendin tonë. Grupet e monitorimit të këtyre organizmave të rëndësishme të Europës vizitonin herë pas here vendinpër të verifikuar funksionimin e standardeve demokratike dhe veçanërisht ishin i pranishëm në periudhën e zgjedhjeve. Pas përfundimit të vizitës, ose të procesit zgjedhor, ata jepnin përfundimet në një konferencë shtypi në kryeqytet dhe hartonin një raport për organizatën që i kishte dërguar. Ishte bërë kujdes, duke lobuar në organizmat përkatëse, që në krye të këtyre grupeve të monitorimit, me përbërje të përfaqësuesve të forcave të ndryshme politike, të ishin përfaqësues të forcës politike që udhëhiqte vendin. Madje gjer tani, kur largohej delegacioni, bëhej kujdes që t’u jepeshin dhurata karakteristike kombëtare të punuara nga mjeshtër të punimit të arit apo argjendit.
-Dëgjo pse të thirra,- i tha shefi kur deputeti u ul përballë tij në zyrë. – Kur vijnë ata të monitorimit?
-Planin e kanë në fillim të muajit, shef.
Shefi dukej se po mendohej për ç’ka do t’i thoshte më tej. Në shumë raste e përdorte këtë mënyrë komunikimi me vartësit për t’u dhënë të kuptonin se ishin mendime të çastit.
-Me sa më kujtohet, deri tani u kemi dhënë dhurata, kështu?
-Po, shef, dhe i kanë pëlqyer. Po herën e fundit u dhamë edhe pije të shtrenjta.
-Tani po të pyes ty, nëse do të shkoje dhjetë herë në një vend dhe do të të jepnin dhjetë herë po të njëjtat dhurata, do të të pëlqente?
-Me thënë të drejtën shef, keni shumë të drejtë, po…
– Do të pyesësh se çfarë mund t’u japim tjetër, kështu?
-Po, shef, ne ato kemi…
-Dëgjo, or mik, se me thënë të drejtën të mbaj edhe si më të mençurin. Ata janë njerëz të ndryshëm, me kërkesa ose interesa të ndryshme. Tani më thuaj, ke mundur të dallosh çfarë interesash ka njëri dhe çfarë interesash ka tjetri, që të kënaqen?
-Me thënë të drejtën, shef, nuk i kam parë me këtë sy, po…
-Po mund ta mendosh, këtë do të thuash? Atëherë ulu këto dy ditë dhe vrite mendjen se çfarë ke vënë re që i pëlqen njërit apo tjetrit.
Ai heshti mendueshëm.
– Dhe mos u kufizo. Nuk e di a më kupton kur them kështu. Që të jem më i qartë, dikujt, për shembull, i pëlqen seksi, dikush është gej, dikush pëlqen miellin e bardhë kolumbian. Eurot apo dollarët u pëlqejnë të gjithëve kjo dihet. Këtë punë do ta rregullojmȅ pa dalë ne në skenë, se ka edhe nga ata që nuk pranojnë dhe… pastaj në vend të vëmë vetullat nxjerrim edhe sytë.
-Shef, e kuptova mjaft qartë. Tani që i përmendët ju, po mendoj ato që kam vënë re. Unë do të bëj një listë të specifikuar kush është qejfli si kjo biondja jonë këtu, kush e ka qejfin si gjatoshi që shkon çdo fundjavë në kazinonë e vendit fqinj dhe kush është si ai që rri dru gjithë ditën.
-Në rregull atëherë, shko futju punës!
Ditën tjetër thirri njërin nga vartësit që ishte në atë godinë.
– Keni ndonjë listë të atyre që janë bërë konsuj nderi të vendeve të tjera?
-Sigurisht shef, i kemi për secilin dosjet të rregullta.
-Të gjithë biznesmenë janë këta?
Tjetri u duk se po mendohej.
-Po shef, ashtu janë. Si duket edhe ata i zgjedhin të tillë.
-Pse, kush i zgjedh?
-Ata na i propozojnë shef, pastaj ne i verifikojmë që të plotësojnë kushtet e ligjit.
-Dhe këta ambasadorët, kur i takojnë në dreka e darka, sigurisht që u japin dhurata apo para tȅ thata pȅr nderin qȅ u kanȅ bȅrȅ?
Tjetri nuk po dinte si të përgjigjej.
-Po ata për këtë punë i kanë zgjedhur, jo për sytë e bukur.
– Mirë, më bëj një listë të tyre, jo vetëm me vendet që mbulojnë, por edhe se çfarë biznesi kanë. Në rregull?
Me këtë punë iu desh të merrej pothuaj gjithë javës, deri në orët e vona të mbrëmjes. Më të lehtë e pati me disa nga ambasadat, për të cilat e ndihmoi edhe informacioni i ambasadorit që kërkoi ndërmjetësimin e Aleksit dhe më pas edhe me disa komisionerë që po merreshin me reformën në drejtësi. Në të vërtetë këta i kishte zgjedhur me kujdes dikush tjetër, të cilin vetëm ai e dinte, ngase i paguante prej disa vitesh si anëtarë të bordeve të shoqatave joqeveritare të krijuara prej tij.
Plani filloi të funksiononte më shpejt nga ç’e kish parashikuar. Pas kësaj mendoi se i kishte të hapura të gjitha dyert për atë që përgatitej prej kohësh. Ai tashmë e sfidoi hapur kundërshtarin e tij politik në ato pika që i quante si më të fortat: populizmin dhe makiavelizmin. Duke përdorur me mjeshtëri çdo mjet korruptimi, prej drogave të shtrenjta, që i vinin direkt nga burimi, e deri te valuta, që e kishte me tepri dhe e jepte sa majtas djathtas, regjistrimet e orgjive në dhomat e hoteleve apo edhe të moteleve, arriti të bënte për vete përfaqësues të disa prej selive diplomatike në vend dhe përfaqësues të huaj, të cilëve u peshonte fjala në forume ndërkombëtare, duke u përgatitur nga shkrues me përvojë në zyrat e qeverisë raporte që ata i lexonin në konferencat e shtypit në vend apo i paraqisnin në organizatën që përfaqësonin. Shumë prej tyre u përdorën si lobistë në komisionet e BE-së, diplomatë të akredituar në vendin e tij mbyllën sytë dhe nuk thanë asnjë fjalë për kthimin e vendit në Kolumbi të Europës; nuk shikonin “ujkun”, por pyesnin për gjurmët; nuk thanë asnjë fjalë për çmontimin e sistemit të drejtësisë dhe mosfunksionimin e shtetit ligjor, apo deformimin e votës dhe të rezultatit të zgjedhjeve me anë të shitblerjes së votës dhe përdorimin e aparatit shtetëror dhe krimin e organizuar si mjet shantazhi ndaj votuesve. Me një fjalë, këta përfaqësues ndërkombëtar që kishin marrë përsipër të ndihmonin në ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe me institucione demokratike, lanë dorë të lirë që të instalohej një shtet pa institucione kushtetuese ose me institucione të deformuara, duke mundësuar instalimin e një shteti autokratik, të korruptuar në çdo qelizë, dhe përsa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut, i ngjante shtetit që shqiptarët kujtuan se e përmbysën në vitin 1990.
Por ndoshta ngaqë mendonte se “biri” i tij shpirtëror e informonte për gjithçka që bënte, Aleksi nganjëherë habitej se ku e merrte guximin, kur ndërmerrte hapa aq të rrezikshme sipas tij, që mund edhe ta çonin në shkatërrimin e plotë. Aleksi nuk dinte se prapa tij qëndronte një njeri i fuqishëm, me financa të pashtershme, me anë të të cilave drejtonte dhe komandonte politikën e disa vendeve. Ai kishte punuar prej vitesh për të përgatitur një plejadë njerëzish të rinj, ambiciozë, karrieristë me karakter të dobët, që ishin të gatshëm të shisnin gjithçka në funksion të synimeve të tyre për përfitime financiare dhe karrierë të pamerituar. Shumë prej tyre ishin edhe me të kaluar të errët, në fusha të ndryshme, nga politika, nga biznesi, nga shoqëria civile, që pa frikë qenë shndërruar në skllevër të tij dhe të qëllimeve që kishte. Emisarët e këtij njeriu ishin dukur në vend që në ditët e para të rrëzimit të regjimit të vjetër, kishin bërë me kujdes zgjedhjen e “ushtarëve” të tij, të cilët pas disa vitesh u graduan sipas “aftësive” të tyre. Kriteri kryesor në përzgjedhjen e këtij kontigjenti ishte pjesëmarrja e tyre e fshehtë apo edhe e hapur në strukturat e policisë sekrete të diktaturës (sigurimi i shtetit) dhe njollosja e tyre në krime ndaj lirisë e të drejtave të individit.Një ditë, një nga ata që kishte qenë kontigjent i kësaj strukture të fshehur pas emrave të bukur dhe tërheqës për kohën, ndoshta i papërfillur, deklaroi diku në shtyp se ç’ishte në të vërtetë kjo “shoqëri” dhe “bamirësi” e fshehur pas saj. Por pak jehonë pati, se tashmë edhe në median e shkruar dhe elektronike ishin shtrirë tentakulat e këtij organizimi okult.
Duke bërë përzgjedhje të vazhdueshme për të graduar ushtarët e tij, “bamirësi” misterioz caktoi në krye të piramidës pikërisht atë që sot kishte shtënë në dorë një shtet me të gjitha strukturat e tij, duke pasur si mbështetje një oligarki grabitqare të çdo pasurie të vendit dhe disa organizata të krimit të organizuara, ku bënin pjesë edhe policia e shtetit, prokuroria dhe gjykatat.
Prandaj shefi i madh ndihej i qetë, i rehatuar dhe i patrazuar në shtetin qȅ i kishte rȅnȅ nȅ pjesȅ tȅ drejtonte dhe pȅr ta kthyer atȅ nȅ pronën e tij private.

























