Këta janë të famshmit shqiptarë që kanë pranuar problemet me ankthin dhe depresionin

500
Sigal

Problemet e shëndetit mendor po shihen sot si sëmundjet që po kërcënojnë shoqërinë moderne. Njerëz të zakonshëm apo të famshëm, nën presionin e dilemave, vështirësive, e shpesh të famës e të qenit persona publik i ekspozojnë ata ndaj fenomeneve të papritura që bëhen shkas për luhatje të humorit, vetëbesimit, ankthit, dominim nga mendimet negative e mbytëse, etj.

Flaka Krelani
Këngëtarja e njohur kosovare është një nga artistet e njohura që në daljet e saj publike nuk ka ngurruar që të pranojë hapur problemet që ka pasur me shëndetin mendor. “Fundi i vitit 2018 dhe fillimi i vitit 2019 ka qenë i vështirë për mua fizikisht dhe mendërisht. Arsyeja që po shprehem kaq shumë, është sepse secili prej nesh ka vështirësi të cilat janë normale, zhgënjimet gjithashtu janë normale, si mungesa e motivimit, nuk është fundi i botës apo gjëra të tjera që na bëjnë të ndihemi keq. Do të doja të gjitha të ishin si ilaçe që të mund t’i konsumoja çdo ditë, sepse më ndihmojnë të arrijë gjithçka që dua në jetë. Ajo që jemi, është ajo për të cilën jemi të gatshëm të luftojmë. Kthejeni veten në prioritet dhe mos e ktheni “problemin” në problem, sepse ai nuk ekziston. Shëndeti është e vetmja gjë e rëndësishme në jetë”, ka thënë ajo në një intervistë dhënë për një media kosovare.

Rita Ora
Një tjetër diva e muzikës shqiptare, një yll i muzikës botërore si Rita Ora nuk e ka pasur fare problem që të shprehet në publik për problemet me ankthin. Përpara tri viteve në një intervistë ajo pranoi shqetësimet nga smëundjet mendore. “Vuaj nga ankthi dhe kam frikë të pranoj që kam qenë në terapi. Edhe kohët e fundit flas me një specialist një herë në javë”, është shprehur artistja.

Albano Bogdo
I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze drite” në A1 Report, vetëm pak kohë më parë, ai pranoi gjatë emisionit se kishte vuajtur nga problemet serioze me shëndetin mendor. Aktori i njohur i humorit Albano Bogdo, u shpreh se: “Për rreth tre vjet e gjysmë jam kuruar dhe vazhdoj të kurohem, sepse më zë paniku dhe ankthi. Unë, që t’i bija shkurt, zgjodha pijen dhe jetën e shfrenuar. Pija dy shishe alkool në ditë dhe kjo zgjati për afro një vit e gjysmë-dy vjet. Tani më duket sikur më zënë mallkimet e 300-400 njerëzve që kam lënduar”, u shpreh aktori, ndërsa duket se jeta e tij i është kthyer normalitetit. Ai është pjesë e kastit “Klanifornia”, show-t të humorit që nisi fundjavën e kaluar në TV Klan dhe është një nga aktorët më protagonistë në të.

Bebe Rexha
Këngëtarja shqiptare është absolutisht një nga yjet e muzikës botërore. Nuk janë vetëm prurjet e saj artistike dhe bashkëpunimet muzikore ato që e bëjnë protagoniste të kopertinave më prestigjioze në botë. Pikërisht, në një prej tyre, si pjesë e cover-it të “Teen Vogue” për herë të parë Bebe Rexha pranoi hapur problemet serioze me shëndetin mendor. “Unë qaj shumë. E kam të vështirë. Kam terapistin tim dhe kam njerëz me të cilët flas. Është një betejë e përditshme, mendoj. Unë nuk dua ta ushqej, por jeta ime është kaq e çmendur. Kur shkova fillimisht në vitin e parë të kolegjit, isha kaq intensive. Unë nuk dija se si të reagoja dhe të përfshihesha mes njerëzve. Unë kam qenë shumë e shqetësuar gjatë gjithë kohës. Isha e shqetësuar kur isha një vajzë e vogël, thjesht nuk e dija se çfarë ishte. Së fundi, kur e kuptova, isha si: ‘Oh… Më në fund, e kuptoj. Kam ankth”, tha ajo, shkruan Class.

Dafina Zeqiri
Artistja e adhuruar, me qindra këngë të kthyera në hite, ka bërë për vete miliona fansa në Shqipëri, Kosovë, e gjetkë. Dafina Zeqiri nuk njihet vetëm për ndryshimet e guximshme në stilin e veshjeve, por sidomos në modelin e flokëve, por edhe për mënyrën e hapur si i flet gjërat. E drejtëpërdrejtë, Dafi nuk ka hezituar që të flasë edhe për një nga periudhat më të errëta në jetën e saj. Problemet me depresionin, arsyet dhe sugjerimet e saj të vlefshme. “Depresioni është real dhe mund të jetë i dukshëm. Flisni! Kujdesuni për njëri-tjetrin! Mos e merrni mirësinë për dobësi! Mos e merrni dashurinë, besnikërinë dhe suportin të garantuar! Ju dua me gjithë zemër”.

Lori Hoxha
Trashëgimtarja e pasur e Top Channel, njëherësh një nga vajzat më frymëzuese për brezin e ri, për stilin e veshjes, për jetën dhe përditshmërinë që ajo shpesh e ndan me publikun virtual përmes postimesh të ndryshme së jashtmi na ka bërë gjithmonë të besojmë se gjithçka në jetën e Lori Hoxhës është në kufijtë e perfeksionit. E përmbushur në çdo aspekt të jetës, e lumtur, por ja që në thelb problemet paskan qenë aty. Vetë Lori ka guxuar të pranojë hapur në Instagram se një periudhë të jetës ka vuajtur nga ankthi dhe paniku. “Këtë periudhë, vitin e kaluar, mezi postoja sepse vuaja nga ankthi dhe paniku. Faleminderit Zot për ndryshimin dhe rritjen”, ka shkruar Lori në postimin e saj.