Ushtarakët, mbështetje për protestën e studentëve: Jeni e ardhmja dhe shpresa e vendit tonë!

736
Sigal

Shoqata “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë të Shqipërisë” është pozicionuar në mbështetje të studentëve shqiptarë në lidhje me protestat e ditëve të fundit, që kanë si synim plotësimin e 8 kushteve të vendosura nga studentët dhe përmirësimin e kushteve në arsimin e lartë në Shqipëri. Anëtarët e kësaj shoqate, janë shprehur se kauza e studentëve dhe mbi të gjitha 8 kërkesat e tyre janë plotësisht të drejta dhe duhet të ishin plotësuar kohë më parë. Sipas ushtarakëve, rinia e sotme duhet të godasë politikën e sotme të konsumuar që ka humbur orientimin dhe besimin e popullit.

Deklaratë mbështetëse për protestën e rinisë studentore

Ne, anëtarët e shoqatës “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë të Shqipërisë”, që i kemi shërbyer këtij vendi për gati 50 vjet punë dhe sakrifica, jemi prindër që kemi rritur, edukuar dhe shkolluar fëmijët tanë; ndaj besojmë se kemi plotësisht të drejtë të marrim pjesë në shqetësimet dhe problemet e shfaqura në protestën e kohëve të fundit të studentëve tanë.

Në këto ditë të ftohta dhe të lagështa dhjetori, jo vetëm në rrugët e kryeqytetit, por edhe në rrugët e tjera të Shqipërisë sonë të vuajtur dhe të varfër, disa mijëra studentë po protestojnë. Po përse?

Duke dëgjuar 8 kërkesat konkrete të studentëve, si prindër dhe qytetarë, bindemi se janë jo vetëm plotësisht të drejta, por duheshin plotësuar nga Qeveria kohë më parë; madje dikush duhet të mbajë përgjegjësi deri dhe penale për shkeljet e të drejtave Tuaja.

Kush e ka për detyrë në administratën shtetërore dhe universitare t’i plotësojë këto kërkesa; si për shembull: Kushtet për akomodim në qytetet apo qendrat universitare; kushtet për plotësimin e pajisjeve didaktike, deri tek laboratorët; apo pajisjen e studentëve me librezën studentore, etj.?

Pse kanë ndodhur këto mungesa në kushtet kur burokracia shtetërore dhe universitare paguhet me rroga të majme, në krahasim me nivelin mesatar të popullsisë shqiptare? Këta nëpunës paguhen për të bërë detyrën e tyre në këtë rast, por nuk e bëjnë atë; ndaj kush, përveç atyre, duhet të mbajë përgjegjësi për këto mungesa?

Në të gjithë historinë e botës së sotme dhe të vjetër, (që nga antikiteti,) kemi mësuar se rinia studentore ka marrë në dorë flamurin e ndryshimeve pozitive, deri dhe të sistemit. Energjia pozitive e rinisë kurdoherë e ka çuar shoqërinë përpara! Të gjithë i pranojmë vlerat e këtyre lëvizjeve dhe shoqëria duhet t’i mbështesë gjithmonë ato!

Duke parë lëvizjet e forcave të vjetra partiake, apo shtetit politik në këtë rast, na është krijuar shqetësimi se këtë forcë rinore studentore, kërkesat e saj legjitime dhe normale, duan t’i fusin në vorbullat e turbullta të interesave të tyre ose t’i çorientojnë në rrugë qorre!

Të gjithë ne e dimë se lufta politike në vendin tonë është e paskrupullt dhe po largohet nga programet e tyre zgjedhore për të cilat u votuan. Kjo luftë po çon drejt realizimit të interesave të oligarkëve politikë, duke injoruar interesat e vendit dhe të popullit shqiptar deri në mjerim. Ndërsa ju, të dashur studentë, kërkoni të korrigjoni sistemin arsimor të çekuilibruar.

Shoqëria jonë duhet të vështrojë përtej interesave momentale politike dhe të besojë se janë aspiratat, ëndrrat e rinisë, ato që zgjojnë forcat pozitive të kësaj shoqërie dhe e bëjnë atë të lëvizë përpara; prandaj kjo lëvizje studentore duhet mbështetur fort’ dhe pa rezerva, sepse është në të mirën e të gjithë shoqërisë. Hije dhe fantazma politike të konsumuara, që kanë humbur orientimin dhe besim in në popull, përpiqen të “kafshojnë” tinëz frutat e kësaj lëvizjeje studentore dhe ta përdorin atë si ‘mish për top’ në luftën midis tyre, deri në caqe antikombëtare.

Për të ndihmuar sadopak këtë lëvizje studentore e, sidomos për të gjetur ekuilibrin e duhur, kryesia e shoqatës “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë të Shqipërisë”, me modesti dhe prirje pozitive prindërore dhe qytetare, ka dëshirë t’u shprehë dhe mëtojë disa gjykime miqësore. Kryeministri ynë ka bërë shumë veprime të gabuara e deri qesharake; ndaj, pikërisht për këtë duhet goditur ballazi; duhet shfrytëzuar frika që ai dhe administrata e tij ka ndaj Jush! E njëjta gjë mendojmë se duhet të ndodhë edhe me betejën ndaj administratës universitare; ndryshe, sipas mendimit tonë, mund të lindë dyshimi sikur Juve, studentët trima dhe kurajozë, i trembeni ballafaqimit lidhur me kërkesat e parashtruara, ose sugjerimet Tuaja për vettingun e pedagogëve apo korrupsionin e tyre. Mendojmë se studentët duhet t’i listojnë emrat e të korruptuarve dhe pastaj le të merren organet kompetente ligjore, duke pasur besim se, në të gjitha rastet, e vërteta do të dalë në shesh! Të jeni të sigurt se Ne, ish-ushtarakët patriotë, gjithmonë do të na keni me vete; sepse përbuzja ndaj interesave dhe lojërave partiake destruktive është një nga pikat tuaja më të forta. Specialistët prej kohësh kanë përkrahur arsimimin profesional, atë për të cilin ka kërkesa reale tregu i punës në Shqipëri dhe jashtë saj. Vendi ynë ka vuajtur mosrealizimin e disa kërkesave të natyrshme në vitet e shkuara; si mungesa e banesave, makinave apo shkollimit të lartë. Mungesa e planifikimit dhe e drejta e kujtdo për të prekur këto ëndrra të munguara, kanë krijuar ngërçin e sotëm. Vini re pallate dhe ndërtime pa kriter, apartamente bosh; një familje me disa makina të përdorura gati për në varrezat e makinave, si dhe të rinj me diploma te fituara, të cilat i mbajnë në korniza. Kujt i duhet kjo gjendje? E drejta e studimit të lartë është për këdo që e kërkon atë. Ekzistojnë kushtet dhe ligjet përkatëse, që në vitin 2018 vazhdojnë studimet rreth 140 mijë të rinj dhe të reja. A është reale kjo pjesëmarrje? Jemi në botën e internetit dhe secili prej nesh ka informacion të saktë, se si është ky raport në shtetet fqinje, apo më të zhvilluara, ose me më shumë tradita se ne për arsimin e lartë. A duhet t’ia kërkojmë pasojat e zgjedhjes që bën secili sistemit..; apo duhet të pranojmë në këtë rast efektin bumerang? Kudo, nëpër rrugë, sheshe, pube, kafene, tek blloku, sheh të rinj studentorë që vërdallisen! Ndërsa sheh auditorë bosh. Sheh të rinj studentë (sidomos të reja) me iphone në duar që kushtojnë deri në 1 mln lekë e që mbahen “si bizhuteri”! Dëgjojmë se këto janë kërkesa të kohës! Por a i shërbejnë këto shfaqje përgatitjes së studentëve të ashtuquajtur të ekselencës, që po kërkon ngulshëm shoqëria globaliste e sotme. A e pranon sakrifica financiare e familjeve tona mungesën në leksione në nivele mbi 20-30% të orëve? Sigurisht, është e drejta e studentëve të protestojnë dhe të parashtrojnë kërkesat e tyre të drejta; por në rastin konkret duhet të cekim dhe një dukuri që ka të bëjë, të paktën nga ana e jashtme, me formimin e tyre etik dhe gjuhësor. Kur mjaft media dhe qeveri të huaja paguajnë miliona euro për të na denigruar, vihet re se disa televizione, që duan të shtojnë fitimet, pa u shqetësuar fare për dinjitetin dhe vlerat e shoqërisë tonë, afishojnë si “gjetje” në ekranet e tyre parulla, afishe apo meme, ku çuditërisht studentët tanë shkruajnë me gabime të rënda gjuhësore apo me një etikë të papranueshme. Kujt i shërbejnë këto televizione apo media?! A nuk e kuptoni, të dashur studentë, se ato përpiqen t’ju nxjerrin juve qesharakë, si të paformuar e të papërgjegjshëm? Shporrini nga protestat tuaja ata, që iu trajtojnë kësisoj, ose ndryshe nga Pastrojeni që sot arkivin tuaj historik nga ndyrësira të tilla! Ju nuk i meritoni këto shfaqje.

Si përfundim, Juve, studentët, jeni e ardhmja e vendit tonë; jeni shpresa e shtetit tonë; Juve bëni pjesë në brezat që do të realizojnë ëndrrat sublime të popullit tonë; Juve jeni forca dhe energjia që pret shoqëria jonë!; Juve do të na shpini drejt shtetit që duam, drejt shtetit ende të munguar ligjor, drejt shtetit dinjitoz, të pasur ekonomikisht dhe të fuqishëm; që do na rreshtojë midis shteteve më të begatë të Evropës; të cilët aktualisht nuk kanë asgjë më tepër nga Ne, përveç njohjes dhe zbatimit të ligjeve, dëshirës për të punuar dhe sakrifikuar në interes të vendit.

Shpresojmë dhe urojmë që rinia studentore të jetë e bashkuar dhe e paepur deri në fund, në përpjekjet që po bën për të realizuar ndryshimet e kërkuara nga koha.

Kryesia e shoqatësLidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë të Shqipërisë