Dështimi i policisë para grabitësve të Rinasit

555
Sigal

Nga Miltiadh M. Muçi 

Sulmet dhe grabitjet e përsëritura në Kashar, të blindave që transportojnë valutën e bankave të nivelit të dy të, për në aeroportin e Rinasit, në vitet 2015-2018, u bënë vërtetë të rrezikshme. Rasti i parë i grabitjes ndodhi pranë objektit të bankës, ku forcat e sigurisë të policisë private të kapura në befasi, nuk patën mundësi të reagonin. Më pas ndodhën në rrugën e Kasharit për në Rinas dhe u mendua, se bashkëpunohej me autorët. Në mënyrën më perfekte, në kohë fare të shkurtër gjithçka kishte përfunduar. Valuta që transportohej ishte përvetësuar, ndërsa personat për fare pak minuta zhdukeshin pa saktësuar si dhe nga largoheshin. Në një rast, autorët e kryen grabitjen brenda territorit te aeroportit, pasi u futën me autoveturë dhe arritën në vendin e momentin, kur thasët me valutë nxirreshin nga blindat për t’u vendosur në avion Me qetësinë e sigurinë e  tyre u larguan, duke alarmuar gjithë të pranishmit në pistë dhe cenuar seriozisht sigurinë e udhëtarëve dhe te njerëzve të tjerë të shërbimit e transportimit të valutës.

Për habi strukturat e policisë në gjithë rastet ngarkonin me përgjegjësi forcat e sigurisë private,  pa e ndierë detyrimin që kishin në zbulimin dhe kapjen e autorëve pas grabitjeve, kur vjedhjet e bankave dhe grabitjet në blind dhe brenda territorit të aeroportit kanë qenë pasojë e papërgjegjshmërisë së punonjësve dhe strukturave të Policisë të Shtetit. Me këtë titull kam reaguar dhe shkruar, në gazetën “Telegraf”, të 10 gushtit 2017,  “Vjedhjet e bankave papërgjegjshmëri e Policisë së  Shtetit”. Pas atij rasti të ndodhur në vitin 2018, kapja nga policia, arrestimi nga organi i Prokurorisë i disa bashkëpunëtorëve në grabitje, pse jo dhe i gjykatës, ishin hapat më të gabuar, më të këqij kur mbetej dhe duhej fiksuar e dokumentuar, cilat ishin lidhjet e tjera të rëndësishme të ideatorëve dhe ekzekutorëve, pjesëmarrës në gjithë rastet e ndodhur në rrugën dhe pistën e Rina- sit. Pse jo dhe në rastet e tjerë, që nuk kishin lidhje me grupet e shoqërimit të valutës, sikur rezultoi më pas kur u mësuan autorët kryesorë të pa kapur, ndërsa shumat e mëdha të valutave u groposën apo u hodhën në përdorim, për të realizuar synimet e tyre.

Janë këto gabime në fillim të veprimeve dhe më pas, që çuan në dështimet e policisë, të prokurorisë, por dhe të gjykatës që shprehet me dënime të ulëta të grabitësve kur ndodhen para drejtësisë. Këto gabime sollën ngjarjen më të fundit dhe  më të rëndë të Rinasit, ku një nga autorët u vra, ndërsa  tre apo katër të tjerët jo vetëm u larguan, por nuk janë identifikuar. Pasojë e paimagjinueshme është dhe shuma e lartë, e pabesueshme e valutës së grabitur që si në rastet më parë asnjëherë nuk është gjetur dhe kthyer nga autorët.

Gabimi më i madh është i Policisë e Prokurorisë, për ngjarjet e njëpasnjëshme, të përsëritura, të ndodhura për gjatë rrugës së Rinasit. Në fillimet e tyre nuk u vlerësuan, sepse “garant për sigurinë dhe transportimin” e vlerave valutore janë “vetëm trupat e policisë private”, sikur është pretenduar nga Policia e Shtetit. Sigurisht që mbeten përgjegjëse, deri kur ndodh ngjarja, më pas përgjegjësia i përket policisë, që ka detyrimin ligjor të parandalojë dhe zbulojë veprimtarinë kriminale në vend. Pse ekzistojnë shoqëritë private të rruajtjes e sigurisë, veprimtaria e tyre s’do të thotë të mos kontrollohet nga strukturat e veçanta të Policisë së Shtetit. Midis  tyre duhet të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm, të programuar dhe kontrolluar, që nuk ka funksionuar, dhe pse janë parashikuara në akte normativë, në urdhra e udhëzime. Nuk mjafton pajisja me dëshmi e efektivit të kësaj trupe nga Akademia e Policisë së Shtetit. Tashmë grupet kriminale demonstrojnë qartësisht se janë shumë më të organizuar nga strukturat e Policisë së Shtetit. Këtë tregoi dhe ngjarja më e fundit e Rinasit, ku grabitësit të armatosur edhe me granata, arritën të futeshin në barkun apo hambarin e avionit, që do të thotë se mund të kishin hyrë në kabinën e aviatorëve.

Krimi nuk parandalohet, as nuk zbulohet, me shpresën, nëse kamerat përreth mjedisit ku ndodh ngjarja, i kanë fiksuar dhe identifikuar apo jo autorët, por nëpërmjet njohjes, evidentimit dhe padyshim kontrollit të rreptë të tij, sidomos për ngjarje me rrezikshmëri të mëdha shoqërore, të përsëritura disa herë në grabitjet e valutave për transportim jashtë vendit. Ato nuk ishin analizuar me seriozitetin e duhur, nuk ishte bërë studim i thellë, për të qenë në dijeni të asaj çfarë po ndodhte, të rrethanave në të cilat u përsëritën ngjarjet, të mangësive që kanë ekzistuar tek Policia e Shtetit. E përshkuar nga  euforia që ka karakterizuar lidershipin e saj, të  “përkëdhelur” shpesh nga kryeministri, se “ajo i ka zbardhur ngjarjet e ndodhura”, asnjëherë nuk u publikuan detajet për personat pjesëmarrës, drejtimin nga autorët largoheshin, mjetet e përdorur dhe të djegur prej tyre, shumat e përvetësuara, paaftësinë e policisë  t’i parandalonte, personat e dyshuar si bashkëpunëtorë, të mos respektimin të rregullave të shoqërimit të vlerave valutore nga bankat për në aeroport dhe të tjera pambarim.  Jo vetëm për këto grabitje, por dhe për  të objekteve të bankave, sikur ishte edhe rasti në zonën e Bllokut në Tiranë, Policia e Shtetit nuk i ka pranuar asnjëherë përgjegjësitë e përcaktuar në  Nenit 17 të Ligjit “Për Policinë e Shtetit”, që nuk të lenë aspak mundësi interpretimi, se policia ka detyrë:

  • Në germën “a” – mbron …pronën publike e private;
  • Në germën “b” – ruan rendin dhe sigurinë publike;
  • Në germën “c” – parandalon, zbulon dhe heton në përputhje me legjislacionin penal dhe procedurial penal veprat penale dhe autorët e dyshuar;
  • Në germën “e” – mbikëqyr e kontrollon kufijtë shtetërorë;
  • Në germën “h” – ruan dhe siguron…objektet e rëndësisë së veçantë.

Prandaj kurrsesi nuk mund të mendohet e diskutohet se përgjegjësia është e koncesionerit apo ndokujt tjetër.