Zhvillimi ekonomik, Xhafaj: Diplomatët shqiptarë do të trajnohen

295
Zv/ministri i Jashtëm, Etjen Xhafaj, tha se diplomacia ekonomike po ridimensionohet. Xhafaj tha se përfaqësitë diplomatike shqiptare do t’i nënshtrohen një trajnimi. “Diplomacia ekonomike është promovimi i të gjithë potencialit ekonomik të vendit, qoftë për investitorët e huaj për të ardhur në Shqipëri dhe për të investuar në fusha të ndryshme, qoftë për promovimin e produkteve shqiptare jashtë vendit, qoftë edhe për promovimin e imazhit të vendit si një destinacion turistik. Ridimensionimi i kësaj d m th që ne po marrim një qasje specifike duke pasur një koncept të ri mbi gjithë diplomacinë ekonomike për ta vendosur atë në qendër të punës së çdo misioni për të pasur mundësi të angazhojmë sa më shumë diplomatë tanë me sa më shumë sipërmarrës të huaj”, tha zv/ministri. Sipas tij, këtë herë kemi një objektiv që është specifik. “Ajo që po bëhet në vijim do të jetë një ritrajnim i të gjithë trupës së përfaqësimit të Shqipërisë me specifikat e diplomacisë ekonomike dhe me prioritetet e diplomacisë ekonomike. Krahas kësaj është duke u dedikuar një punë vërtet domethënëse në përgatitjen e materialeve që do të promovojnë Shqipërinë, qofshin këto sektoriale apo specifike për disa nga projektet”, deklaroi Xhafaj.