/Gazeta TELEGRAF
Qeveria “Rama” ka përdorur në mënyrë sistematike fillimin e ndjekjes penale për organizatorët e protestave paqësore kundër saj, në tentativë për të sfumuar revoltën qytetare ndaj vendimmarrjeve apo sjelljes së saj në kundërshtim me normat demokratike dhe të të drejtave të njeriut. Vetëm në vitin 2020, plot 105 persona janë marrë të pandehur për organizim të paligjshëm të protestave. Policia e Shtetit ka shfrytëzuar nenin e kontestuar numër 262 të Kodit Penal, i cili ndëshkonte këdo që merrte pjesë në një manifestim të paautorizuar nga uniformat blu.
Ky përcaktim ligjor u shfuqizua së fundmi nga Gjykata Kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i marrë këto ditë i hoqi të drejtën qeverisë që të kontrollojë të drejtën e tubimit dhe, për më tepër, ta shfrytëzojë legjislacionin penal si një masë represive ndaj të drejtës së qytetarëve për reagim. Gjyqtarët kushtetues arritën në konkluzionin se, kërkesa në ligjin penal, për marrjen e lejes para organizimit të tubimeve, bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.





















