Zgjedhjet për kryetarin e PD, analistët këndvështrime të ndryshme

466
Në Tiranë, analistët e politikës po komentojnë nga një larmi këndvështrimesh zgjedhjet brenda Partisë Demokratike për kryetarin e saj. Studiuesit mendojnë se rezultati i thellë në garën Basha – Selami, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, nxori në dritë disa probleme të jetës së brendshme në Partinë Demokratike. Sipas tyre zgjedhjet janë bërë me shpejtësi, gara pati një fitues me përqindje të thellë dhe me probleme të mëdha. Basha sipas Lutfi Dervishit minimalisht duhej të tërhiqej me qëllim që t’i jepte një sens garës. Ndërsa Afrim Krasniqi deklaroi se zgjedhjet në PD nuk zgjidhën problemin afatgjatë. PD sipas tij duhej të kishte bërë një analizë politike të mirëfilltë. Lutfi Dervishi nga ana e tij shton se reformimi i PD-së nuk mund të bëhet me fitore të thella por me analiza. Sipas tij jeta e brendshme në partitë politike shqiptare nuk është demokratike. Dervishi thekson se të gjithë partitë tek ne janë parti kryetarësh ose parti sloganesh. Asnjë prej tyre, thotë ai, nuk ndjek rregulla, nuk ndjek statut, pra nuk janë demokratike. “Shqipëria është rast unik dhe unë them se, ndoshta duhet që edhe me instrumente ligjorë, t’u imponohet demokracia. Ato duhet ët jenë demokratike”. Dervishi thotë se, nuk duhet të kemi farsa elektorale, por partitë duhet të shprehin interesat e anëtarësisë. Studiuesit janë të bindur se klasa politike ka humbur identitetin. Listat e anëtarësisë, sipas analistëve janë fiktive. Kjo gjë sipas tyre është dukur edhe në rastin e fundit të zgjedhjeve te brendshme në Partinë Demokratike. Analistët gjithashtu janë të bindur se partitë nuk janë në gjendje të bindin anëtarësinë e tyre të votojë, si në rastin e fundit të PD-së, ku gjysma e anëtarësisë nuk morën pjesë në zgjedhje.
Sigal