Akordohen 97 kuota për specializime, kur në vend mungojnë më shumë se 300 mjekë specialistë

    421
    Edhe pse problemi për mungesën e mjekëve specialistë në spitalet e vendit, ka qenë një nga debatet më të përfolura, mangësi kjo e pranuar edhe nga vetë Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, përsëri këtë vit nuk është bërë asgjë për shtimin e kuotave për specializim. Vitin e kaluar akademik janë dhënë 365 kuota për specializime, ndërsa këtë vit, kjo shifër ka shkuar në 97 kota, pra 268 kuota më pak se vitin e kaluar, Ky vendim vjen në kohën kur kërkesa nga spitalet e vendit për mjek specialistë është shumë herë më e madhe. Vetë ministri Beqja në fillim të muajit korrik të këtij viti, ka pranuar këtë fakt, duke u shprehur se 289 mjekë specialistë mungojnë në spitalet jashtë Tiranës, pra edhe pse ky fakt është pranuar, përsëri nuk është bërë asgjë për të shtuar numrin e kuotave për specializime. Për këtë vit vënia në dispozicion e 97 kuotave nga ana e qeverisë shqiptare për ciklin e tretë të studimeve në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë është ndarë në këtë mënyrë; 92 kuota për brenda territorit dhe 5 kuota për trojet. Për këto kuota gjithashtu ka dhe një tjetër ndarje; 80 janë kuota pranimi të mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë; 3 kuota për transferime, të mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë; 2 kuota pranimi të pambuluara nga Ministria e Drejtësisë; 5 kuota pranimi të mbuluara nga Ministria e Mbrojtjes dhe 2 kuota pranimi të pambuluara nga Ministria e Punëve të Brendshme. Edhe pse kuotat e pranimeve për transferim studimesh shpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, mbështetur në kërkesat e Ministrisë së Shëndetësisë, bazuar në nevojat e shërbimit shëndetësor për mjekë të specializuar, asgjë nuk është bërë në shtimin e numrit të këtyre kuotave, duke lënë përsëri spitalet jashtë Tiranës, por jo vetëm, të vuajnë mungesën e mjekëve specialistë. 

    Këto janë kuotat e përcaktuara për secilën degë të mjekësisë:
    Alergologji, 3 kuota; Anatomi Patologji, 3 kuota; Anestezi reanimacion, 6 kuota; Dermatologji, 2 kuota; Endokrinologji, 3 kuota; Gastrohepatologji, 2 kuota; Hematologji, 2 kuota; Diagnozë me imazhe, 6 kuota; Kardiokirurgji, 0 kuota; Kardiologji, 8 kuota; Kirurgji e përgjithshme, 4 kuota; Kirurgji maxilo-faciale, 0 kuota; Laborator klinik-biokimik, 3 kuota; Mikrobiologji, 3 kuota; Mjek familje, 0 kuota; Mjekësi interne, 0 kuota; Mjekësi ligjore, 0 kuota; Nefrologji, 2 kuota; Neurologji, 3 kuota; Neurokirurgji, 0 kuota ORL, 4 kuota; Obstetrikë gjinekologji, 5 kuota; Okulistikë, 6 kuota; Onkologji, 3 kuota; Ortopedi traumatologji, 1 kuotë; Pediatri, 5 kuota; Pneumologji, 3 kuota; Psikiatri, 3 kuota; Psikiatri e fëmijëve, 0 kuota; Rheumatologji, 2 kuota; Sëmundje infektive, 3 kuota; Shëndet publik, 0 kuota; Pedodonti, 0 kuota; Toksikologji klinike, 3 kuota; Mjekësi urgjence, 4 kuota; Mjekësi transfuzive, 2 kuota.  Vendimi për dhënien e 97 kuotave për specializim, është marrë në kohën, kur në 38% të qendrave shëndetësore në vend mungojnë mjekët specialistë, për të mos folur për spitalet e rretheve, ku gjendja paraqitet akoma më e rënduar. Janë me qindra aplikantë që do aplikojnë për të zënë 97 kuotat e përcaktuara. Po ajo që bie në sy këtë vit është, se numri i kuotave është ulur në mënyrë drastike, ndërsa, tarifa prej 115 mijë lekësh që fituesit kanë detyrim të paguajnë për llogari të Fakultetit të Mjekësisë, nuk ka ndryshuar. 
    Sigal