Këngëtarja shqiptare, Rita Ora dhe nëna e saj takohen me princ Harry-n

548
Sigal

Këngëtarja shqiptare Rita Ora dhe nëna e saj Vera Ora ditën e djeshme kanë qenë pjesëmarrëse në një koncert bamirësie në Pallatin e Gjykatës së Hampton në Angli.

Gjithçka ishte e organizuar më së miri nga Harry dhe tematika kryesore ishte ajo e mbledhjes së parave të nevojshme për të ndihmuar njerëzit që ndodhen në Afrikë.

Pothuajse të gjithë e dimë tanimë dashurinë e madhe që Harry ka për Afrikën dhe ai prej vitesh ka shprehur vendosmërinë e tij për të ndihmuar njerëzit në nevojë të cilët fatkeqësisht çdo ditë e më shumë përballen me luftën për mbijetesë.

Në koncertin në fjalë ishte e ftuar edhe këngëtarja me famë botërore Rita Ora me nënën e saj, e cila ka mbetur e impresionuar nga sjellja e princit.

Ajo ka shpërndarë disa foto në llogarinë e saj në Instagram dhe krah tyre ka shprehur hapur përshtypjen pozitive që i ka lënë Harry.

“Ai ishte aq i përulur teksa në fjalimin e tij pohoi: Unë nuk do t’ju marr shumë kohë. E kuptoj që jeni këtu për të parë Rita Orën dhe jo mua”, ka shkruar Vera.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që ylli i muzikës takohet me princ Harry-n. Në fakt ata kanë një miqësi të mirë me njëri-tjetrin dhe kjo dihet botërisht.