800 mijë euro për “gropat” në “Ujin e Ftohtë”

205
Sigal

Ergys Verdho, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, vijon që të mbyllë gropat e kompanisë, që më parë i kishte dhënë tenderin e kësaj rruge, e cila ka fituar dhjetëra milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve në Vlorës, mes të cilave edhe Orikum-Vlorë, apo edhe rrugën e Borshit. Por, problemet në këto akse i kanë kushtuar shqiptarëve miliona euro të tjera shtesë. 1.5 milionë euro po harxhohen për rrëshqitjen e Borshit. Ndërkohë, 800.000 euro të tjera po shpenzohen për një tjetër rrëshqitje, atë të Ujit i Ftohtë në Vlorë. Të dyja, duhet të mirëmbaheshin nga e njëjta kompani, që është kliente e qeveritarëve.

Por, ato u lanë në mëshirë të fatit. Dhe, këtë fakt e pranon edhe vetë Verdho në dokumentet shoqëruese të tenderit, por që në fakt nuk ka bërë asnjë referim për abuzime nga kompania nëfituese e tenderave, përkundrazi, vijon që ta mbrojë, duke rregulluar segmentet që duhet të mirëmbante. “BoldNews” ka siguruar dokumentet e një tjetër tenderi të kryer nga Ergys Verdho.

Kompania “G.P.G. COMPANY” është shpallur fituese e tenderit me procedurën “me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” të rrëshqitjeve në Vlorë. Mësohet se fondi limit është 71.922.762 lekë pa TVSH (me TVSH rreth 800 mijë euro). Objekti i tenderit është stabilizimi i qëndrueshmërisë të trupit të rrugës në aksin rrugor Vlorë – Orikum, zona Jonufër – Nimfa.