Kujdes nga produktet dinake! Janë thjesht humbje parash

875
Nga Denisa KONA

Ka të drejtë farmacisti Maksi Bratko, kur thotë që po reklamojnë si shpikjen me të madhe formulimin Omega 3-Omega 6- Omega 9 dhe prandaj duhen ndërgjegjësuar njerëzit. Unë sot e pashë për herë të parë reklamën e këtij produkti. Unë nuk do t’ju them mos e blini apo blijeni. Unë do t’ju them vetëm disa fakte shkencore.

1. Acidet yndyrore Omega 9 nuk janë acide yndyrore esenciale. Kjo nuk do të thotë që nuk janë të rëndësishme, jo ato janë shumë të rëndësishme për shëndetin e trurit, të zemrës etj. POR…trupi ynë e bën vetë Omega 9-n dhe nuk ka asnjë lloj mungese në të. Për më tepër, Acidet yndyrore Omega-9, yndyrnat e pangopura që njihen me emrin acid oleik, gjenden lirisht në dietë, në ushqime si, vaji i lulediellit, vaji i ullirit, e gjen gjithashtu në vaj arrash, bajamesh, vaj mustarde, vaj kanola etj. Të blesh kapsula që përmbajnë vajra Omega 9 është thjesht humbje parash.

2. Acidet yndyrore Omega 6 janë esenciale, që do të thotë se trupi ynë nuk i bën dot vetë. Atëherë, t’i marrim ato si kapsula? Po, do t’i marrim, por në rast se do të jemi të izoluar në një shkretëtirë dhe me këtë rast, të kemi me vete ca Omega 6 të kapsuluara. Për sa kohë ju përdorni vajin e lulediellit, farat e lulediellit, vajin e misrit, mishin e shpendëve, vezët, arrat, farat e susamit, vajin e lirit, farat e kungullit, ullinjtë, kikirikët etj, juve nuk ju mungon Omega 6. Të gjitha raportet studimore ndërkombëtare flasin për një tepricë konsumi në Omega 6, që gjendet edhe në të gjitha ushqimet e gatshme të përgatitura me yndyrna trans (të quajtura vajra të homogjenizuar ose gjysmë të homogjenizuar). Edhe pse mjaft të rëndësishme, pjesa më e madhe e acideve yndyrore Omega 6 janë njëherësh inflamatore dhe mosbalancimi i tyre me Omegat 3 është akuzuar si një nga shkaqet më të rëndësishme ushqimore të sëmundjeve. Atëherë, ne na duhet të rregullojmë pikërisht këtë balancë.

3. Omega 3 është mungesë reale në organizmin tonë. Gati gjithë njerëzimi vuan mangësinë në këto acide yndyrore apo shkurt vajrat Omega 3, sepse është larguar nga ushqimi i peshkatarit dhe ushqehet kryesisht me produktet e tokës e rrallë me ato të detit. Omega 3 nuk do të na nevojitej, nëse do të konsumonim minimalisht 2 herë në javë peshk dhe idealisht 5-6 herë në javë. Përndryshe, çdo njeri ka nevojë për kapsula Omega 3 që të kenë përmbajtje të acideve yndyrore EPA dhe DHA së bashku të paktën 800 mg për kapsulë (shikoni kutinë nga pas) dhe doza duhet të arrije të paktën 1600 mg, pra dy kapsula vaj peshku njëherësh. Në rast se ju zgjidhni kapsula Omega 3 vegane, të prodhuar nga algat e detit, për shkak se jeni një vegjetarian, atëherë doza e EPA dhe DHA është 2-3 herë më e vogël. Por këto të fundit nuk gjenden në Shqipëri. Nëse ju gjeni kuti Omega 3 që kanë doza shumë më të vogla se këto që përshkruam, kjo nuk do të thotë se ato nuk vlejnë. Vlejnë, vetëm se që të përmbushin nevojat, kërkohen më shumë kapsula në ditë, rreth 6-10 kapsula Omega 3. Mbani mend se çmimi i Omega 3 nuk kushtëzohet vetëm nga numri i kapsulave, as nga doza totale e kapsulave, por sidomos nga dozat e acideve yndyrore EPA dhe DHA, më të vlefshmet që përdor qeliza. Një shoqëri me mangësi në acidet yndyrore EPA dhe DHA është e prirur të jetë më konfliktuale.
Sigurisht, kapsulat Omega 3-6-9 janë të studiuara në raportet e duhura që ka nevojë trupi, por ato injorojnë faktin që Omega 9-n trupi e ka prodhim të brendshëm të tij dhe nuk ka nevojë ta huajë (aq më tepër që e ka me shumicë edhe në dietë), ndërsa përfshirja e Omega 6 në kapsulë është një skandal i vërtetë. Omega 6 jo vetëm që nuk është e nevojshme, por ajo shton tepricën që ne marrim nga ushqimi dhe mund të thellojë çekuilibrin e raportit Omega 6 -Omega 3 që duhet të jetë minimalisht 3 me 1, idealisht 2 me 1 ose 1 me 1. Ndërsa realisht ky raport ka shkuar në 10 me 1, 12 me 1 në favor të Omegave 6, sipas studimeve. Tani mendojeni vetë, a është me përftim të shtosh peshë në të dy krahët e peshores, apo vetëm në njërin, për të rregulluar balancën?

Sa kohë njeriu nuk do të njohë proceset organike dhe bazat e mjekësisë metabolike, ai do të jetë lehtësisht i manipuluar dhe pre e mashtrimeve. Mos harroni: Njohuria është pushtet mbi injorancën dhe abuzimet.
Sigal