Vdekshmëria foshnjore, Shqipëria e treta me normën më të lartë në Evropë, e vetmja me përkeqësim

544
Sigal

Pas një rënie të vazhdueshme për dy dekada me radhë, vdekshmëria foshnjore ka nisur të rritet në Shqipëri. Sipas përllogaritjeve të Eurostat, përgjatë një dekade (2007-2017) Shqipëria dhe Malta janë të vetmet vende në të gjithë Evropën që kanë pësuar rritje të normës së vdekshmërisë foshnjore.

Në vitin 2017, në Shqipëri përllogariten 8 vdekje foshnjore në 1000 lindje të gjalla, ndërsa mesatarja në BE është 3.6 vdekje për 1000 lindje. Në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian është vënë re një përgjysmim të normës së vdekshmërisë foshnjore, ndërsa Shqipëria ka treguar një rritje të normës. Në vitin 2007, përllogariteshin 6 vdekje për 1000 lindje të gjalla.

Normën më të lartë në Evropë e ka Turqia, me 8.5 vdekje foshnjore për 1000 lindje të gjalla, por shifër e cila ka pësuar përgjysmim nga 2007, me 16.2 vdekje/1000 lindje. Ndjek Maqedonia e Veriut me të njëjtën normë prej 8.5 vdekje/1000 lindje në 2017, sërish me rënie nga 2017 që ishte 10.2/1000 lindje. E treta në Evropë, Shqipëria me 8 vdekje/1000 lindje, me rritje nga 2007.
Rritja e këtij treguesi, sipas studimeve të vazhdueshme të institucioneve botërore si OKB, OBSH, e vendos vendin tonë në një pozicion të pafavorshëm për zhvillimin e qëndrueshëm, nivelin e varfërisë dhe indeksin e zhvillimit njerëzor.

Situata në BE

Në 28 shtetet e Bashkimit Evropian, në vitin 2017, rreth 18 200 fëmijë humbën jetën para se të arrinin vitin e parë. Kjo ishte ekuivalente me një vdekshmëri të foshnjave prej 3.6 vdekje për 1 000 lindje të gjalla, raporton Eurostat.

Gjatë 10 viteve 2007-2017, shkalla e vdekshmërisë foshnjore në BE ra nga 4.4 vdekje për 1 000 lindje të gjalla deri në 3.6 vdekje për 1 000 lindje të gjalla; duke zgjeruar analizën në 20 vitet e fundit, shkalla e vdekshmërisë foshnjore ishte pothuajse e përgjysmuar (6.8 vdekje për 1 000 në vitin 1997).

Në vitin 2017, normat më të larta të vdekshmërisë së foshnjave në BE u regjistruan në Maltë dhe Rumani (6,7 vdekje për 1 000 lindje të gjalla) dhe Bullgari (6,4 vdekje), ndërsa më të ulëtat në Qipro (1,3 vdekje) dhe Finlanda (2,0 vdekje).