Kozma Gjini: Myzeqarët e Tomorrit…

878
Sigal

Myzeqarët e Tomorrit…

Reportazh

 

Kozma GJINI

 

Mali i Tomorrit” – “Riza Cerova” – “Demir Zyko”!

 

Madhështia e këtyre tre emrave më erdhi në kujtesë, ndërsa merrja ftesën nga miku im, Bashkim Sulçe (për televizionin “Apollon”), për të marrë pjesë në takimin e parë promovues të trevës, i cili do të organizohej në Kolonjën martire nga Shoqata Atdhetare – Kulturore “Tomorri”, dega e qytetit të Lushnjës. Akoma e kemi të freskët takimin madhështor kombëtar në kujtim të baba Reshat Bardhit, më 4 prill, në Tiranë dhe ja ku organizohet një tjetër takim, për një tjetër qëllim solidariteti. Ndërsa udhëtojmë drejt Kolonjës me miqtë e mi; Ing. Besnik Çela, Bektash dhe Dashamir Lame, djem të mrekullueshëm me origjinë nga Skrapari, të tjerë emra e figura me peshë dhe të tjera ngjarje madhore të të dy kohëve të krahinës së Skraparit shtrohen në bisedë. Koha vrapon, por njerëz dhe ngjarje madhore mbeten të pashlyer në kujtesën tonë: Vjen fjala për: Kahreman Yllin, Brigadën VII Sulmuese, Zylyftar Veleshnjën, Tendën e Qypit, “Mbeçë, more shokë, mbeçë”….etj

Bëhet një heshtje.

Pas numërimit të mjaft figurave të tjera, pasuri intelektuale e trevës së Tomorrit, të cilat ia lë lexuesit t’i rendisë në një shkrim tjetër…, më kalojnë parasysh miqtë e mi të rinisë dhe të sotmit. Më shfaqen kështu shumë gjëra të tjera, që s’mund të anashkalohen: Poeti i dashurisë, anëtar Nderi i Shoqatës “Tomorri”, Xhevahir Spahiu. Letrarët dhe publicistët e spikatur: Moisi Zaloshnja, Bashkim Hoxha, Sefedin Çela, Bashkim Koçi, Agim Cerga, Enrieta Zyko, Bahri Myftari, Pasho Çela, Vojsava Nelo, Enver Caka, Roland Qafoku etj. Shokët e rinisë së shkollës Pedagogjike “Babë Dudë Karbunara” nga ku ruajmë konsideratat më të larta për mësuesit tanë dhe shokët e Skraparit, të cilët, edhe pse ishte e ndaluar feja, betoheshin: “Ja ‘ba Sali!” si Mehmet Omeraj (Gjerbës), Kujtim Lushaj (Zabërzan-Çepan), Përparim Flamuri (Gjerbëz), Agim Methoxha (Mollas), Rexhep Meta, Neki Metaj …etj.

Kisha edhe një mik shumë dashamirës që iku para kohe, ish-kryeredaktor i gazetës “Zëri i popullit”, i ndjeri Arshin Xhezo, që s’më linte të fusja dorën në xhep sa herë që pinim një kafe te “Peza”. Nuk e di nëse do të më “zemërohet” një miku im, që këtu do të përmend një vlerë të padiskutueshme e kësaj treve, ai është presidenti ynë i nderuar, z.Ilir Meta, përfaqësuesi i unitetit të kombit. Dhe, si për të bërë lidhjen e të gjithë kësaj ndërtese njerëzore e bëmave historike patriotike, më shfaqet njeriu i shtypit, publicisti i mirënjohur, drejtori i prestigjiozes “Telegraf” dhe “Dielli i Tomorrit” z. Ëngjëll Musai. Ëngjëlli është zgjedhur kohët e fundit kryetar i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Tomorri”. Është ai në krye të “Telegrafit”që e ka bërë këtë gazetë, të cilën Bashkim Hoxha, moderatori i emisionit të shumëshikuar “Koha për t’u zgjuar” dhe mijëra qytetarë e presin me mirësi për paanësinë dhe të vërtetat e saj.. Do të takoja për herë të dytë me një mik të ri, me një mik të shtypit me të cilin kemi shumë gjëra të përbashkëta e që kam shkëmbyer kushedi se sa mesazhe dhe shkrime në këta vite bashkëpunimi, që nga lindja e “Telegrafit”, por që s’kemi qenë kurrë bashkë. Kështu ndodh me të gjithë ata që shkruajnë. Puna dhe pasioni i tij me shtypin, janë për t’u përshëndetur, për t’u nderuar.

…Lëmë pas rrethrrotullimin e autostradës së Kolonjës dhe përpara nesh shpalosen shkallë-shkallë shtëpitë e fshatit në pjerrësinë e kodrave të Ardenicës me gjithë madhështinë e së kaluarës. Kolonja martire, Kolonja e Xhoxhi Robos, e Bozollarëve… dhe e sa e sa të tjerëve që kanë qenë kontribues dhe u hapën derën luftëtarëve për liri, asaj Kolonje që u dogj nga gjermani e u bë vatra ku u krijua Çeta e Parë Partizane e Myzeqesë, më 26 dhjetor 1942. Kjo është Kolonja heroike e njerëzve të mirë vendas dhe të ardhur nga krahina të ndryshme të vendit e që jetojnë në harmoni të plotë.

Është bukur të vizitosh fshatin tani në pranverë, ku natyra zgjohet ëmbël me cicërima zogjsh, aromë lulesh dhe në kënaqësinë e gjelbërimit që ka shtrirë krahët ngado që të hedhësh vështrimin. Ndërsa të duket se kësaj orkestre cicërimash i prin kënga me zërin e ëmbël të bilbilit. Janë njerëzit e mirë e punëtorë të palodhur ata që i japin jetë stinës së përtëritjes, shtëpive të reja, rrugëve, fushave që lulëzojnë nga kulturat bujqësore. Mundi dhe djersa e tyre e ka përmirësuar dukshëm mënyrën e jetesës në fshat. Ky është edhe qëllimi e mesazhi që dëshiron të japë ky takim i sotëm i shoqatës “Tomorri”. Është stina e klorofilit të pamasë ku bimët e kulturat bujqësore marrin jetë, falë edhe një shiu që zoti ua sjell njerëzve në prag pashkësh, si për t’u thënë: “Më shihni a s’më shihni, më kujtoni a s’më kujtoni, po unë jam i kudogjendur, pranë jush”. Por ka edhe fusha që u “qajnë” hallin djerrinave me e pa zot, që gëlojnë nga gjembaçët. Ja, edhe për këtë dukuri braktisjeje shqetësohet shoqata “Tomorri”, që djemtë dhe vajzat tona të mos i kthejnë krahët vatanit, por të gjejnë burime punësimi në sektorin bazë të ekonomisë siç kanë dalë të fituar qindra e qindra fermerë, mes tyre skraparlinj e myzeqarë. Këtë detaj ka kapur si tematikë shoqata “Tomorri”, që ndjenja e atdhedashurisë të manifestohet, jo thjesht me qëndrimin në atdhe, por me punë të ndershme për t’i lulëzuar këto toka, për të mos i lënë djerrë, por për t’i mbjellë me kultura bujqësore e pemëtari dhe për t’iu gëzuar fryteve të punës. Ndërkohë, për analogji, më vjen parasysh definicioni i ish-presidentit të Amerikës, Kenedit: “Mos pyet ç’ka bërë Amerika për ty, por ç’ke bërë ti për Amerikën”.

Afrohemi në pikën ku do të zhvillohet takimi dhe dëgjojmë që kënga popullore skrapariote ka marrë udhët e i ngjitet kodrës me jehonën e zërit të artistit. Njerëzit artistë të këngës ia kanë marrë shtruar. Sa më tepër afrohemi, aq më e fort gjëmon jehona e këngës së bukur “Mbeçë, more shokë, mbeçë!”. Dhe të duket se kjo melodi që të ngjeth mishtë për mesazhet që përcjell, kishte ngritur prej vendit … edhe “Artistin e Popullit” Demir Zyko, perlën e trevës së Tomorrit, i cili e ka ngjitur këngën popullore në majat më të pëlqyera të folklorit, shfaqur me zërin e tij brilant në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës. Këngëtarët skrapariotë kanë një zë melodioz dhe e imitojnë bukur Demirin e paarritshëm. E dredhin zërin nëpër vargje me ulje-ngritje zëri gjatë të kënduarit dhe ti thua se mos, veç gjuhës, do të kenë edhe ndonjë “mekanizëm” në gojë që i japin aq nuanca të bukura melodisë. Njëri e hedh dhe tjetri e pret, kurse përreth tavolinës të tjerët mbajnë iso. Bukur! Shumë bukur! Dhe prekemi prej vargjeve dhe melodisë, e cila na përshkon me një tronditje në shpirt, pasi përcjell mesazhe të dhimbshme shoqërore.

Mbeçë, more shokë, mbeçë

Përtej urës së Qabesë…

Përpara lokalit “Bar Restorant Kolonja” kanë “zënë” rrugën mjaft njerëz që takohen e bisedojnë të gëzuar e të qeshur. Janë të një krahine, por rrallë takojnë me njëri-tjetrin, prandaj u mbushen zemrat me kënaqësi teksa shikohen dhe përqafohen me mall. Është një takim promovues i vlerave njerëzore dhe intelektuale të njerëzve të punës dhe të penës, paraardhësit e të cilëve kanë zbritur që nga lartësitë e Tomorrit, malit të shenjtë të perëndisë, që në fillim-shekullin e kaluar, drejt Myzeqesë së begatë që e ka bekuar zoti për tokën pjellore dhe njerëzit bujarë e mikpritës. Tomorri, Ardenica dhe Apolonia formojnë një trekëndësh, figurë të patundshme shumë shekullore që do të mbetet sinonimi i lidhjes së shenjtë mes njerëzve të kësaj toke.

Dhe Çajupi do të shkruante “Baba Tomorri”

Tomorr, o mal i bekuar

Fron i lartë që rri zoti…

“Tomorri, froni i lartë i Perëndisë”… Takimi i sotëm i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” përkon me 113-vjetorin e krijimit të Shoqatës “Tomorri” e cila u themelua në Bukuresht më 1906, nga rilindësit tanë. Pritej të vinte z. Ëngjëll Musai me disa miq që nga Tirana. Salla nuk ka parë kaq shumë njerëz sa dita e sotme. Kanë zbritur pasardhësit e heronjve dhe të dëshmorëve, intelektualët, profesorët, përfaqësuesit e veteranëve, sikur të zbrisnin që nga maja e Tomorrit drejt Myzeqesë…të ardhur që nga: Vendrezha, Prishta, Tërrova, Sevranji, Munushtiri, Gostencka, Vlusha, Ermënji, Koprencka, Kapinova, Kuçi, Bargullasi,Vlusha, Backa, Qeshibesi, Therepeli, Tomorrica, Stërneci, Mollasi, Kapinovës, Koprenckës, Bargullasit, Ceshibes, Gradeci, Gostencka, Radësh, Gurazezi…

Janë të gjithë të gëzuar, sepse kanë ç’të tregojnë për lavdinë e së kaluarës, trimat e trevës, artistët dhe ushtarakët…flasin për mbijetesën e sotme, për sukseset, zakonet, këngët, mallin për fëmijët e shpërndarë nëpër botë.

Bashkim Sulçe, me origjinë nga Radëshi, organizatori dhe i palodhuri i shoqatës, dega Lushnje, sekretar i saj, bën prezantimin:

Ëngjëll Musai nga Vëndresha, Rushit Kuçi nga Vëndresha, Haxhi Kalluci nga Bargullasi, Estref Çullhaj nga Vlusha, Resul Prishta nga Prishta, Rafael Hoxha nga Tërrova, ing. Besnik Çela nga Sevranji, Ramiz, Hamzallari nga Munushtiri, Gëzim Shahu Gostencka, Krenar Mançe, Flamur Mançe nga Vlusha (ku është krijuar Brig. e 7-të S), Bujar Ahmetllari nga Ermënji, Agron Dyrmishi (Koprencka), Ilirian Bakiasi dhe Dashamir Bakiasi nga (Kapinova), Selfo Nebiu kryetar i degës nga Koprencka, Gani Bendo nga Kuçi, Dashamir Lame, Bektash Lame nga Stërneci, Sulejman Islamllari nga Backa, Isuf Liço nga Qeshibesi, Vladimir Dyrmishi, Flamur Mançe nga Vlusha…

Për miqtë nga Tirana fëmijët kishin përgatitur një tufë lulesh të freskëta.

Të pranishmit presin kush do ta marrë fjalën. Dhe ja, qetësia prishet.

Në derën e sallës hyn dikush dhe u tërheq vëmendjen gjithë të pranishmëve me thirrjen e tij, simbol i së shkuarës së shpërndarjes së shtypit. Është aktori i fshatit, Sotir Dhima, autori i sa e sa poezive lirike e patriotike që gjynah t’i thuash artist amator, ai që thërret me gazetën “Dielli i Tomorrit” në duar:

“Gazeta “Dielli Tomorrit”! Erdhi gazeta me lajme të reja! “Dielli i Tomorrit”. “Dielli i Tomorrit!”.Të gjithë kthejmë vështrimin andej nga vjen zëri…

“Lajme të vërteta…! Lajme të vërteta/

Shoqata “Tomorri”, shoqatë atdhetare

shoqata “Tomorri” pasuri kombëtare

Dielli Tomorrit me lajme të reja

shkrime të vërteta që dalin vetiu

e çelur si lule Myzeqeja

shkruan poeti president nderi, Xhevahir Spahiu

Interpretimi i Sotirit pritet me duartrokitje.

“Fillojmë, miq! Është zëri i Bashkim Sulçes, i cili propozon që takimi të hapet me këngën “Himni Kombëtar i Flamurit”.

Që nga Kolonja, mali i Tomorrit të duket më madhështor sikur lëshon mesazhin që myzeqarë e skrapariotë, kudo që ndodhen, të jetojnë në miqësi e vëllazëri. Dhe ata kështu jetojnë, në vëllazëri. Është kjo një nga detyrat imediate të shoqatës: Uniteti mes njerëzve përbën forcën e kombit. Të pranishmit ngrihen në këmbë dhe këndojnë Himnin …

Rreth flamurit të përbashkuar

Me një qëllim, me një dëshirë…

Pjesëmarrësit i përshëndeti z. Ëngjëll Musai, kryetar i Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Tomorri”, njëherësh drejtori i gazetës “Telegraf” dhe “Dielli i Tomorrit”.

“Të nderuar miq, profesorë! Vëllezër dhe motra, miq e të ftuar! Dua t’ju shpreh mirënjohjen dhe urimet më të mira, në emër të kryesisë, për mirëseardhjen tuaj. Jam i gëzuar që ndodhem pranë bashkëpatriotëve të mi në Lushnje. Shoqata “Tomorri” është mundi, sakrifica, djersa dhe gjaku i të parëve tanë. Ata na bëjnë apel për ruajtjen e traditave të trevës dhe vlerave kombëtare. Çdo shoqatë është gur themeli për Shqipërinë tonë, prandaj kjo kërkon që të jemi të gjithë të bashkuar. Sidomos në këtë përvjetor të 75- të çlirimit të atdheut, ne duhet të jemi më shumë të organizuar e të bashkuar, pa u ndikuar nga asnjë qëllim partiak, fetar e krahinor, por të gjithë të mendojmë e të kontribuojmë për ruajtjen e potencialeve dhe vlerave njerëzore, pasi kështu ne i shërbejmë paqes dhe unitetit, i shërbejmë forcimit të Atdheut. Kështu qofshim përherë, të bashkuar e të gëzuar. Ju uroj shëndet e lumturi, për ju dhe familjet tuaja! Ju faleminderit për mikpritjen tuaj!”

…Rushit Kuçin e shikoj që merr rrugën drejt lapidarit të dëshmorëve të fshatit, aty ku ndodhet edhe pllaka përkujtimore kushtuar formimit të Çetës së Parë Partizane të Myzeqesë. S’ka se si të ishte ndryshe. Rushiti është pasardhës veterani dhe vazhdues i traditave të të parëve, sepse rrjedh nga një familje që kanë kontribuar në Luftë për çlirimin e atdheut. Ai emocionohet teksa vë shpatullat pas lapidarit dhe flet me nostalgji për të kaluarën dhe ndonjë zemërim me “tufët” që i futin të gjithë partizanët në një “tufë”…dhe përzien kështu ballistë e partizanë, sikur të kenë qenë dhen e dhi dhe jo njerëz që kanë lënë gjurmë në kujtesën e popullit.
“Jam nipi i dëshmorit Azbi Kuçi, tregon Rushiti.- Më qan syri për vendlindjen time, për Vendrezhën dhe ja ku takohemi këtu në Kolonjën e Myzeqesë si vëllezër, skraparlinj e myzeqarë. Ja, ky është një gjë fakt që nuk e hedh dot askush përtokë, sepse është farkëtuar në vitet e Luftës dhe të punës.

Azbiun e vrau dora armike në Velagosht. Ai ka qenë në Brigadën e 7-të Sulmuese. Jam anëtar i kryesisë Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe anëtar i Komitetit të Kombëtar të Veteranëve të Shqipërisë dhe sekretar i organizatës për Tiranën. Si anëtar i kryesisë së shoqatës “Tomorri” ndjehem shumë i motivuar që të bëjmë gjithçka, që kjo shoqatë e krijuar nga shqiptarët e mërguar, të mbetet flamur i bashkimit të shqiptarëve .Qëndrimi ndaj vlerave të Luftës është shtyllë e programit tonë. Objekti kryesor i punës sonë është që ne të mbrojmë vlerat kombëtare, të mbrojmë heroizmin dhe idealin e dëshmorëve dhe luftojmë vazhdimisht si dhe me shkrimet që bëjmë për këta “tufët e co”, që i fryjnë e shfryjnë zjarrit duke mohuar heroizmin e dëshmorëve dhe shtrembërojnë historinë e LANÇ-it. Me këta pseudo…përballemi dhe në shtyp dhe median audiovizive. Deri sa pranuam pluralizmin, u themi të rrinë atje ku janë dhe të mos lozin me zjarrin, të mos shtrembërojnë historinë. Ata nuk e errësojnë dot as Luftën (ku ne ishim pjesë e koalicionit antinazist), as të rënët në Luftë për çlirimin e vendit.

Të mos reshtim që t’i pasqyrojmë vlerat e Luftës edhe në gazetën “Dielli i Tomorrit” siç bën Ëngjëll Musai që tek “Telegrafi” hedh dritë mbi të vërtetat e Luftës dhe demaskon ata që duan të hedhin poshtë dëshmorët, Luftën për liri duke e quajtur si luftë civile(?) apo dhe organe të tjera si: “Pavdekësia”, “Kushtrim Brezash” etj.

Ne duhet të bëjmë më shumë që të gjithë dëshmorët të kenë pasardhësit e tyre në shoqatën tonë. Më vjen mirë për punën që bën Bashkim Sulçe shtëpi më shtëpi për evidentimin dhe pajisjen me dokumente të pasardhësveteranëve të trevës. Edhe pse kam konsideratë të lartë për myzeqarët, mangësi ka edhe në Lushnje, sa i takon organizimit të punës. Nuk mund të shkelim mbi gjakun e dëshmorëve, por t’i mbrojmë dhe t’i demaskojmë të gjithë ata që i përbaltin idealin e tyre. Duhet t’u kundërvihemi “neoballistëve”, “neofashistëve” që janë ngritur dhe dhe duan të mbrojnë “idealet” e baballarëve të tyre… Atyre u duhet dhënë të lexojnë “Epopenë…” e Shefqet Musarajt…Populli ynë e di mirë se kush janë ballistët dhe kush janë partizanët. U kundërvihemi këtyre, qoftë me shkrime, qoftë me shkresa verbale. Historia është jetuar dhe shkruar. Lufta për liri, ishte front antinazist botëror dhe nuk ishte luftë civile. Gjeneral Rahman Parllaku është luftëtari dhe heroi i kësaj Lufte. Pyeteni pak heroin e Luftës, zotërinj…!

Vijon