Zgjedhjet vendore të 30 qershorit/ Ndërkombëtarët në Tiranë zhgënjejnë shqiptarët. Reagojnë Bushati, Vasili, Dylgjeri dhe Mehmetaj

565
Sigal

Reagimet politike pas thirrjes të së ngarkuarës me punë të ambasadës së SHBA në Tiranë për pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore

Gjuha lobiste e ndërkombëtarëve, më shumë se rënia e një iluzioni

E ngarkuara me punë Leyla Moses-Ones “u bëri thirrje atyre partive që kanë braktisur institucionet e Shqipërisë që të riangazhohen në procesin politik. Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore të qershorit është mundësia më e mirë për ta, që ta bëjnë këtë. Ambasada mirëpret konkurrimin demokratik të hapur dhe energjik në kutinë e votimit. Votuesit shqiptarë duhet të kenë mundësinë të zgjedhin mes një game të gjerë kandidatësh që do t’i përfaqësojnë vërtet ata”, tha e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë. Mirëpo i ashpër është edhe reagimi i politikanëve në Tiranë, sepse këto thirrje janë ndërhyrje e të huajve në punët e brendshme të një vendi Sovran, por, gjithashtu, është e papranueshme që diplomat të ambasadave të huaja në Tiranë të luajnë rolin e lobistëve politikë të njëanshëm dhe, paralelisht, të heshtin kur shkelen standardet e demokracisë.

Ish-ministri i Drejtësisë Petrit Vasili: Ndërkombëtarët në Tiranë zhgënjejnë shqiptarët

Zhgënjimi ndaj një ideali vlerash dhe paanshmërie, që ndërkombëtaret duhej të përfaqësonin është ndjenja e hidhur, që shqiptarët po provojnë prej kohësh. Ata as dëgjojnë VOA, ZDF, RAI, FRANCE INTERNATIONAL e as lexojnë “Washington Post”. “New York Times”, “Frankfurter Allemagne Zaitung”, “Corriere della Sera”, etj., etj., që kanë reflektuar jo pak shpartallimin shtetëror që kjo qeverisje ka sjellë. Përkundrazi, ndërkombëtarët me qëndrimet anti opozitë duhet të kenë çuditur me zellin e tyre edhe Edi Ramën vetë. Shfaqja e tyre si lobistë të Edi Ramës, në vend të këmbënguljes për të mbrojtur reformën në drejtësi të votuar me 140 vota, është pa asnjë dyshim zhgënjimi im më i madh personal, por besoj edhe të gjithë shqiptarëve, që e prisnin me padurim atë. Kjo reformë, që mbështetej nga 94% e shqiptarëve ia ka lënë vendin zhgënjimit total, ku sot 63% e shqiptarëve nuk e besojnë më atë, bile sipas sondazheve të po atyre organizatave që e mbështetën hartimin e zbatimin e reformës si Fondacioni për një Shoqëri të Hapur (Soros) ashtu edhe Komiteti i Helsinkit. Gjithçka në hartimin e kësaj reforme u dominua jo nga cilësia dhe qëndrueshmëria afatgjatë e saj, por nga imponimi agresiv i ndërkombëtarëve përmes devizës “ose pro, ose kundër reformës”, duke risjellë ndër mend parullën “ose me ne, ose kundër nesh”, që shqiptarët e kishin parë e dëgjuar vetëm para viteve 90′ nga Partia e Punës. Zbatimi i reformës në drejtësi është një dizaster e plotë, që meritonte shuplaka dhe shqelma dhe jo deklarata entuziazmi të ndërkombëtarëve për gjoja një sukses ‘imagjinar dhe fake’ të saj në vend të realitetit të kapjes së saj totale nga Rilindja. Kapja e reformës nga Edi Rama jo vetëm nuk u ndal nga ndërkombëtarët, përkundrazi ata bekuan dhunimin e Kushtetutës jo vetëm me deklarata mbështetëse, por edhe me instrumente si Euralius, siç qe zgjedhja e turpshme antikushtetuese e Arta Markut dhe vettingu i Donika Prelës e shumë të tjerëve. Bllokimi nga Edi Rama i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që u ngrit në respekt të plotë të Kushtetutës, vetëm e vetëm, sepse përbërja e tij nuk i pëlqeu dhe i pengonte atij kapjen Edi Ramës, jo vetëm nuk u pengua, por përkundrazi, u mbështet nga ndërkombëtarët, duke e goditur me deklarata dhe ‘fake argumente’, të një stili lobist të qartë, në vend të një qëndrimi institucional e kushtetues. Ndërkombëtarët me prepotencë imponuan një reformë në drejtësi, duke u përbetuar se do të ishin ata vetë garantët e reformës, ndërsa në fakt u shfaqën si garantë të kapjes se saj. Ata u treguan të shurdhër edhe ndaj kontestimeve të vetë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që u fut me imponimin e tyre në Kushtetutë dhe pse-në e kësaj shurdhësie ka ardhur koha që ta shpjegojnë. Duhet të shpjegojnë edhe pse heshtën që 60% e anëtarëve të KLGJ dhe KLP u kontestuan edhe nga vetë ONM e megjithatë u zgjodhën, duke rrënuar besueshmërinë e qeverisjes së sistemit të ri gjyqësor, gjoja te reformuar. Departamenti Amerikan i Shtetit deklaron qartë se: “Shqipëria është bërë bazë operacionale për krimin e organizuar për SHBA Amerikën Latine, Lindjen e Mesme dhe Evropën”. Po ndërkombëtarët në Tiranë çfarë presin akoma, pse heshtin…? Mos presin që Shqipëria të bëhet baze e krimit edhe për Azinë dhe Afrikën dhe pastaj të flasin? Ndërkombëtarët, që gjejnë kohë të flasin për patatet e kalbura të parlamentit s’paskan kohë të flasin për këtë përshkallëzim kritik dhe tragjik të krimit të organizuar. Me të njëjtën gjakftohtësi lobiste ndërkombëtarët trajtuan edhe përmbytjen e Shqipërisë nga kanabisi dhe miliardat që gjeneronte ai. Na thanë në atë kohë edhe që “Ata nuk merreshin me kanabisin”, pati edhe ca të tjerë, që thanë se 99% e kanabisit ishte asgjësuar, ndërkohë tonelatat e kanabisit vazhdojnë edhe sot. Ndërsa sot DASH deklaron se: “Grupet kriminale shqiptare e trafikojnë kokainën dhe heroinën drejt tregjeve evropiane nga vendet burimore në Amerikën e Jugut dhe Azi.” Por as për këtë ndërkombëtarët në Tiranë, që gjejnë kohë për patatet e kalbura të parlamentit, sërish nuk gjejnë “dot kohë” e fjalë për të dënuar kryeministrin dhe qeverinë, që janë përgjegjësit e vetëm të kriminalizimit galopant, duke i lënë sërish shqiptarët thellësisht të zhgënjyer. Kriminelët qeveritarë të votës së zgjedhjeve të 2017 janë vërtetuar nga përgjimet e prokurorisë, por ata janë të lirë, qeverisin dhe duan të organizojnë, po këta hajdutë të votës, zgjedhjet që vijnë. Ndërkombëtarët s’kanë asnjë fjalë dhe për këtë krim gjigant, që ka asgjësuar shtetin. Përkundrazi ndërkombëtarët “çuditërisht” thonë: Merrni pjesë në zgjedhje, besojini hajdutëve të kriminalizuar të votës, besojini kriminelëve të pandëshkuar, ripërsërisni farsën elektorale të 2017, që zhbëri demokracinë dhe shtetin kryq e themel.

Ylli Dylgjeri, publicist: Nxis këdo që të regjistrohet për Ambasador i SHBA në Tiranë

Në Shqipëri, ambasada amerikane tha dje se ajo “nxit këdo që mendon të kandidojë që të regjistrohet në zgjedhjet vendore të 30 qershorit”… Me këtë deklaratë po na kujton se u mbush më shumë se një vit që gjithë ajo SHBA, shembull i përzgjedhjes dhe promovimit të diplomatit, dhe ende nuk ka zgjedhur Ambasadorin e Saj në Shqipëri!!! Paaftësi? Për reciprocitet diplomatik, edhe Unë, po i bëj thirrje sot Departamentin e Shtetit, që të “nxitë këdo që mendon për të ardhur Ambasador në Shqipëri, vetëm vendin tonë mos e lerë në zi”. Ky quhet reciprocitet.

Andi Bushati: Rënia e iluzionit për arbitrin amerikan

Diplomatët amerikanë janë përfshirë në një betejë të ashpër dhe dhe përtej limiteve me opozitën shqiptare. Që prej dy muajsh, pas protestës së shkurtit dhe vendimit për djegien e mandateve, ne jemi bërë dëshmitarë të thirrjeve të pa precedentë që deputetët mos t’u binden liderëve, se PD-LSI po pengojnë të ardhmen e vendit, se ata po tradhtojnë zgjedhësit e tyre, se forcën duhet ta provojnë në zgjedhje, jo në rrugë. Në zellin për të treguar se ndërkombëtarët nuk lëkunden përballë kërcënimit të opozitës për destabilitet, duket sikur ata janë përfshirë në një garë të ethshme për të asgjësuar çdo kritikë që i është bërë qeverisjes problematike të Ramës. Në këtë këndvështrim, në komunikatat e ambasadës Amerikane ka konstatime që nuk kapërdihen lehtë. Ka një tentativë për të mbyllur sytë përpara gjysmës bosh të gotës. Pasi nuk mund të thuash se reforma në drejtësi po zhvillohet si një histori suksesi, pasi je njohur me emërimet e Arta Markut dhe vettingun e Donika Prelës. Pasi nuk mund të thuash se në luftën kundër krimit janë bërë hapa përpara, pasi ato bandat për të cilat fliste ish-ambasadori Lu janë ende në lojë, apo pasi ke lexuar raportin e Departamentit të Shtetit për trafiqet. Pasi nuk mund të shohësh me sy pozitiv betejën kundër korrupsionit pasi je njohur me përgënjeshtrimin e letrave false nga zyrtarët e shtetit të Delawerit. Në sytë e shqiptarëve, hiperfuqia e vetme botërore, nuk ka qenë vetëm një shtet që flet me arsyen e forcës, për të arritur qëllimet që do, por edhe një ideal, një ëndërr lirie dhe drejtësie. Pikërisht ky imazh rrezikon të kriset me qëndrimet e fundit që kanë kthyer si qëllim në vetvete anatemimin e opozitës dhe ku është harruar të thuhet, prej kohësh, qoftë edhe një kritikë e vetme për keqqeverisjen. Pikërisht kjo po ndodh edhe sot kur përpjekja për të dekurajuar radikalizmin e opozitës po shpie ujë amerikan në kënetën e qeverisë.

Kejdi Mehmetaj, ish-deputete: Ambasada e SHBA, si lobiste për të mbajtur regjimin kleptokratik të Ramës

Personalisht mendoj se përfaqësuesit e Ambasadave në Shqipëri duhet të jenë më koherente me qëndrimet që mbajnë qeveritë dhe parlamentet përkatëse, qëndrime të cilat ne i marrim zyrtarisht nga raportet e tyre. Në rastin konkret ka qenë Departamenti Amerikan i Shtetit që në raportin mbi Shqipërinë ka theksuar problemet që shtynë edhe opozitën të largohej nga parlamenti farsë që ishte krijuar pas zgjedhjeve të 2017. Aksioni i opozitës në Shqipëri është ngritur mbi këto akuza. Unë nuk besoj se ndokush në Amerikë nxit krimin e organizuar apo shitblerjen e votës dhe aq më pak opozita false të marrin pjesë në zgjedhje. Ne e adhurojmë Amerikën se e idealizojmë si vendin e lirisë dhe demokracisë. Nëse përfaqësues të saj sillen si lobistë të Ramës për të mbajtur në pushtet me forcë këtë regjim kleptokratik, që sipas raportit të DASH e ka kthyer Shqipërinë në bazë operacionale të krimit të organizuar për Evropën, për Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut, atëherë të marrësh seriozisht lobizmin e tyre me tezat e Edi Ramës, jo vetëm do të thotë të kriminalizosh tërësisht të ardhmen e këtij vendi por edhe e kthen Shqipërinë në bazë të sigurt të krimit të organizuar dhe të terrorizmit dhe kjo është politikë tërësisht anti Amerikane dhe anti NATO. Megjithatë, është apo jo legjitim ky parlament dhe situata e krijuar në vend, nuk e thonë dot përfaqësuesit e trupit diplomatik, por Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese si garantuese e saj, të cilën Rama e ka shkatërruar prej dy vitesh. Është apo jo legjitime kjo qeveri e thonë shqiptarët, të cilët me angazhimin e tyre në protestat e thërritura nga opozita e kanë treguar qëndrimin e tyre.