Pensionet për 2020/ Ligji i ri, kushtet e përfitimit dhe trajtimi suplementar i ushtarakëve, policisë së Shtetit, burgjeve, zjarrfikësve, minatorve , ish-kooperativistëve, emigrantëve dhe mësuesve.

5581
Sigal

Ndryshimet ligjore/ Dokumentet e marrjes së pensionit për emigrantët, Procedura dhe dokumentet për përfitimin e pensionit familjar, Pensioni për ish-kooperativistët, Pensioni për mësuesit

Përfitimet e minatorëve të nëntokës dhe ushtarakëve sipas ligjit të ri

Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar për ish-ushtarakët, ata aktivë në Forcat e Armatosura, policisë private, financiare dhe punonjësit e nëntokës. Trajtimi i invalidëve, mësuesve, emigrantëve dhe njehsimi i viteve të punës në Shqipëri. Dokumentet që u nevojiten emigrantëve për të marrë pension në Shqipëri dhe si merret leja vjetore sipas Kodit të Punës.

Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar për ushtarakët

Pyetje

Zoti Dogani nga Tirana me banim në Athinë shkruan: Jam i datëlindjes 7 prill 1956 dhe gjithsej në Shqipëri kam punuar 17 vjet nga të cilat 1,5 vjet mësues, 13,5 vjet ushtarak efektiv dhe 2 vjet pagesë kalimtare mbasi dola në lirim. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit, sa vite pune të siguruara duhen, a përfitoj pension suplementar dhe a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës në Shqipëri? A njihen periudha pune për pension, koha e punuar në Greqi dhe cilat janë kushtet për të marrë pension gratë ne Shqipëri?

Përgjigje

Ju në vendin tonë do të dilni në pension pleqërie në moshën 65 vjeç më 7.4.2021 dhe për pension duhen 15 deri 37 vjet e 4 muaj punë të siguruara në vendin tonë. Me vitet e punës që keni ju do të merrni pension të pjesshëm në masën 46% të pensionit të plotë që llogaritet duke pjesëtuar 17 vjet punë të siguruara gjithsej që keni aktualisht me vitet e punës që duhen në vitin 2021 për pension të plotë. Para plotësimit të moshës së pensionit keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës të siguruara nëse keni nënshtetësi shqiptare ose dy nënshtetësi, duke paguar 67.392 lekë në vit dhe pensioni shtohet rreth 2,7% për çdo vit të siguruar. Po të siguroheni paradhënie këtë vit për vitin 2020, shumës së mësipërme i bëhet zbritje 6% ose 4.040 lekë dhe në vitin 2020 po të siguroheni për 3 mujorin e parë të vitit 2021 bëhet ulje 1,5% ose 1.010 lekë më pak. Në moshën 65 vjeç sipas nenit 16 të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, për pensionet suplementare të ushtarakëve për çdo vit të plotë që keni punuar ushtarak efektiv do të merrni pension suplementar që llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese neto për çdo vit të plotë pune, baras me 13%. Vitet që keni punuar të siguruar në Greqi nuk njehsohen me ato të punuara në vendin tonë por do të merrni pension sipas legjislacionit grek të sigurimeve shoqërore. Gratë deri në fund të vitit 2019 dalin në pension 60 vjeçe e 10 muaj dhe për pension duhen 15 deri 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara në Shqipëri nga mosha 16 vjeçe përfshirë dhe periudhën e studimeve të larta ditën, e vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore Tiranë.

Përfitimi i lejes vjetore sipas Kodit të Punës

Pyetje: Dy lexues të gazetës “Telegraf” nga rrethe të ndryshme, njeri ka punuar në policinë financiare dhe tjetri në polici private, shkruajnë: në fillim të korrikut të këtij viti plotësuam kushtet për pension. Të dy ata, lejen e këtij viti nuk e kanë marrë, dhe qendrat e punës refuzojnë që t’ua paguajnë. Ata pyesin, a na takon leja e zakonshme për periudhën janar-maj të këtij viti sipas Kodit të Punës?

Përgjigje: Mbështetur në nenin 38 të ligjit 136/2015 botuar në fletoren zyrtare 220 “Për disa ndryshime në Kodin e Punës”, në rastet kur punonjësit përfundojnë kontratën e punës, atyre u paguhen leja e zakonshme e pa marrë deri në tre vjet para ndërprerjes së marrëdhënieve të punës për të dalë në pension, pavarësisht se ku kanë punuar, ne sektor shtetëror ose privat. Para daljes në pension, punonjësit e institucioneve buxhetore përfitojnë deri një pagë mujore shpërblim, ndërsa për punonjësit e sektorit privat, shpërblimi është në kompetencë të punëdhënësit sipas përcaktimit në kontratën e punës kolektive ose individuale.

Marrja e pensionit të plotë dhe suplementar për minatorët e nëntokës

Pyetje: Qemal Kërriku nga Burreli më banim në Tiranë në letrën e tij trajton këtë problem: Jam i datëlindjes 8 gusht 1964 dhe kam rreth 27 vjet punë të siguruara, përfshirë dhe kohën që kam qenë ushtar dhe nga këto 14 vjet në minierë në nëntokë. Pyes, kur e plotësoj moshën për të përfituar pension të plotë si minator i nëntokës dhe a do të marr pension suplementar?

Përgjigje

Sipas ligjit nr.150/2014, minatorët e nëntokës të cilët plotësojnë moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet punë të siguruara gjithsej në vendin tonë nga mosha 16 vjeç, e nga këto jo më pak se 12 vjet e 6 muaj në minierë në nëntokë, marrin pension të plotë. Gjithashtu sipas ligjit nr.29, datë 23 maj 2019, botuar në fletoren zyrtare 88, i cili ka hyrë në fuqi më 5 korrik të këtij viti, minatorët e nëntokës përfitojnë edhe pension suplementar, i cili llogaritet me 1% të pensionit për çdo vit të plotë pune që keni punuar në nëntokë. Meqenëse ju keni punuar 14 vjet në nëntokë do të merrni edhe 14% pension suplementar mbi pensionin e pleqërisë. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në ASSH Tiranë.

Dokumentet e marrjes së pensionit për emigrantët

Pyetje: Në letrën që na ka dërguar z. Agron nga Shkodra me banim në Itali lexojmë: Jam i datëlindjes 31 maj 1954. Mbasi punova 33 vjet gazetar në median e shkruar dhe elektronike në Shqipëri, prej disa vitesh banoj familjarisht në Trieste. Pyes, kur dal në pension, sa vite pune duhen për pension të plotë, a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar periudhat e punës të siguruara dhe sa lekë duhet të paguaj?

Përgjigje: Ju moshën e pensionit e keni plotësuar më 31 maj të këtij viti dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeç. Me vitet e punës që keni do të merrni pension të pjesshëm në masën rreth 93% të pensionit të plotë që llogaritet duke pjesëtuar periudhat që keni punuar i siguruar me ato që duhen për pension të plotë. Nga dita që keni plotësuar moshën e pensionit nuk keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare. Ju rekomandoj që dokumentet e pensionit si libreza e punës, fotokopje e kartës së identitetit, vërtetimet e pagës bruto nga data 1.1.1994, deri ditën që keni punuar i siguruar në vendin tonë, t’i dërgoni në sigurimet shoqërore në Shkodër. Sa herë indeksohen pensionet shtohen edhe pensionet e emigrantëve pavarësisht se ku banojnë pa dërguar asnjë dokument tjetër shtesë. Pensionet në vendin tonë paguhen vetëm në lekë brenda 3 vjetëve. Ju keni të drejtë që të autorizoni sigurimet shoqërore që pensioni çdo muaj t’ju depozitohet në bankë.

Procedura dhe dokumentet për përfitimin e pensionit familjar

Pyetje: Në letrën që ka dërguar një zonjë nga Dibra trajtohet ky problem: Kohët e fundit bashkëshorti im ndërroi jetë. Ai punonte dhe ishte i siguruar. Sipas certifikatës së gjendjes familjare, mbetëm unë dhe dy fëmijë, vajza në shkollë të mesme dhe djali student në vitin e fundit në Universitet. Pyesim, a përfitojmë ne pjesëtarët e familjes pension familjar, cilat janë dokumentet dhe procedurat që duhet të ndjekim?

Përgjigje: Mbështetur në ligjin e sigurimeve shoqërore, nga dita që burri nuk jeton, ju në moshën 55 vjeçe përfitoni 50% të pensionit të tij nëse jeni pa punë, e pa vetëpunësuar, nuk keni tokë sipas ligjit dhe nuk jeni punëdhënëse deri në plotësimin e moshës së pensionit tuaj. Secili nga fëmijët do marrë nga 25% të pensionit të babait, deri në moshën 25 vjeç, nëse vazhdojnë shkollën ditën. Nga dita që fëmija i parë mbaron shkollën e lartë, pensioni i ndërpritet, por, fëmijës së dytë i bëhet 50%. Ju rekomandoj që të paraqitni në sigurimet shoqërore në Peshkopi, librezën e punës të bashkëshortit, vërtetimin që ka qenë ushtar, certifikatën e vdekjes dhe atë të gjendjes familjare, vërtetimin për secilin fëmijë që vazhdon shkollën ditën. Kur të plotësoni moshën tuaj të pensionit ju keni të drejtë të zgjidhni e të vazhdoni të merrni pensionin tuaj, ose 50% të pensionit të bashkëshortit cila shumë të dalë më e lartë…

Specialisti : Si përfitohet pensioni suplementar dhe ai i parakohshëm për ushtarakët, punonjësit e Policisë së Burgjeve, Policisë së Shtetit dhe zjarrfikëseve, Pensioni për ish-kooperativistët , Pensioni për mësuesit

Kushtet që duhen plotësuar për të marrë trajtim të veçantë si minator i nëntokës. Pensioni për mësuesit, ish-kooperativistët, fermerët, baza ligjore për emigrantët dhe përfitimet sociale e familjare. Mbështetur në ligjin nr.10142, datë 15.5.2009, “Për pensionet suplementare të ushtarakëve, punonjësit e policisë së burgjeve, të policisë së shtetit dhe policisë së zjarrfikëseve”, kur dalin në rezervë ose në lirim, gratë në moshën 42 vjeçe kur kanë 12 vjet punë si ushtarake dhe burrat në moshën 47 vjeçare me 15 vjet punë si ushtarakë aktivë, përfitojnë për 2 vitet e para pagesë kalimtare, e cila paguhet 2 muajt e parë me rrogë të plotë dhe 22 muaj me 50% të pagës. Mbas 2 vjetëve përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, i cili llogaritet me 1,5% të pagës mesatare referuese neto për çdo vit të plotë shërbimi deri në plotësimin e moshës së pensionit të pleqërisë. Periudha e paguar me pagesë kalimtare dhe pension të parakohshëm sigurohet nga shteti dhe njihet vjetërsi pune si civil

Kushtet e përfitimit të pensionit të reduktuar

Pyetje: Një mësues në shkollë shtetërore nga Tirana në mesazhin e tij shkruan: më 20 prill të këtij viti plotësoj moshën 62 vjeç dhe kam 37 vjet punë të siguruara. Pyes, cilat janë kushtet për të përfituar pension të plotë, po të reduktuar?

Përgjigje: Mbështetur në ligjin e sigurimeve shoqërore nr.104/2014, ju do të dilni në pension të plotë 65 vjeç më 20.4.2022, po të keni 37 vjet e 8 muaj punë të siguruara gjithsej në vendin tonë nga mosha 16 vjeç. Me dëshirën tuaj ju mund të kërkoni të dilni edhe në pension të reduktuar deri 3 vjet para moshës së mësipërme, nga data 20 prill 2019, sepse nga 36 vjet e 8 muaj punë që kërkohen këtë vit, ju keni 37. Pensioni i reduktuar për çdo muaj që do ta merrni para moshës 65 vjeç, ulet me 0,6%, ose 7,2% po ta merrni në moshën 64 vjeç, më 14,4% nëse e merrni 2 vjet përpara dhe 21,6% kur e merrni 62 vjeç ose 3 vjet para. Ky pension shtohet sa herë indeksohen pensionet në vendin tonë me vendim Qeverie, por mbetet i reduktuar për gjithë moshën e pensionit edhe mbasi ju të plotësoni moshën 65 vjeç. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Agjencinë ose Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

Përftimi i pensionit dhe sigurimet vullnetare për emigrantët

Pyetje; Zoti Naim nga Tirana në letrën e tij që na ka dërguar nga Roma shkruan: Jam i datëlindjes 13.3.1962 dhe në Shqipëri kam punuar i siguruar 12 vjet. Pyes, kur i plotësoj kushtet për të përfituar pension në Shqipëri dhe a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës dhe cilat janë procedurat?

Përgjigje

Ju do të përfitoni pension në moshën 65 vjeç, duke filluar nga data 3 mars të 2027-s, nëse do të keni 15 deri 39 vjet e 4 muaj punë të siguruara nga mosha 16 vjeç, përfshirë dhe periudhën që keni kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Personat që kur plotësojnë moshën e pensionit, por kanë më pak se 15 vjet punë të siguruara nuk përfitojnë pension pleqërie, por në moshën 70 vjeçare marrin pension social, nëse banojnë 5 vitet e fundit në Shqipëri. Që të mos ndodhë kjo, nëse keni nënshtetësi shqiptare ose dyshtetësi, para se të plotësoni moshën e pensionit keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare duke paguar aktualisht 67.392 lekë në vit, baras me 5.616 lekë në muaj. Nëse kontributet e mësipërme i paguani paradhënie: këtë vit për vitin 2020, vitin e ardhshëm për vitin 2021 e kështu me radhë, në vitin 2026 për vitin 2027 kur ju dilni në pension, shumës vjetore i bëhet ulje 6%, baras me rreth 4.040 lekë më pak në vit. Po të bëni sigurime vullnetare për vitet e kaluara (2018, 2016, etj.) nuk bëhen ulje. Ju sugjeroj që ju vetë kur të vini në Shqipëri ose një i afërmi juaj mund të paraqitet në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, të bëni aktmarrëveshje për vitin që do të paguani kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, e pastaj paguani lekët në një bankë të nivelit të dytë, e cila ju pajis me mandat pagesë, të cilin duhet ta ruani bashkë me librezën e punës. Aktualisht, për periudhën që punoni i siguruar në Itali, do të përfitoni pension sipas legjislacionit të atij vendi po të keni të paktën 20 vjet punë i siguruar. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në “INAS ALBANIA”, e cila ka 700 zyra të Itali, të cilat japin sqarimet e nevojshme, ku shërbimi është falas, por dhe në Tiranë në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi” është një agjenci ku jepen sqarimet e duhura për emigrantët të cilët punojnë në Itali.

Pensioni për ish-kooperativistët

Pyetje: Zoti Mëhill nga Lezha në mesazhin e tij sqaron: Jam i datëlindjes 13 gusht 1954 dhe kam gjithsej 39 vjet e 3 muaj punë të siguruara, nga të cilat 13 vjet në ish-kooperativë bujqësore, 2 vjet ushtar, rreth 7 vjet jam vetësiguruar në bujqësi mbasi kam tokë sipas ligjit dhe vitet e tjera kam paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore në biznes. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit e sa vite punë duhen për pension të plotë?

Përgjigje: Ju do të dilni në pension në moshën 65 vjeç më 13.8.2019 dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara gjithsej nga mosha 16 vjeç. Meqenëse në ish-kooperativë bujqësore keni më pak vite pune se në sektorët e tjerë, ku jeni vetësiguruar përfshirë dhe periudhën e biznesit, do të përfitoni pension shteti. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në DRSSH Lezhë.

Pensioni për mësuesit

Pyetje: Një mësuese me arsim të mesëm pedagogjik nga Kavaja shkruan: Jam e datëlindjes 3 shtator 1958 dhe kam 29 vjet punë të siguruara, por aktualisht jam pa punë. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit dhe sa vite pune të siguruara duhen?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 60 vjeçe e 10 muaj më 3 korrik 2019 dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara gjithsej, nga mosha 16 vjeçe. Me vitet e punës që keni, në moshën e mësipërme, do të merrni pension të pjesshëm rreth 78% të pensionit të plotë që llogaritet duke pjesëtuar 29 vjet punë të siguruara me 36 vjet e 8 muaj. Nëse dëshironi të bëni sigurime vullnetare për të shtuar periudhat e siguruara, keni të drejtë para moshës së pensionit të paguani 67.392 lekë në vit për periudhat që jeni e pasiguruar dhe pensioni shtohet rreth 2,7%. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në ASSH Kavajë.