Pali Nito: Gjimnazi “Janaq Kilica”, një “Zosimea” i vërtetë në Fier

3825
Sigal

Gjimnazi i Fierit u krijua me 1 shtator të vitit 1956. Fillimisht u emërua gjimnazi “18 Tetori” edhe më vitin 1967 mori emrin e dëshmorit Janaq Kolica që konsiderohej edhe vlerësohej me meritë si Qemal Stafa i Myzeqesë. Ishte një gëzim i papërshkrueshëm për qytetarët arsimdashës të qytetit të Fierit pasi fëmijët tyre do të kishin gjimnazit e tyre dhe nuk do të endeshin më sa në Tiranë, Vlorë, Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër për të vazhduar gjimnazin. Fillimi qe tepër, tepër i vështirë, pasi mungonte një godinë e përshtatshme edhe dinjitoze ose mungonin kuadrot, mjetet didaktike mësimore, mungonte përvoja pozitive për mësimdhënie, mungonin laboratorët, tekstet shkollore, e nxënësit mësimet ishin të detyruar që t’i merrnin me shënime çka ishte e lodhshme dhe u merrte shumë kohë. Por me impenjimin dhe për kushtimin maksimalë të stafit mësimdhënës e të drejtorisë së shkollës e të angazhimit dhe mbështetjes se drejtorisë arsimore e veçanërisht të komunitetit e te ministrisë së Arsimit këto vështirësi u sfiduan edhe u tejkaluan me suskes. Kështu me kalimin e viteve shkolla mori fizionominë e plotë të një shkolle dinjitoze e që do të linte pas një histori të lavdishme suksesi të padiskutueshëm e tepër domethënës për qytetarët, kuadrot, nxënësit e gjimnazit dhe intelektualët e qytetit të Fierit. Mësuesit e parë të këtij gjimnazi kanë qenë Athina Gjergo, Fuat Kamani, ndërsa drejtor i parë ka qenë Hasan Karagjozi, pasuar nga Vasil Rista që ushtroi detyrën e drejtorit për disa vite me radhë. Që nga koha e krijimit të gjimnazit u vlerësuan me Medaljen e Artë disa nxënës dhe me Shkëlqyeshëm disa qindra të tjerë. Gjithsej e kanë përfunduar këtë shkollë 500 nxënës. Jo më kot e krahasuam këtë gjimnaz me gjimnazin “Zosimeja” të Janinës, pasi ashtu si kanë dalë figura prej këtij të fundit përmend këtu; vëllezërit Frashëllinjë, Ismail Qemali, Jani Minga e të tjerë figura dhe personalitete të shkëlqyera edhe nga gjimnazi “Janaq Kilica” kanë dalë ekonomistë, inxhinierë, topografë e oficerë, piktorë, pedagogë edhe aviatorë, diplomatë, intelektualë me tituj dhe grada shkencore, politikanë, deputetë, kryebashkiakë, ministra e deri kryeministra si Ylli Bufi ish Kryeministër në vitin 91, Vilson Ahmeti ish-kryeministër i qeverisë teknike. Edmond Lule ish-deputet dhe ish-ministër i arsimit dhe matematikan, Dritan Prifti ish-ministër i energjetikës. Më duhet të theksoj e të nënvizoj, se nxënësit e këtij gjimnazi shquheshin edhe dalloheshin ndër studentët më të mirë, sidomos në lëndët dhe fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, matematikës, të fizikës etj. Në këtë gjimnaz kanë lënë gjurmë të pashlyeshme e që meritojnë respekt e vlerësim të veçantë, sidomos mësuesit e matematikës si Edmond Lule, Sulejman Memeti, Arqile Prifti, mësuesit e fizikës Enver Skëndej, Dhimitër Dodhiba, Viktor Mile etj. Me superlativa më duhet të flas për mësuesen e fizikës, Luli Çani, një mësuese inteligjente e tepër serioze, për të cilën vlerësimin tonë po e ilustroj me një shembull: Duke qenë se e kisha vajzën maturante në këtë gjimnaz dhe mësuese kujdestare e vajzës time Aurelës, ndiqja rregullisht mbledhjet me prindërit. Në një rast e pyes, si paraqitet vajza ime në lëndën e fizikës dhe Luli më përgjigjet shkurt e qartë: Në lëndën humanitare është shumë mirë, ndërsa në lëndën e fizikës nuk më kënaq. Nuk u çudita aspak se në lëndët ekzakte edhe unë nuk kisha shkëlqyer. Gjithashtu mësuese Luli përveç kërkesës së lartë të llogarisë për ecuri të lartë në mësime kërkonte rregull dhe disiplinë në sjellje, në komunikim, në veshje, rregullsi në paraqitjen e jashtme duke u kujdesur jo vetëm si mësuese kujdestare, por edhe si një prind i vërtetë e që prindërit shprehnin vlerësim, adhurim dhe mirënjohje të pakufishme. Ndërsa në lëndën e gjuhës e të letërsisë kanë bërë emër dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme mësuesit Aristotel Mici, shkrimtar i ndjeri dhe i paharruari mësuesi i pasionuar dhe i paharruari, Llazar Moja, Pëllumbesha Cakrani etj. Gjimnazi Janaq Kilica ka marrë pjesë në disa olimpiada kombëtare në matematikë, fizikë, kimi dhe biologji duke fituar vendin e parë, ndërsa në Olimpiadën Ballkanike po në këto lëndë ka fituar vendin e dytë nga Elona Toska. Ndërsa në Olimpiadën Kombëtare në lëndën e kimisë zuri vendin e parë që e fitoi Sonila Robo. Nxënësit e këtij gjimnazi dalloheshin për rezultate të mira edhe në lëndën e edukimit fizik dhe ushtarakë, sidomos në përgatitjen e zjarrit, në qitjet me armët e këmbësorisë, në përgatitjen fizike etj., dhe e them me përgjegjësi se në këto lëndë ky gjimnaz ishte avangarda e gjimnazeve të tjera të rrethit, qarkut e më gjerë. Nxënësit e kësaj shkolle kanë marrë pjesë në disa aktivitete kulturore, artistike dhe sportive e ku kanë bërë një paraqitje dinjitoze, janë duartrokitur nga të pranishmit. Për të gjitha këto arritje shkolla është dekoruar me urdhra dhe medalje të ndryshme nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë. Por është me shumë rëndësi dhe përgjegjësi që stafi i mësimdhënies, drejtoria e shkollës dhe nxënësit t’i konsolidojnë këto arritje e t’i lehtësojë më tej, me qëllim që gjimnazi “Janaq Kilica” të rrezatojë përherë e më tepër dije dhe njohuri shkencore e të mbetet paranoja e gjimnazeve dhe shkollave të mesme në rrethe, qark e më gjerë.