Muharrem Jazaj: Deti i Vlorës dhe rezervatet e peshkimit

1575
Sigal

Intervista/ Rrëfimi i biznesmenit Muharrem Jazaj: Si na e ‘drodhi’ Hysni Kapo për dëmtimin e prodhimeve!

Nga përgjegjës i SMT, në biznes për rritjen e peshkut, komunizmi ndryshon nga demokracia

Ne, për sa i takon peshkut të rritur në Orikum, po lëmë pas vendin më me emër, Greqinë

Tashmë; Italia, Greqia, Turqia janë të interesuar për peshkun tonë

Albert Z. ZHOLI

Në sistemin komunist ka punuar përgjegjës në SMT dhe aty u lidh shumë me njerëzit, me punën dhe mësoi madje edhe mënyrën e komunikimit. Në demokraci rastësia bëri të njihet me biznesin e peshkut dhe t’i përkushtohet atij. Sot ka thuajse biznesin më të madh në Shqipëri për rritjen e peshkut i certifikuar nga institucionet më prestigjioze për furnizimin dhe eksportin e peshkut në gjithë vendet e BE-së, pa diskutuar vendet e tjera jashtë BE-së. Sipas Muharremit në BE kërkesat dhe standardet janë më të lartat në botë, ndaj, nëse eksporton në BE, në vendet e tjera rrugën e ke të hapur. Muharremi është një njeri punëtor, i respektuar dhe shumë korrekt.

-Ju ditët e fundit morët titullin e lartë “Personalitet i Shoqatës LABËRIA” si e përjetuar atë ditë?

Për mua mbetet ditë e veçantë pasi kur të vlerëson Labëria është nder i madh. Në jetë disa herë vlerësimit morale janë më të mira se ato material, pasi tregon se ke miq, ke shokë që të respektojnë. Jeta pa miq e shok është si floriri i fshehur në sënduk. Ajo ditë mbetet ndër më të bukurat e jetës sime pasi pashë labë që vërtetë më respektuan ku meritë ka z. Ahmet Demaj. Pasuria më e madhe është respekti, mirënjohja dhe miqësia e sinqertë.

-Na flisni pak për biografinë e familjes suaj, nga rridhni, dhe çfarë lidhje keni pasur me Luftën Nacional Çlirimtare.

Kam nga Dukati, i Vlorës dhe kam lindur dhe jam rritur këtu. Një fshat me të kaluar të ndritur dhe me histori të madhe. Ka një pozicion gjeografik të shkëlqyer dhe është i lakmuar nga të gjithë. Babai im ka pasur tre vëllezër dhe dy motra. Një xhaxhai im, Refit Jazaj ka qenë partizan në Brigadën e Pestë Sulmuese, dhe iku që 13 vjeç partizan. Mbas Luftës shkoi në shkollat ushtarake për aviacion në Rusi. Siç ishin edhe kohët pas luftës, familja ime ishte një familje punëtorësh që punonin me djersën e tyre, gjithë jetën e tyre punuan, krijuan familje, rritën fëmijë dhe përballuan kohën.

-Ku ku keni punuar gjatë sistemit komunist?

Unë kam punuar në SMT, Stacioni i Mekanikëve të Traktorëve, pasi çdo kooperativë kishte qendrën e mekanikës bujqësore. Dhe unë kam qenë atje brigadier për rreth 14 vite. Kam menaxhuar gjithë pjesën e mekanikës, dhe kjo më ka bërë të punoj pranë njerëzve, të shihja vështirësitë e njerëzve, t’i prekja e t’i jetoja nga afër. Kjo më ka kalitur e më ka bërë më të fortë të përballem edhe me sistemin demokratik që erdhi më pas.

  • Kush nga udhëheqësit ka ardhur pranë këtij sektori që keni drejtuar?

Unë në fakt, përveç pjesës së rrethit të Vlorës që vinin herë pas here, mbaj mend që ka ardhur Hysni Kapo, ndoshta në vitin 1972, ka bërë një takim tek kooperativa. Kishte shumë pjesëmarrje dhe nuk harroj një moment që dikush nga ata drejtuesit e ndërmarrjes së madhe, iu ankua dhe i tha se kemi problem që na u dëmtua prodhimi. Ai i tha të mbillnin shumë e të bënin planin. Pra prodhoni dhe mbillni më shumë që të plotësohen deficitet. Ka mënyra për të plotësuar humbjet, vetëm duhet punë. Atë kohë ishin dhe të varfër dhe kishin nevojë të ushqeheshin dhe Hysni Kapo gjeti një mënyrë t’i shmangej problemeve.

  • Si lindi ideja juaj që në demokraci të hapnit një aktivitet jashtë asaj pune që kishit bërë më parë dhe jashtë profesionit tuaj?

Në fakt, edhe mua me ka bërë çudi se si rrodhën ngjarjet. Por unë e kisha të vështirë të largohesha nga fshat,i pasi kisha edhe prindërit, familjen dhe isha djalë i vetëm. Kështu vendosa të rija e të punoja këtu, edhe pse ishte vendi nga ku po iknin të gjithë. Unë kurrë nuk zgjodha emigracionin. Vazhdova të punoja në punë të shtetit dhe më vonë e privatizova SMT-në ku punova. Më vonë SMT-në time e rrita. Kishte kërkesa për traktorë dhe mjete të tjera pune. Ndaj mora mjete të reja. Deri nga viti 2000 puna u rrit dhe unë bëra goxha investime. Ne si Labëri në përgjithësi duam mish, dhe pse ne si fshat detin e kemi afër. Pra fshati im ishte edhe “pranë detit dhe ishim të palarë”, me kuptimin që nuk e dinim pasurinë që na ofronte deti. Ekonomikisht isha mirë, kështu që një ditë një miku im që punonte në emigracion në Greqi më këshilloi të merresha me rritjen dhe tregtinë e peshkut. U habita! Ku dija unë nga kjo tregti. Ajo donte shkollë, investime të mëdha. Por ai e kishte seriozisht, pasi kishte parë shumë në shtetin fqinj. Në atë kohë Greqia ishte furnizuesja e gjithë botës për peshk. Kështu, miku im më tha të merresha me peshk. Por unë nuk e kisha në gjen, jam racë mishi, ne duam mish. Më tha të merresha me peshk, se edhe mishi i kuq është vrasës i shëndetit. E mendova dhe vendosa ta bëja. Mora informacionin e duhur dhe me disa shokë shkuam ku duhej për të marrë informacionin e saktë, pasi të merresh me peshk është shkencë. Duhet të lexosh, të duhet veteriner, biolog, që të rritësh peshkun në kushtet maksimale. Rritja e tij në rrjeta është shumë e vështirë, shkencë ekzakte. T’i japësh peshkut pak ushqim ai stresohet, dhe ngordh, t’i japësh shumë, ai ha pa kujdes dhe arrin të ngordhë pasi nuk mund ta asimilojë. Fati ynë është se erdhën disa izraelitë që ishin të aftë në atë punë, dhe bëmë ortakëri. Ata na mësuan të rrisim dhe të tregtojmë peshk. Punuam shumë vite me ta. Kisha një mikun tim në Tiranë, dhe më pyeti, kur i thashë, se izraelitët do të iknin, më tha ja tani duhet ta blesh vetë kompaninë, pasi ke bërë shkollën hebteje. Me kuptimin qe isha mësuar me gjithë procesin e rritjes dhe ambalazhimit edhe të eksportit. Izraelitët ishin perfekt në punë. Por habiteshin me burokracitë e panumërta tonat. Burokraci që të sfilitin e ta bezdisin punën, thoshin. Pra, ata ikën një ditë, pasi nuk u pëlqeu konkurrenca e pandershme, rimbursimi i TVSH. Kështu që mua m’u hap rruga për ta blerë vetë, por ishte një hap që duhej menduar. Një gabim të shkatërronte, plus që duheshin shuma të mëdha për blerjen. Si përfundim, kur ata ikën unë e bleva biznesin me ndihmën e bankave. Iu futa punës dhe pas kaq vitesh ja ku jam.

  • Në çfarë viti e filluat?

Në 2004, rreth 15 vjet më parë. Në 2013 e bleva unë me djalin tim.

  • Çfarë peshku tregtoni?

Kocë dhe levrek, dy peshqit më të kërkuar nga tregu. Ne me kalimin e kohës do fusim dhe peshq të tjerë apo frutat e detit. Pasi ato duan kushtet e tyre natyrore, si temperaturën etj.

  • Sa e keni hapësirën ujore?

Kam me qira nga shteti 10 hektarë det, dhe brenda kam një kapacitet prej 40 koshash. Bota e peshkut është shumë e çuditshme. Të shkosh në magazinë në Vlorë, mund të gjesh peshk nga Argjentina, Greqia, nga e gjithë bota. Kështu kemi vuajtur me këtë konkurrencë. Aktualisht dhe unë jam lidhur shumë me tregun e huaj. Kam shumë, shumë kërkesa,. Interesi është të tregtosh jashtë, edhe pse duhen shumë standarde, shumë letra. Duhet cilësi.

  • Si cilësi peshku konkurron me Greqinë dhe vendet e tjera?

Kompania që unë kam, “Alb-Adreatiko”, kemi peshk cilësor nga teknologjia që përdorim për rritjen, nga mënyra e të ushqyerit dhe nga ujërat e gjirit të Vlorës, nga ujërat e Karaburunit, që janë ujëra të mira për këtë biznes, pasi janë ujëra të pastra, kanë oksigjen, kanë kripë dhe ka rryma që e pastrojnë. Kjo tregti bëhet me analiza perfekte dhe unë analizat i bëj tek IKV në Tiranë. Jo vetëm kaq, por bëj dhe analizë të hollësishme në Itali. Kemi parametra të shkëlqyer për rritjen dhe ambalazhimin më të mirë se Turqia, apo Greqia.

  • Sa punëtorë keni?

Sot kam rreth 50 vetë. Në magazinë paketohet peshku. Duke pastur gjithë këto standarde dhe certifikata, peshku ynë është bërë i kërkuar kudo në botë, kudo. Kështu po hapet tregu i madh por duhet të shtohet prodhimi.

  • Mendoni se është më cilësor se Italia?

Në fakt Italia prodhon shumë pak peshk të tillë, pasi nuk ka parametrat e duhura deti që ata kanë. Kjo lloj tregtie do thellësi afër bregut. Pra, sa futesh në det të ketë thellësi. Ne i kemi kushtet shumë më të mira se Italia dhe e konkurrojmë në sasi dhe cilësi. Peshku ynë në tregun e brendshëm është dominant. Por tashmë synojmë vetëm tregun e jashtëm, pasi nuk kemi konkurrentë të fortë. Vendi ynë ka kushte të mrekullueshme për këtë lloj peshku.