Mjerimi i të moshuarve në fshat, pensionet sërish në ulje

709
Sigal

Shqipëria me pensionet më të ulëta në Evropë, ai mesatar në fshat është vetëm 70 euro

Mjerimi i të moshuarve në fshat, pensioni mesatar mujor pësoi ulje më 2018

Perspektiva e pensionistëve shqiptarë, sidomos në fshat, paraqitet e mjerë, për shkak se, pagesat e tyre në vend që të rriten, po ulen. INSTAT ka raportuar se pensioni mesatar mujor rural pësoi rënie gjatë vitit 2018 në raport me vitin 2017. Pensioni mesatar në fshat u ul në mënyrë simbolike me rreth 16 lekë, por ndërkohë kjo rënie sinjalizon për një situatë dramatike në trajtimin social të pensionistëve në fshat. Ekonomia e Shqipërisë vitin e kaluar u rrit mbi 4%, me ritmet më të larta të dekadës dhe, nga ana tjetër, të ardhurat nga sigurimet shoqërorë u rritën ndjeshëm në raport me zërat e tjerë. Logjikisht pensionet e fshatit duhet të rriteshin së paku me ritmet e inflacionit rreth 2%, por ka ndodhur e kundërta. Po t’i indeksojmë me inflacionin, pensionet mesatare në fshat kanë pësuar ulje me mbi 2% ndaj vitit 2017. Shqipëria ofron pensionet më të ulëta në Europë dhe në rajon. Në fund të vitit 2018, pensioni mesatar në fshat shënoi 70 euro, ndërsa në qytet 127 euro. Gjatë 20 viteve të fundit, pensioni real në fshat shënoi vitin e kaluar rënien e dytë pas vitit 2013. Pensionet e urbane u rritën me ritme modeste me 348 lekë gjatë vitit 2018 ose 2% më shumë. Skema e pensioneve të fshatit është përfshirë në krizë vitet e fundit për shkak se, numri i kontribuuesve ka rënë në mënyrë dramatike që kur qeveria aplikoi reformën e pensioneve në vitin 2014, e cila i dyfishoi pagesën e sigurimeve të vetëpunësuarve në bujqësi. Në vitin 2016, sipas të dhënave zyrtare të ISSH-së, numri i kontribuuesve në skemë ishte vetëm 58 mijë persona me 2018, me një rënie 38% krahasuar me vitin 2015 ku ishin të siguruar mbi 89 mijë persona. Vitin e kaluar, Instituti i Sigurimeve Shoqërore propozoi disa opsione që do të ruanin balancën në skemën e pensioneve, me qëllim frenimin e thellimit të deficitit. Një opsion ishte rritja e masës së kontributit në masën e të vetëpunësuarve urbanë. Por ky opsion do të sillte reduktim të ndjeshëm të pjesëmarrjes. Ulja e pjesëmarrjes do të ulte ndjeshëm mbulimin e popullsisë me elemente të sigurimeve shoqërore, që nuk është shumë e pranuar nga pikëpamja sociale. Kjo do të sillte në të ardhmen jo të largët rritjen e shpenzimeve për pensionet sociale që financohen nga shteti. Opsioni i dytë është lënia e situatës siç është aktualisht, ku një pjesë e paguan bujku dhe pjesën tjetër shteti. Kjo do të sillte një financim të madh nga buxheti, nuk është i drejtë krahasuar me kategoritë e tjera të kontribuuesve, krijon “privilegje” të pajustifikueshme dhe prish parimin kryesor të skemës, atë kontributiv. Ndërsa opsioni i tretë, që është marrë në konsideratë për ndryshimet e reja ligjore, është ngrirja e masës së kontributit sa është aktualisht, caktimi i një page minimale për bujqit që i përgjigjet kësaj mase kontributi dhe ruajtja e të gjitha kritereve dhe parametrave të formulës në fuqi. Ekspertët në ISSH pohojnë se opsioni i tretë është më i realizueshmi pasi duke vepruar në këtë mënyrë nuk deformohet parimi kontributiv i skemës, pensioni është produkt i kontributeve që paguhen, ulet subvencioni i buxhetit për kontributet dhe mbetet vetëm financimi i deficitit, duke vendosur trajtim të barabartë midis qytetarëve, ndërgjegjësim të popullatës që pensioni nuk është një dhuratë nga qeveria, por një e drejtë që buron nga kontributet e paguara ndër vite (kursimet personale)./Monitor