Sigal

Siç mësohet nga shtypi, qeveria, nëpërmjet ministrisë së Kulturës po përgatit sjelljen në atdhe të eshtrave të Mithat Frashërit e t’i ngrejë një bust që do të vendoset pranë tre vëllezërve Frashëri, xhaxhallarëve të tij, Naimit e Samiut dhe të atit, Avdylit. Nuk ka gjë më të turpshme e më të shëmtuar se ky vendim i qeverisë. Mitat Frashërin nuk e lidh asgjë me ta veç gjakut e mbiemrit. Tre gjeneralët e kulturës e patriotizmit shqiptar siç i quante Dritëro Agolli, tre vëllezërit Frashëri, shkrinë tërë jetën e tyre për ta bërë Shqipërinë. Mithati u shkri në tradhti për ta shitur e shpërbërë Shqipërinë. Nëse sjellja e eshtrave, do të ishte një gjest familjar, kjo do të ishte një gjë normale, pasi çdo shqiptari i takon një copë tokë, ku t’i prehen eshtrat, por sjellja në mënyrë ceremoniale e me nderime pompoze nga qeveria, nuk është aspak normale. Mithat Frashëri edhe pse mund të ketë merita në fushën e letrave, të cilat kanë ardhur si rezultat i prejardhjes së tij familjare, ato merita i varrosi me tradhtinë e tij, me qëndrimet e tij antishqiptare e antikombëtare gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pas saj. Çdo meritë bëhet zero përballë tradhtisë ndaj Atdheut e popullit. Gjithë jetën e vet Mithat Frashëri ka pas bërë aventura dhe dredhira politike. Më 1908, u bë një nga përkrahësit e doktrinës reaksionare të xhonturqëve që synonin të shpallnin gjithë popujt e Perandorisë Turke “osmanllinj”. Në kundërshtim me idetë e të gjithë patriotëve të vërtetë ai u bënte thirrje shqiptarëve që ishin ngritur në kryengritje kundër Perandorisë Turke, për liri dhe pavarësi, që t’i shkatërronin armët dhe t’i bënin vegla pune… Poeti ynë i madh Çajupi do ta ironizonte te Klubi i Selanikut: “Po si nuk the një fjalë për Shqipërinë, të plastë koka, o beu ynë?!”. Mithat Frashëri, edhe pse u thirr e mori pjesë në aktin e madh historik, Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 dhe qeveria e Ismail Qemalit e zgjodhi ministër të Punëve Botore, ai shpejt e braktisi atë. Edhe Qeveria e Princ Vidit e caktoi Ministër të Postave dhe Punëve Botore, por edhe aty s’e pati të gjatë. Siç shkruan një bashkëkohës i tij, Mithat Frashëri nuk ishte për popullin e thjeshtë, por për bejlerët. Por dëmin më të madh popullit shqiptar dhe Atdheut të vet ia bëri me qëndrimin gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Ai nuk pranoi të merrte pjesë në Konferencën e Pezës, më 16 shtator 1942, i ftuar si pinjoll i një familje të madhe, e cila ishte dhe është krenaria e kombit shqiptar, po edhe si nacionalist, edhe pse ai Kuvend po e radhiste Shqipërinë në anën e duhur të popujve përparimtarë që luftonin kundër nazi-fashizmit. Mithat Frashëri me dhelpërinë e tij, për t’iu kundërvënë vendimeve historike të Konferencës së Pezës, e cila kërkonte as më shumë e as më pak, bashkim e popullit pa dallim feje, krahine e ideje, në një front lufte kundër pushtuesve fashistë, krijoi Organizatën e Ballit Kombëtar. Ai, në qendër të programit të kësaj partie, parashtroi pikëpamje që binin ndesh me situatën e ndezur të luftës në Shqipëri e më tej, siç qe ajo e pritmërisë, të cilën populli e satirizoi: “Prit gomar të mbijë bar, se kështu thotë Balli Kombëtar” , si dhe pikëpamjen tjetër kundër pjesëmarrjes së rinisë ne luftë, gjoja për të ruajtur brezin e ri… Ai u bashkua me nazifashistët dhe iu kundërvu Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar. Për këtë flasin faktet e dokumente të shumta, flet vetë populli dhe historia. Nuk duhet harruar, se më 15 mars 1943, Mitat Frashëri ngarkoi Ali bej Këlcyrën që të nënshkruante Protokollin që njihet me emrin “Protokolli Dalmaco- Këlcyra”, i cili ishte preludi i një tradhtie të madhe, ku zotoheshin dhe bënin thirrje të mos luftonin kundër italianëve. (!)
Mithat Frashëri me Ali Këlcyrën e krerë të tjerë shkuan në Veri dhe organizuan në Lurë “Kuvendin e 40 krerëve të maleve” ku mes të tjerave vendosën që asnjë këmbë partizani të mos lejohej të shkelte në Veri dhe të luftoheshin kudo forcat e Frontit ANÇ. Është firma e Mithat Frashërit në qarkoren që lëshoi kundër marrëveshjes së Mukjes: “Marrëveshja me komunistët nuk duhet të pezullojë propagandën tonë dhe të lejojë komunistët të shtojnë veprimtarinë e tyre, por të luftojmë për kapjen e pushtetit politik me rastin e kapitullimit të mundshëm dhe të tërheqjes së ushtrisë italiane”. Historia nuk harron se Mithat Frashëri, me cilësinë e kreut të Ballit Kombëtar, në korrik të 43-shit porosiste forcat e veta që asnjë pushkë të mos shkrehej kundër nazistëve gjermanë, por të priteshin si miq. Ndërsa më 7 tetor 1943 ai u drejton të vetëve një qarkore në të cilën thuhet fare hapur: “Të sulmohen forcat partizane dhe të bëhet propagandë kundër FANÇ”. Një muaj më vonë, pra në nëntor të atij viti, Mithat Frashëri i hodhi forcat e veta ushtarake të qarqeve Berat, Elbasan e Korçë në sulm të përgjithshëm kundër forcave partizane në Jug. Ishte pikërisht koha kur në këto zona nazistët ndërmerrnin operacionin e egër të dimrit 1943-1944, me qëllim që të shuanin Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të zhduknin udhëheqjen e saj. Kështu forcat e Ballit, Legalitetit dhe bajraktarëve u bashkuan hapur me nazistët gjermanë në Operacionin e Dimrit 1943-44 dhe në atë të Qershorit 1944, ku u bënë masakra nga më çnjerëzoret ndaj popullatës, u dogjën e zhuritën fshatra e qytete, u vranë deri edhe nëna me foshnjë në gji e në bark… Një lemeri që nuk ishte parë.

Oficerët e Misionit Anglez në Shqipëri, Xhon Bllok Uiliam e Jon Price në kujtimet e tyre që i referohet dokumenteve te Forien Ofise shprehen: “Ballistët ishin një thes miks i kriminelëve shqiptarë që u ngjanin ustashëve të Serbisë. Ata krijonin terror dhe shkaktonin dëme kudo që shkonin”. Tradhtia e Mithat Frashërit do të arrinte kulmin në prag të çlirimit të Shqipërisë. Ai e ndjeu kapitullimin e ushtrisë naziste dhe fitoren e Frontit NÇ për çlirimin e Shqipërisë nga Ushtria Nacionalçlirimtare dhe u përpoq me çdo kusht të merrte pushtetin. Dhe për këtë gjeti sërish rrugën e tradhtisë. Iu drejtua shovenistëve grekë përmes renegatit Dhimiter Fallo, kur kërkonte të përfundonte një marrëveshje me Greqinë. Në atë marrëveshje Mithat Frashëri pabesisht propozonte krijimin e një federate, ku forcat e armatosura shqiptare të shkriheshin me ato të Greqisë, në një ushtri të përbashkët, të komanduar nga grekët, që do të përdorej për të shtypur Luftën NAÇ në Shqipëri dhe në Greqi.
Në ditët e fundit të Luftës dhe të çlirimit të vendit Mithat Frashëri me krerët e tjerë u arratis. Ai nuk mund të qëndronte në Shqipëri pasi e dinte fort mirë se do të jepte llogari për krimet që kishte bërë. Po edhe në arrati duke u vërdallisur nëpër Evropë e Botë, nuk hoqi dorë asnjëherë nga ëndrra për pushtet dhe krijoi “Komitetin Shqipëria e Lirë” nën kryesinë e tij, me Abaz Kupin, Ismet Kryeziun etj. Ky komitet rekrutonte kriminelët dhe të arratisurit dhe i dërgonte në qendrat stërvitore të diversantëve ku i përgatisnin dhe i dërgonin në Shqipëri fshehurazi, për të përmbysur pushtetit popullor.
Mithat Frashëri në arrati nuk i rreshti negociatat me qeverinë greke, ku i kërkonte ndihmë për të përmbysur me dhunë pushtetin popullor të vendosur në Shqipërisë. Për këtë qëllim, në vitin 1948 ai shkon vetë në Greqi dhe zhvillon bisedime të fshehta me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme Greke. Lakmia për pushtet dhe jo antikomunizmi, siç mundohen ta justifikojnë ca pasardhës e lakej të tij, bëri që tradhtia ndaj Atdheut të arrinte deri atje sa të nënshkruante një akord me Qeverinë Greke në Kajro që t’i jepej Greqisë Shqipëria e Jugut “Vorio Epiri” dhe ta fusnin vendin në ombrellën e një mbretërie. Ky është Mithat Frashëri që Qeveria Shqiptare e radhës kërkon t’i ngrejë në piedestalin e lavdisë bëmat e tradhtinë e tij. Është më shumë se turp… Por kur përkrahet tradhtia diçka fshihet…


Është një vazhdë e tërë veprimesh të turpshme e absurde që dëshmojnë fare qartë, se Qeveritë shqiptare gjatë këtyre afro tri dekadave të fundit, ashtu si edhe Mithat Frashëri, janë shfaqur me marifetet e tyre, kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që sulmojnë heronjtë e dëshmorët, veteranët e udhëheqjen e asaj lufte të lavdishme, që e vendosi Shqipërinë në krah të popujve përparimtarë dhe në krah me Aleancën e Madhe Antifashiste Anglo, Sovjeto Amerikane… Janë të shumta veprimet që tregojnë se Lufta Antifashiste mbetet pa përkrahjen e qeverive. Hiqet emri i rrugës “Dëshmorët e 4 shkurtit” dhe vendoset emri i “Ibrahim Rrugovës” jo pa qëllim; në Elbasan ngrihet monumenti i Lef Nosit, në Peshkopi i kriminelit Halil Alia, në Kukës i Muharrem Bajraktarit, në mes të Tiranës bulevardit i vihet emri i Ahmet Zogut dhe i ngrihet monument këtij kryetradhtari… Presidentët me radhë nuk kanë lanë kriminel pa dekoruar si patriotë të mëdhenj, se na paskan qenë antikomunistë… Po qe se ata besojnë se me antikomunizmin munden të përligjin çdo akt imoral, antikombëtar dhe kriminal të kujtdo qoftë, atëherë duhet të vetëshpallen nazifashistë dhe të kërkojnë rehabilitimin e Hitlerit e Musolinit. Por historia nuk mund të shkojë mbrapsht. Mirë qeveritë e djathta që dje hëngrën në një çanak me nazifashistët, po qeveria e majtë ç’ka që i përkrah tradhtarët? Asnjë qëndrim i saj ndaj Luftës, asnjë mbrojtje, vetëm ca slogane të përgjithshme të thëna në hava… as mish e as peshk… Kjo është edhe më e rrezikshme se qëndrimi i hapur. Është kjo arsyeja që kalemxhinjtë e zinj me pagesë, organizojnë institute shkencore, gjejnë shesh e bëjnë përshesh, nxijnë Historinë e LANÇ, sipas porosive e qejfit të shefave të tyre. Organizata e Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, nuk është pajtuar asnjëherë e nuk do të pajtohet kurrë me këto qëndrime që bien erë neofashizëm. Në radhët e kësaj organizate të lavdishme militojnë akoma luftëtarë, të cilët janë ndeshur me “trimat” e Mithat Frashërit, ka ende nga ata që kanë plumbat e Mithatit në trup, janë ende gjurmët e fshatrave, qyteteve, shtëpive të djegura, janë në Varrezat e Dëshmorëve, ata që i shtrinë edhe plumbat e Mithat Frashërit me shokë… Prandaj i bëjmë thirrje qeverisë, që ata që e ndërsyen Mithat Frashërin kundër Shqipërisë, ata që e mbajtën sa ju duhej, ata që në fund ia bënë gropën duke e helmuar, le t’i mbajnë edhe eshtra e tij si hajmali! Le t’i ngrenë edhe buste dhe poshtë tyre të shkruhet “Epopeja e Ballit Kombëtar”!