Bardhosh Gaçe: Një libër për ty, Dr Henry Marsh

705
Sigal

Një libër për ty, dr. Henry Marsh

 

Nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

 

Në studimet e sotme eseistike, mjaft autorë, të nxitur nga kultura perëndimore, po na sjellin vlera të rralla të mendimit dhe të botëpërjetimeve të tyre, për të cilat ka aq shumë nevojë kultura shqiptare bashkëkohore. Më duket një ogur i mirë që neuropsikiatri dhe shkrimtari Izet Çulli na ka paraqitur në këtë studim eseistik letrar të titulluar “Dashuri dhe humanizëm”, të bazuar në librin e mrekullueshëm të doktorit të mirënjohur anglez z. Henry Marsh, të cilin e ka emërtuar me shprehjen e Hipokratit të lashtësisë “Mos bëj dëm!”, të përkthyer me profesionalizëm prej Prof. Mentor Petrelës dhe dr. Florian Dashit. Publikimi në shqip është me dobi të madhe në studimet mjekësore në përgjithësi dhe të neuroshkencave në veçanti.

  1. S. Çulli me një përvojë të gjatë në mjekësi e, sidomos në neuropsikiatri, autor i dhjetëra librave në gjini të ndryshme, e ndan sprovën e tij të gjatë në 13 krerë, ku në secilin prej tyre trajton probleme të rëndësishme të marra nga z. Henry Marsh.

Në pjesën e parë, më e madhja, shtjellohet përmbajtja e librit “Mos bëj dëm” në mënyrë sa më shkencore dhe artistike, do të thosha. Aty – këtu ai jep edhe mendimet e veta për botimin e mësipërm të ilustruar me shembuj nga praktika e përditshme, ku paraqet madje edhe disa shembuj të mjekëve të mirënjohur shqiptarë.

Ne e dimë se në literaturën e bollshme, sot, shohim daljen në dritë të mjaft librave mjekësorë nga mjekë shqiptarë dhe të huaj. Po një studim i tillë, i gjatë libror me siguri ka edhe arsyet e veta. Ndoshta do të jetë humanizmi i z. Marsh, përkushtim i tij në punë, gatishmëria e çdokohshme në patologji të tilla të neurokirurgjisë, trajtimi me nivel sa më shkencor i të sëmurëve. Po ashtu aty parashtrohen edhe gabimet e mëdha të pa fshehura që ka bërë në jetë (sidomos kur ka synuar më të mirën e mundshme), si edhe shpalos sukseset dhe dështimet e pandara në këtë drejtim. Të jesh mjek nuk është e lehtë, sepse sakrificat, përvuajtjet dhe privimet në jetën private, shpesh janë të pa imagjinueshme nga profesionistët e disiplinave të tjera shkencore. Gjithashtu mendoj se ana artistike e librit “Mos bëj dëm” e ngre në një nivel më të lartë punën e vet z. Henry Marsh. Sado saktë të na jepet një botim i tillë shkencor, pa narracionin artistik, nuk do të bëjë për vete aq sa duhet. Dihet, arti të ushqen, të ngre lart e të frymëzon në shtigjet e vështira të jetës. Lev Tolstoi ka shkruar: “Shkenca dhe arti janë të lidhura ndërmjet tyre si mushkëritë me zemrën”. Mua do të më dukej disi e tepërt të merresha me analizën e hollësishme të këtij libri domethënës e titullgjetur “Dashuri dhe humanizëm”, sepse dëshiroj që lexuesit ta shijojnë vetë atë, apo siç citon autori këtu një shprehje të Frensis Bekonit“për t’u përtypur dhe tretur”. Sigurisht, nëse lëçitësve do t’u ketë pëlqyer ai…

Studimi “Dashuri dhe humanizëm” përmbyllet me intervistën e prof. Mentor Petrelës, dhënë një gazete të përditshme shqiptare, ku zbulohet puna dhe veprimtaria teorike – praktike e protagonistit anglez z. Marsh, për frytshmërinë e qenësishme të librit dhe ndërmarrjen e madhe që duhet të kryejë një mjek i vërtetë.

Dr. Norman Betyni ka shkruar: “Një mjek duhet të bëjë diçka më tepër se të shkruajë receta.” Në këtë kuptim, kjo eseistikë letrare na sjell horizonte të reja të mendimit në lëmin mjekësor dhe letrar, duke na bërë të pranishme një vepër të tillë të dobishme të mjekut dhe dijetarit anglez, z. Henry Marsh, aq i mirënjohur në botën shkencore në Evropë, por tashmë edhe në Shqipëri.