Farmacistët që kaluan provimin e shtetit, UFSH: Si të anëtarësoheni

878
Të gjithë farmacistët e rinj, të cilët kaluan me sukses provimin e shtetit duhet të bëjnë anëtarësimin pranë Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit. Ndërkohë që, UFSH ka publikuar procedurën dhe dokumentacionin e nevojshëm që duhet të dorëzojë çdo i interesuar. Farmacisti që kërkon të anëtarësohet duhet të paraqitet personalisht në Këshillin Rajonal të UFSH, në qytetin ku banon për të dorëzuar dokumentacionin e kërkuar.
Fillimisht ata duhet të dorëzojnë një kërkesë, sipas formatit të miratuar nga Këshilli Kombëtar, e cila mund të shkarkohet edhe në faqen online të UFSH-së. Po ashtu, nevojitet fotokopja e diplomës universitare dhe listës së notave të noterizuara.
Ndërkohë që, ata kandidatë, të cilët janë diplomuar jashtë Shqipërisë duhet të paraqesin njësimin e diplomës së tyre në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, fotokopje të përkthyer dhe të noterizuar të diplomës dhe listës së notave dhe fotokopje të përkthyer dhe noterizuar të vërtetimit të kryerjes së provimit të shtetit. Dokumentacioni duhet të plotësohet edhe me fotokopje të kartës së identitetit ose pasaportës, me 3 fotografi si dhe mandat pagesën për tarifën e regjistrimit, në vlerën 1500 lekë.
Në rast se ka ndryshim të të dhënave personale, siç mund të jetë emri apo mbiemri, nevojitet dhe certifikata nga gjendja civile. Ajo çka vlen të theksohet është fakti se çdo profesionist duhet të jetë pjesës e listës që Agjencia Kombëtare e Provimeve ka dërguar tashmë në UFSH, ku vërtetohet kalimi me sukses i provimit të shtetit.
LEJA 
Ndërkaq, në rastin e aplikimit për certifikatë si i punësuar, farmacisti përveç gjithë dokumenteve të mësipërme duhet të dorëzojë edhe disa dokumente shtesë. Nëse ai ka qenë më parë anëtar i UFSH-së, por pa ushtruar profesionin, duhet të paraqesë fotokopjen e kartës së anëtarësisë si dhe vetë deklarimin sipas formatit të miratuar nga Këshilli Kombëtar.
Po ashtu, nevojitet kontrata e punës me punëdhënësin, fotokopje e ekstraktit historik të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të subjektit farmaceutik të 3 muajve të fundit si dhe fotokopjen e Qendrës Kombëtare të Licencimit. Po ashtu, janë të domosdoshme: fotokopja e certifikatës së Urdhrit të drejtuesit teknik të subjektit farmaceutik ku do të punësohet, gentplani dhe plan vendosja e objektit ku do të ushtrohet profesioni si dhe deklarata e pronarit të subjektit farmaceutik. Aplikantët duhet të paraqesin dhe mandatpagesën për lejen e ushtrimit të profesionit në vlerën 5000 lekë.
DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM PËR ANËTARËSIM NË URDHRIN E FARMACISTËVE
(Kur nuk ushtron profesionin)
 Kërkesë për anëtarësim në Urdhrin e Farmacistëve të Shqipërisë sipas formatit të miratuar nga Këshilli Kombëtar.
 Fotokopje e Diplomës Universitare dhe listës së notave të noterizuara
 Fotokopje e kartës së identitetit ose pasaportës
 Tre fotografi 3 x 3.5 cm.
 Mandat pagesa për tarifën e regjistrimit 1500 lekë.
 Certifikatë e gjendjes civile në qoftë se ka ndryshime të të dhënave personale (ndryshim emri/mbiemri)
DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM PËR ANËTARËSIM DHE LEJE TË USHTRIMIT TË PROFESIONIT SI FARMACIST I PUNËSUAR
Përveç gjithë dokumenteve të mësipërm:
 Fotokopje të kartës së anëtarësisë (nëse ka qenë më parë anëtar i UFSH pa ushtruar profesionin)
 Vetëdeklarimi sipas formatit të miratuar nga Këshilli Kombëtar.
 Kontratë pune me punëdhënësin
 Fotokopje e ekstraktit historik të QKR të subjektit farmaceutik të 3muajve të fundit.
 Fotokopje e QKL.
 Fotokopje e Certifikatës së Urdhrit të drejtuesit teknik të subjektit farmaceutik ku do të punësohet.
 Gentplan dhe plan vendosje të objektit ku do të ushtrohet profesioni
 Deklarata e pronarit të subjektit farmaceutik sipas nenit 19 të
 Statutit të UFSH (nëse pronari është jo farmacist)
 Mandatpagesën për lejen e ushtrimit të profesionit 5000 lekë
Sigal