Sigal

Nga Qamil Gjyrezi

Televizioni gjerman ZDF, e akuzon qeverinë Rama për gjendjen e universiteteve në Shqipëri. Protesta e studentëve shqiptarë dhe situata politike në Shqipëri, po marrin një rëndësi të veçantë edhe për median evropiane. Televizioni gjerman ZDF, i kushtoi para disa ditësh një kronikë protestës studentore në Shqipëri. Opinioni publik dhe intelektualët gjermanë që e ndoqën këtë kronikë janë skandalizuar me kushtet që kanë studentët shqiptarë në auditore dhe konvikte. Një profesor i sociologjisë dhe politikës në Bielifeld, Albert Shultz mbasi kishte ndjekur kronikën e zgjeruar të ZDF, më shkroi një e-mail ku dhe mbështet protestën studentore. Ai ishte optimist për protestën dhe më shkruan se: “Studentët duhen përkrahur nga të gjithë. Ata janë e ardhmja!” Ky interesim gjerman për protestën hedh poshtë deklaratat e ndonjë politikani të dështuar në Shqipëri, që shpif se protesta studentore nuk gjeti mbështetje ndërkombëtare dhe të diplomatëve në Shqipëri. Politikani i dështuar, madje rendit edhe disa pika, si politikolog i madh që është, duke iu dhënë mend studentëve. Pikërisht studentët protestues, nuk janë të interesuar për këto këshilla, mbasi ata janë të pakënaqur nga elita politike dhe nga qeveria aktuale dhe kryeministri Rama, që kërkon t’i mashtrojë tashmë me ministren e re të arsimit, Shahini, për të dialoguar. Më datën 10 janar 2019, studentëve iu bënë presion segmente të caktuara të policisë, gjatë qëndrimit të tyre në auditorë. PD ka dënuar aktin e paprecedentë të përdorimit politik të policisë nga kryeministri Edi Rama për kërcënimin, shantazhin dhe presionin ndaj studentëve. Sipas një deklarate të para disa ditëve të deputetes Albana Vokshi, “narkopolicia nuk duhet të guxojë të prekë studentët paqësorë dhe as të dhunojë mjediset universitare. Ligji e ndalon rreptësisht hyrjen e policisë në fakultete.” Kjo situatë ka krijuar një situatë revolte nga ana e studentëve, të cilët janë mbledhur në salla leksioni ndërkohë që nuk pranojnë të dalin jashtë. Studentët shqiptarë nuk besojnë më tek kjo qeveri, mbasi janë të mashtruar dhe të keqtrajtuar në të gjitha planet.

Përktheva disa fjali nga kronika e televizionit gjerman ZDF. Mesazhet e medias gjermane dhe politikës gjermane duhen dëgjuar nga e gjithë klasa politike shqiptare, kryesisht nga qeveria e korruptuar dhe Kryeministri Rama. Gazetari gjerman i ZDF deklaron: “Prej disa ditësh opinioni në Shqipëri nuk i mori seriozisht studentët, por ata nuk ndalen. Me qindra studentë shqiptarë po protestojnë kundër kushteve të studimit katastrofike dhe mungesës së perspektivës në Shqipëri. Tarifat e studimit janë shumë të larta dhe studentët nuk i përballojnë këto tarifa. Mbas Sirisë, Shqipëria është vendi me numrin më të madh të njerëzve që largohen nga vendi i tyre”. Një prej studentëve Igli Tola shprehet se: “Studentët e kanë humbur shpresën tek qeveria”. Igli Tola i drejtoi gazetarët në një konvikt studentësh, me kushte shumë të këqija. Kronika vazhdon më poshtë se: “4 nga 5 të rinj shqiptarë duan të largohen nga Shqipëria. Në Shqipëri mungojnë gjërat e domosdoshme, ndërsa qeveritarët mbulojnë skandalet e korrupsionit. Kushtet në konvikte janë shumë të këqija, tualetet janë të shkatërruara. Qeveria e Ramës përpiqet të ulë rëndësinë e protestës studentore. Ministrja e sapo emëruar Shahini deklaron se: “Qeveria kërkon të dialogojë me studentët protestues”. Kronika vazhdon: “Por studentët janë kundër dialogut, ato nuk kanë më shpresë tek elitat e korruptuara që qeverisin. Studentët që protestojnë janë me qindra dhe mijëra. Ata protestojnë për kushte më të mira, biblioteka dhe profesorë më të aftë. Ata protestojnë për të ardhmen e tyre dhe të gjithë shqiptarët janë me ta”.

Kronika e televizonit ZDF e akuzon Rilindjen oligarkike dhe Ramën, për situatën politike dhe shoqërore në Shqipëri. Me të vërtetë opinioni publik ndërkombëtar dhe diplomatët e akredituar në Shqipëri kanë një rol vendimtar për zhvillimet politike tek ne, por shqiptarët vetë së bashku me studentët, profesorët dhe intelektualët duhet të zgjidhin problematikat e tyre dhe të rrëzojnë qeverinë e Rilindjes së korruptuar oligarkike. “Elita politike” e majtë Rilindase, i gënjeu të gjithë shqiptarët, jo vetëm studentët, prandaj kërkohet një zgjidhje politike për të gjithë në të ardhmen. Protesta e studentëve, i bëri të gjithë të mendojnë dhe të shpresojnë, se ky vend ka të ardhme pa oligarkë dhe qeverinë aktuale të majtë.