Kisha pranon që ka si biznes 3 HEC-e dhe që Janullatos është “menaxheri i tyre”

    487
    Zyra e Shtypit e Sinodit të Shenjtë, strukturë e paguar në borderonë e Kishës Orthodokse Greke në Tiranë (jo ortodokse, sië e quan veten tani), ka reaguar dje lidhur me një shkrim të botuar në gazetën “Telegraf’, ku denoncohet me prova shkresore, fakti që shtetasi dhe kryepeshkopi grek i kishës shqiptare Anastas Janullatos ka në pronësi 3 HEC-e në rrethin e Librazhdit në Shqipëri, në përroin e Rapunit. Në reagimin që Kisha “Janullatos” ka dërguar në gazetën “Telegraf”, thuhet se kryepeshkopi Janullatos është bekuar nga ortodoksit shqiptarë dhe po punon për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Se si dhe nga cilët dhe përse është vendosur ish-nxënësi i klerikut shovinist grek antishqiptar të Konicës Sebastionos, hirësia e tij Janullatos në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare, kjo dihet dhe është e regjistruar edhe në një protestë videofilm në vitin 1992, ku Janullatos u fut në portën e kishës së Nolit në Shqipëri. Por le të ndalemi me fakte konkrete, tek fakti që Janullatos i ka 3 HEC-e, biznes që është krejt i palighshëm. Kisha e çdo besimi qoftë, ka të drejtë të administrojë pronat historike të trashëguara që ka ose që krijon me të ardhurat e kishës. Nuk ka asnjë kishë, asnjë xhami, asnjë teqe, asnjë tyrbe, që të ketë biznese ekonomike në sektorin strategjik të një vendi e të një shteti. Kisha është e ndarë nga shteti dhe nuk mund të përfitojë pasuri, financime e koncesione nga shteti. Përse atëherë, kjo kishë ka përfituar nga shteti shqiptar 3 HEC-e dhe disa koncesione të tjera të cilat mbahen të fshehta, ose edhe që maskohen pas arsimit, si universitete private, ku janë të punësuar profesorë që bëjnë politikën greke të PBDNJ? Nëse kisha lejohet me ligj shqiptar, që të hap shkolla, kjo i lejohet vetëm për shkolla të larta e të mesme (jo minorene) brenda programit të saj fetar. Ç’punë ka psh Kisha “Janullatos” që të ushtrojë aktivitet universitar në degët energji, ushtri, polici, politikë, siç ushtron faktikisht në universitetin e palicensuar që ka hapur në Shqipëri?! Kështu po ndodh edhe me 3 HEC-et që ka kjo kishë, më saktë, që Janullatos i administron si pronë dhe si të ardhura nën veladonin e zi të kryeprifitit të klonuar me një dekret absurd e antikushtetues në vitin 1992. Nuk merremi as me paragjykimet dhe hamendësimet që Kisha bën në dekaratën e saj ndaj gazetarit P. Halili. Ne flasim me prova. Provat që kisha ka përfituar 3 koncesnione HEC-esh është fakt. Prova që kjo është e paligjshme është përsëri fakt. Prova që ju përdorini një ligj me të drejta fetare si argument për të justifikuar pronësinë mbi këto tre HEC-e është përsëri fakt. Ligji që ju përmendni si argument ligjor ka Nr.10 057, datë 22.1.2009 dhe flet për ratifikim të “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”, shpallur me dekretin Nr.6033, datë 29.1.2009 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në kreun e parë të këtij ligji, që ju e quani marrëveshje, në kreun e parë, neni i parë, thuhet vetëm kaq: “Kjo marrëveshje rregullon çështjet e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit midis Shtetit Shqiptar dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në të mirë të secilit dhe të të gjithëve, mbi bazën e parimeve kushtetuese që garantojnë lirinë e shfaqjes dhe të ushtrimit të besimit fetar, si dhe të dëshirës së përbashkët për të forcuar dhe zhvilluar marrëdhëniet e ndërsjella”. Ju kujtojmë edhe qëllimin e kësaj marrëveshjeje, të lidhur sipas ligjit Nr.10 057, datë 22.1.2009 të cilin ju përdorini si ligj që ju jep të drejtën të përfitoni HEC-e. Ja çfarë thuhet: “Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje është: 
    a) të garantojë realizimin e të drejtave të sanksionuara nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi në
    lidhje me lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë;
    b) të njohë e të garantojë respektimin e të drejtave të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të institucioneve dhe strukturave të saj, si dhe të personave juridikë të themeluar prej tyre, për të zhvilluar lirisht misionin e tyre fetar, edukativ e bamirës;
    c) të njohë dhe të garantojë paprekshmërinë e institucioneve të kultit, për aq sa veprimtaria e tyre nuk vjen në kundërshtim me ushtrimin e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë, si dhe me Kushtetutën e ligjet në fuqi dhe me kanonet dhe traditën e shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë;
    d) të garantojë lirinë e individit për të zgjedhur ose ndryshuar fenë, për ta shfaqur atë individualisht ose kolektivisht në institucionet fetare, ose jashtë tyre, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve fetare;
    e) të sigurojë lirinë e individit për të mos ndaluar dhe as detyruar të bëjë pjesë në një bashkësi fetare, ose të marrë pjesë në praktikat, ritet dhe në strukturat drejtuese të saj. Me anë të kësaj marrëveshjeje, palët angazhohen në sigurimin e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë. Kjo liri nuk mund të bëhet objekt i kufizimeve të tjera nga ato që, të parashikuara me ligj, përbëjnë masat e nevojshme në një shoqëri demokratike, për sigurimin publik, për mbrojtjen e rendit, të shtetit, të shëndetit e moralit publik, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve”. Në numrat e ardhshëm do të publikjmë fakte të tjera skandaloze e abuzive nga veprimtaria e kishës që drejtohet nga Janullatos.
    —————————————————- 
    Ja reagimi zyrtar i Kishës “Janullotos”, që ka përfituar pa tender, 3 HEC-e nga shteti shqiptar
    KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
    PËRSE BËHET NJË SHTREMBËRIM I TILLË DINAK?
    Në gazetën “Telegraf” të datës 15.04.2015, u botua përsëri një artikull fyes antiorthodhoks, me titull «Janullatos, koncesionar me 100% aksione në 3 HEC-e dhe dora e Perëndisë del se është futur në mënyrë të paligjshme në xhepin e fitimeve të koncesionarëve”. Ato që thotë gazetari Përparim Halili në lidhje me veprën hidroenergjetike, nuk përbëjnë asnjë lajm të ri. Gjithçka, me detaje, është botuar me kohë në rrjetet zyrtare të shtetit shqiptar. E vetmja gjë e re është përpjekja për të shtrembëruar faktet dhe shpifja, me retorikë histerike të një niveli të ulët, ndaj personit iniciator të këtij kontributi të madh shoqëror. 
    Vepra hidroenergjetike në fjalë, është një investim i madh në sektorin energjetik në dobi të Shqipërisë. Nuk i takon Kryepiskopit, por Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kryepiskopi Anastas, si person ekonomikisht i pavarur, me pensionin e tij universitar dhe, duke bërë një jetë modeste, nuk mban asgjë për vete apo për ndonjë tjetër. Të gjitha ia ka ofruar Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Veprimet e Kryepiskopit bashkëvendosen me organet kompetente kishtare. Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, me autoritetin ndërkombëtar që gëzon dhe besimin e madh që kanë ndaj tij organizmat fetarë europianë e botërorë, është ai që mori iniciativën dhe që kujdeset për grumbullimin e fondeve të nevojshme të ndërtimit të veprës, që me siguri do të mbetet dhe do shërbejë vendit. 
    Të dhënat reale që nuk mund të vihen në dyshim
    a) Sipas ligjit 10057, të datës 22.01.2009, “Marrëveshja midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella” nenet 10 dhe 18 etj., Kisha Orthodhokse lejohet të ushtrojë aktivitet ekonomik që synon mbështetjen e veprës së saj shpirtërore, sociale, filantropike dhe arsimore. Me vendim të Gjykatës së Tiranës, (2498/19.3.2009), që u nxor sipas detyrimit të ligjit në fjalë “Kryepiskopi ka të gjitha detyrimet dhe të gjitha të drejtat e parashikuara nga Kanonet e Shenjta dhe nga Statuti. Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë është Prof. dr. Anastasios Gerasimos Yannoulatos”. 
    b) Statuti i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, neni 59, thotë: “Sinodi i Shenjtë mund të krijojë shoqëri të veçanta me përgjegjësi të kufizuar”.
    c) Qëllimi i shoqërisë “Energjia Ekologjike”, e krijuar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, siç deklarohet në statutin e saj, është: «Studimi, ndërtimi dhe funksionimi i veprave energjetike bazuar në burimet e rinovueshme ose ofrimi i shërbimeve në Shqipëri dhe jashtë saj, me synimin ekskluziv krijimin e burimeve financiare për veprën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, bazuar në parimet e ndershmërisë, transparencës dhe zbatimit të përpiktë të legjislacionit në fuqi». 
    Investimi në fjalë, do të mbështesë edhe ekonomikisht “Autoqefalinë” e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, veprën e saj sociale, filantropike dhe kulturore. Pra, të ngjall dyshim fakti, përse disa qarqe kanë si qëllim shpifjen dhe minimin e kësaj përpjekjeje. Kjo është një vepër madhështore, që tashmë po jep kontributin e saj në zhvillimin e vendit, duke iu ofruar punësim direkt mbi 100 punonjësve shqiptarë dhe ka një kontribut afatgjatë social akoma edhe më të gjerë. Pikërisht, këtë vepër, gazetari në fjalë, u përpoq ta akuzojë si të paligjshme dhe të rrezikshme dhe njëkohësisht të sulmojë me një dëshirë të sëmurë antiorthodhokse Kryepiskopin Anastas, i cili është frymëzuesi dhe protagonisti i saj, duke përdorur etiketime përbuzëse dhe që nuk qëndrojnë në të vërtetë. Teksti i z. Halili do të mbetet një shembull i gazetarisë së pandërgjegjshme, shtrembëruese, që ka si synim keqinformimin e opinionit publik. Por realiteti nuk mund të vihet në dyshim. Dhe balta e akuzave dinake nuk i reziston dot rrjedhës së ujit të pastër të së vërtetës. 
    Zyra e Shtypit e Sinodit të Shenjtë
    17.04.2015
    Sigal