Diskutimet – SHBA armatime drejt Ukrainës?!

470
Në një kohë kur situata në Ukrainën lindore vijon të mbetet e tensionuar, ShBA po konsideron idenë e dërgimit të armatimeve për ushtrinë ukrainase me qëllim që të ndihmojë këtë të fundit në përballjet me separatistët rusë. Sipas zyrtarëve amerikanë, ky nuk përbën një veprim provokativ, por synon që të ndryshojë pikëpamjet e Rusisë mbi Ukrainën.

Shtetet e Bashkuara janë duke e konsideruar në mënyrë aktive idenë e dërgimit të armatimeve në Ukrainë, me qëllim që të ndihmojnë ushtrinë vendase në përballjet me rebelët që mbështeten nga Rusia.

Lajmi është përcjellë nga përfaqësuesi i ri i ShBA-së në Kiev, Kurt Volker, i cili në një prononcim të fundit për mediat deklaroi se kjo nuk përbën një lëvizje provokative, por një mënyrë për të ndryshuar qëndrimet e deritanishme të Moskës.

Zyrtari i Uashingtonit tha gjithashtu se është diskutuar ideja e pajisjes së ushtrisë ukrainase me armë mbrojtëse me qëllim që të ruhet integriteti territorial dhe të shmangen rreziqet e jashtme.

Volker i quajti edhe njëherë agresive veprimet e Rusisë, dhe theksoi se në këto momente është shumë e rëndësishme që të zbatohet marrëveshja për armëpushim, si rruga e vetme për të dialoguar.

Situata në Ukrainën lindor vijon të mbetet e tensionuar. Vetëm në javën e fundit u vranë pesë ushtarë ukrainas gjatë përplasjeve të armatosura në zonën e mbajtur nga rebelët në Donjetsk.

Që prej nisjes së konfliktit në prill të 2014, afro 10 mijë persona kanë humbur jetën, ndërsa përllogaritet se rreth 1.6 milionë të tjerë janë zhvendosur nga banesat e tyre për shkak të rrezikut të pranishëm.

Moska vijon të mbajë mbi shpinë sanksionet e shumta të vendosura nga vendet perëndimore, të cilët shprehen se nuk do të ketë shfuqizim të tyre, deri sa Rusia t’i përmbahet marrëveshjes së Minskut.
Sigal