Sigal

Shtesa e pensionit për personat që punojnë mbi moshë. Pensioni i invaliditetit dhe pleqërisë. Vazhdimi i punës mbi moshën e pensionit dhe llogaritja e pensionit të plotë

Cilat janë kushtet për të marrë statusin e minatorit të nëntokës dhe pensioni suplementar për ushtarakët

Pensioni suplementar për ushtarakët

Pyetje

Punonjësi i policisë z. Ylli Cahani nga Tirana shkruan: Jam i ditëlindjes 30.12.1953 dhe kam 43 vjet e 2 muaj punë të siguruara në vendin tonë nga të cilat 40 vjet e 2 muaj ushtarak në policinë e shtetit. Pyes kur i plotësoj kushtet për pension dhe si llogaritet pensioni suplementar?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension pleqërie më 30 dhjetor të këtij viti. Para daljes në pension, ju takon leja e zakonshme e vitit 2018 nëse nuk e keni marrë dhe një rrogë mujore shpërblim. Për pension të plotë duhen 36 vjet e 4 muaj punë të siguruara në vendin tonë, nga mosha 16 vjeç. Masa mujore e pensionit të pleqërisë varet nga numri i viteve të punës të siguruara dhe paga mesatare bruto mujore për të gjitha periudhat e siguruara. Pagat e çdo viti të punuar, sigurimet shoqërore i shumëzojnë me koeficientet e rinj të miratuara me vendimin e qeverisë numër 571 datë 3 tetor 2018. Sipas nenit 16 të ligjit numër 10142 datë 15.05.2009 “për pensionet suplementare të ushtarakëve” ju do të përfitoni sipas nenit 16 të ligjit të mësipërm edhe pension suplementar, I cili llogaritet me: 1% të pagës mesatare referuese neto për çdo vit të plotë pune si ushtarak, por jo më shumë se 50% e pensionit të pleqërisë. Me qenë se keni punuar gjatë dhe gjithmonë I suksesshëm dhe korrekt në punë, ju këtë vit keni dy festa, atë të daljes në pension dhe të vitit të ri. Duke shpresuar se ju kam sqaruar uroj ta gëzoni pensionin më shumë vite se sa keni punuar.

Pensioni i plotë dhe Pensioni për minatorët

Pyetje

Pensionisti Bekim Bakaj nga Memaliaj në letrën e tij drejtuar gazetës “Telegraf” sqaron: Kam punuar në nëntokë në minierën e qymyrgurit dhe në vitin 1994 dola në pension të parakohshëm me 60% të pagës. Pyes, kur e plotësoj moshën për të përfituar pension të plotë?

Përgjigje

Mbështetur në nenin 97 të ligjit të sigurimeve shoqërore numër 7703 datë 11.05.1993: “Punonjësit e nëntokës që kanë qenë në marrëdhënie pune në minierën në nëntokë dhe deri në fund të vitit 1995 kanë punuar gjithsej 21 vjet të siguruara, duke përfshirë edhe periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, dhe nga këto, 10 vjet e 6 muaj në nëntokë, me dëshirën e tyre kanë përfituar pension të parakohshëm me 60 % të pagës. Sa herë janë indeksuar apo rritur pensionet keni përfituar dhe ju. Sipas ligjit numër 104/2014 deri në fund të këtij viti, minatorët e nëntokës që kanë plotësuar apo plotësojnë moshën 62 vjeçe 6 muaj dhe kanë dalë në pension me 60% në vitin 1995 marrin pension të plotë. Sqarime më të hollësishme me librezën e pensionit që keni dhe kartën e identitetit, mund të merrni në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Gjirokastër.

Llogaritja e pensionit të plotë

Pyetje

Një lexuese e gazetës “Telegraf” nga Shkodra shkruan: Jam e datëlindjes 20 dhjetor të vitit 1958 dhe kam 34 vjet punë të siguruara pa përfshirë 3 vjet që i shërbej si kujdestare një pjesëtari të familje që është invalid i grupit të parë paraplegjik e tetraplegjik. Pyes, kur e plotësoj moshën për pension dhe a njihen periudhë pune koha si kujdestare?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e plotësoni 60 vjeçe e 10 muaj më 20 tetor 2019 dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeçe kudo që të keni punuar në sektor shtetëror, privat, ish kooperativë bujqësore, sigurime vullnetare, asistencë raporte mjekësore të pagueshme dhe periudha si kujdestare që i shërbeni invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik sipas vendimit të Qeverisë nr.326, datë 12.3.2009.

 

Shtesa e pensionit për personat që punojnë mbi moshë

Pyetje

Në letrën që ka dërguar z. Ferdi Kastrati me punë shofer në “Vizion Plus” sqaron :

Jam i datëlindjes 16 dhjetor 1949 dhe kam punuar i siguruar 46 vjet dhe vazhdoj të punoj i siguruar. Pyes, kur i kam plotësuar kushtet për pension, a përfitoj shtesë pensioni për kohën që kam punuar mbi moshë?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e keni plotësuar 65 vjeç nga data 16 dhjetor 2014 dhe për pension të plotë duheshin 35 vjet punë të siguruara gjithsej nga mosha 16 vjeç përfshi dhe kohën që keni qenë ushtar. Mbështetur në nenin 19 të ligjit nr.104/2014, për çdo muaj që keni punuar i siguruar mbi moshën 65 vjeç, do të përfitoni shtesë 0,5% në muaj mbi pensionin që ju del sipas llogaritjeve të sigurimeve shoqërore më 16 dhjetor 2014, pra nëse në pension do të dilni më 31 dhjetor 2018, juve ju bëhen 48 muaj punë mbi moshën e pensionit dhe do të merrni 24% shtesë mbi pension (48 muaj x 0,5).

Për më tepër lexoni “Telegraf”