Isuf Bodo

Pronarët e vërtetë shqiptarë janë dhunuar, nëpërmjet ligjeve që janë miratuar në parlament për kthim, kompensim pronash, duke filluar nga ligji 7501 e deri te ligji 133-2-15. E drejta e pronës tani në Shqipëri gjykohet sipas një ligji vlerësimi për të cilin nga Komisioni i Venecias është bërë mbi një vendim të falsifikuar, e ky falsifikim është bërë nga Avokatia e Shtetit, e cila ka dërguar ne Komisionin e Venecias për marrje mendimi një draft, i cili është është i ndryshëm nga drafti që ka diskutuar maxhoranca në parlamentin shqiptar. Për sa i përket të drejtave dhe lirive të Njeriut, Shqipëria ka bërë shumë hapa pas. Një nga këto të drejta të dhunuara është edhe e Drejta e pronës, duke e zëvendësuar atë nga një e drejtë themelore e garantuar me ligj, në një mekanizëm shtetëror, që shkel parimin e sigurisë juridike, parimin e barazisë ligjore, mosdiskreditimin dhe të drejtat e pronës, duke dhunuar kështu nenin 6-1 të Konventës dhe nenin 1 të Konventës të Këshillit të Evropës. E drejta e pronës në Shqipëri gjykohet sipas një ligji që vetëm mashtron dhe tall pronarët e vërtetë. Ligji 133-2015 është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e vendit, me vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, me Konventat evropiane, dhe me vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Kjo gjykatë ka kundërshtuar ligjin 133-2015 nëpërmjet vendimit të tij. Ligji 133-2015 vlerëson me 2 standarde të njëjtën pronë, ia merr pronarit të ligjshëm që e ka trashëguar, ose shtetëzuar padrejtësisht, me çmimin që ka caktuar qeveria, dhe ia shet një të treti me çmim më të lartë. Pronarët që kanë marrë një pjesë të vogël të pronës humbasin pjesën tjetër pasi, sipas këtij ligji vlera e tokës së marrë më parë llogaritet me vlerën e tregut sot. Kurse pjesa e mbetur për t’u marrë llogaritet me çmimin e tokës sipas zërit kadastral, që ka pasur në momentin që është shtetëzuar.

Ligji 133-2015 është kontradiktor në vetveten e vet, pasi thekson se shpërblimi do bëhet sipas çmimit të tregut por edhe sipas zërit kadastral. Me siguri ligjbërësi nuk e ka idenë se çdo të thotë ekonomi e tregut. Detyrohem të sqaroj se koncepti i ekonomisë së tregut do të thotë që prona cilado qoftë ajo shitet ose blihet me çmimin që ka në momentin që tjetërsohet, Po ashtu, djallëzia e ligjbërësve për kthimin e kompensimin e pronave duket edhe në faktin se prej kohës që u bë ligji 5701 më 1991, 3 deri më sot ai për t’I keqësuar ka ndryshuar me VKM 16 herë. Edhe emërtimi nga AKKP në AKP e ATP është bërë me keqdashje. Trajtimi domethënë sipas dëshirës. Sipas qeverisë ky ligj bëhet sepse buxheti I shtetit nuk e përballon faturën financiare për të shpërblyer pronarët e vërtetë. Pra përdor një orbivice për të prodhuar një padrejtësi që shkon në të kundër me Kushtetutën tonë, dhe të Drejtat e Njeriut. Formula që aplikohet për vlerësimin e pronës ul ndjeshëm përfitimin për pronarët. Çmimet e caktuara nga qeveria për kompensim janë qesharake. Në një nga listat që përditëson ATP për pronarët me dosje të viteve 1993 e deri në vitin 1997 për 2431 pronarë që kompensohen 1814 pronarë deklarohen nga ATP që nuk kanë marrë kompensim për pronën e kërkuar pasi kanë marrë një pjesë të saj. Jo vetëm kaq, por duhet t’i kthejë para qeverisë pasi një pjesë e pronës që kanë marrë paska çmimin më të lartë se prona që ka mbetur pa marrë. Pra dy standarde. Në këto kushte qeveria është zemërgjerë dhe u fal paret që kanë marrë më tepër nga prona e tyre. Absurditet më të madh nuk ka. ATP në vlerësimin e tokës bujqësore në vendimet që ka dhënë e ka me 13.5 lekë për çdo metër katror në një kohë që një gazetë kushton 30-50 lekë, po ashtu me 1 euro mund të blesh 10 m2 tokë bujqësore, ose mund të kompensohen 10 m2 tokë pot ë mos harrojmë se në një sezon mbjelljeje 1 m2 tokë merret prodhim me vlerën 3 euro. Zotërinj ligjbërës ju pyes: në cilin kënd qoftë dhe më të largëta të Atdheut tonë mund të blihet me 1 euro 10 m2 tokë, qoftë edhe ajo shkëmbore? Këto ligje qesharake bëhen nga deputetë të parlamentit që janë të papërgjegjshëm. Parlamenti ynë i cili nuk është tamam parlament pasi funksionon thjeshtë si një noter i kryeministrit të radhës duke miratuar ligje me votat e shumicës, pa e vrarë mendjen fare.

Të gjithë deputetët e majtë e të djathtë janë shërbëtorë të kryetarit të partisë së tij. Ne këto kushte, vendo efektivisht nuk ka parlament dhe kjo është si pasojë se deputetët emërohen nga kryetari i partisë, gjë që i detyron ata të votojnë thjesht çfarë do kryetari. Në 16 korrik 2015 u organizua një takim i zgjeruar i ministrisë së Drejtësisë, Avokatit të Popullit, Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, dhe shoqatave të ish-pronarëve për të prezantuar ligjin e kthimit të pronave sipas udhëzimeve të BE-së. Por, qysh në fillim të atij takimi u tha se grupet e interesit nuk do të diskutojnë. Me këtë situatë përfaqësuesit e ish-pronarëve u larguan. Për çudi të të gjithë të pranishmëve kryeministri Rama i pranishëm, me arrogancën e prepotencën që e karakterizon kërkoi që përfaqësuesit e shoqatave të ish-pronarëve të largoheshin sa më shpejt. Më e keqja ishte se edhe trupi diplomatik që ishte i pranishëm heshti dhe u bë palë me arrogancën e kryeministrit Rama. Madje, këta përfaqësues të BE-së e cilësuan atë ligj të qeverisë 133-2015 si diçka pozitive. Kaq kontradiktor është ky qëndrim, saq ë tani zonja Vllahutin, në ikje si ambasadore e BE nga Shqipëria ka deklaruar që problemi i pronave në Shqipëri është i pazgjidhshëm. Bashkimi Evropian i ka kushtëzuar Shqipërisë edhe reformën e pronësinë dhe zgjidhjen e saj. Mirëpo Shqipëria, qeveria e Ramës vetëm dezinformon Bashkimin Evropian. Fakti që Gjykata e Strasburgut u jep të drejtë të gjithë ish pronarëve që ankohen deri aty duke detyruar shtetin shqiptar të dëmshpërblejë me vlera reale pronën e grabitur, dëshmon që qeveria jo vetëm që nuk ka vullnet politik ta zgjidhë problemin e kthimit dhe kompensimit të pronave, por bën gjithçka që ta mohojë, ta tjetërsojë, sepse në fakt, ata vetë, qeveritarët, gjyqtarët prokurorët e zyrtarët më të lartë të shtetit kanë grabitur pronat e pronarëve të vërtetë. Neni 17 i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut thotë: Askush nuk duhet të privohet arbitrarisht nga pasuria e tij. Ka shumë propagandë ku thuhet se para 1944 kishte shumë pak pronarë tokash në Shqipëri. Kjo nuk është e vërtetë. Mbi 80 % e popullsisë ka pasur pronë dhe t’ua kthesh tani atë pronë pronarëve të vërtetë është detyrim kushtetues. Shqipëria nuk mund të shkojë në Evropë pa zbatuar kthimin e pronave pronarëve të vërtetë. Nëse prona nuk u kthehet pronarëve të vërtetë nuk mund të ketë edhe investime të huaja në Shqipëri. Ligji për investimet strategjike që propagandon qeveria është një nga padrejtësitë më të mëdha që u bëhet pronarëve të vërtetë, sepse sipas këtij ligji, prona i merret një private dhe i jepet një private që investon duke e komentuar këtë padrejtësi gjoja për interes publik. A është e drejtë kushtetuese që qeveria t’i marrë pronën në bregdet pronarit të vërtetë dhe t‘ia kompensojë atë atij në mal?