Zgjedhja e KLGJ e KLP, zyrtarizohen 5 deputetët që do të analizojnë kandidaturat. Debatet, raporti i ONM dhe mënyra e votimit

719
Zyrtarizohen 5 deputetët që do të përzgjedhin anëtarët e KLP dhe KLGJ
Komisioni i Ligjeve ka miratuar dhe rregulloren për anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit 
Ka vijuar me debate Komisioni i Ligjeve ditën e djeshme ku u zyrtarizuan edhe emrat e deputetëve që do të përzgjedhin anëtarët e KLP dhe KLGj. Kuvendi është tërhequr nga lista e kandidatëve për KLP, listë me të cilën kuvendi rrëzoi propozimet e ekspertëve të ONM. Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit Genc Gjonçaj paraqiti raportin dhe mohoi që nëpërmjet tij ishin rrëzuar kandidaturat e ONM dhe Avokatit të Popullit. Sipas tij është vota e deputetëve që vendos se kush do të jetë pjesë e KLP. 

Gjonçaj: Raporti i sekretarit të Kuvendit nuk është përjashtues dhe se lista e ONM është pjesë përbërëse e këtij raporti. Raporti i sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit nuk përjashton kandidaturat e ONM, përkundrazi ky raport garanton kushtet ligjore që procesi të jetë konkurrues i pastër dhe transparent. Ndërsa përzgjedhja e emrit është në tagrin e komisionit tuaj, e nënkomisionit që do krijoni dhe më tej në tagrin e deputetëve në seancën parlamentare. 
Ndarja e deputetëve sipas partive
Janë zyrtarizuar dje emrat që do të përzgjedhin anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Deputetët do të jenë pjesë e komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të KLGj dhe KLP. Partia Socialiste do të përfaqësohet me Ulsi Manjën, Vasilika Hysin dhe Klotilda Bushën. Partia Demokratike do të përfaqësohet nga Oerd Bylykbashi, i cili do të jetë edhe nënkryetar i komisionit. LSI do të përfaqësohet me Nasip Naçon. Më herët, në Komisionin e Ligjeve u miratua rregullorja për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Miratohet rregullorja për anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor
Komisioni i Ligjeve ka miratuar rregulloren për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Miratimi për funksionimin e komisionit ad-hoc, që do të përzgjedhë anëtarët për këto dy organe të rëndësishme të parashikuar nga reforma në drejtësi është bërë vetëm me votat e mazhorancës.

Rregullorja 
 Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi në kurriz të Kushtetutës që kemi miratuar me vullnet të plotë me 140 vota

Kushtetutëbërësi ka parashikuar mekanizmat zhbllokues në rast të një bllokimi politik. Nënkomisioni Ad Hoc mund të vazhdojë punën për ngritjen e këshillave dhe në finale vendimmarrja i takon seancën plenare.

Sa i përket vonesës së krijuar në reflektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka shfuqizuar disa nene që lidhen me funksionin e KLGJ dhe KLP, kreu i Komisionit të Ligjeve shpjegoi se Kuvendi nuk mund të vepronte pa u botuar në Fletoren Zyrtare këto vendime, ndërsa nënvizon se i fundit është publikuar në dhjetor 2017. Sipas Ulsi Manjës, as kjo nuk pengon punën e këshillave.

 Nenet e shfuqizuara nuk pengojnë punën e këshillave. E ka thënë vetë Gjykata Kushtetuese që deri në adresimin e këtyre problemeve do të vazhdojë procedura e mëparshme

Këto ndryshime ligjore kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 84 votash, të cilën PS nuk e ka, por Ulsi Manja nënvizoi se adresimi i shqetësimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim edhe i opozitës.


Ish-kryeprokurori i Arizonës, shumë prokurorë e gjyqtarë do humbasin vendin e punës në Shqipëri pas vetingut
Me tone të qarta dhe me një paralajmërim të fortë ish-Kryeprokurori i Arizonës, John Leonardon, si një nga 8 këshilltarët ndërkombëtarë të procesit të Vetingut në Shqipëri ka folur për atë që pritet të ndodhë me vetingun në vendin tonë. Ai ka folur gjatë një interviste për portalin amerikan Tucson.com dhe ka paralajmëruar se 800 gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë do t’i nënshtrohen kontrollit me qëllim pastrimin e figurave të korruptuara. Sipas tij, kjo “është një punë me rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe potencialisht për vendet e tjera të Ballkanit, që mund të imitojnë përpjekjet. BE-ja është duke kërkuar që Shqipëria të bëjë Vetingun për 800 gjykatësit dhe prokurorët e saj, dhe t’i heqë ata që janë të korruptuar ose jokompetentë, si kusht për pranimin e vendit në BE”. Ai thekson se “Megjithatë, ka presion: Ekzistojnë pritshmëri shumë të larta në vend se shumë gjyqtarë dhe prokurorë do të humbasin vendet e tyre të punës”.

Pyetje: Cili është problemi i trashëgimisë me sistemin gjyqësor të Shqipërisë që po përpiqeni të adresoni?
Ata kane korrupsion të shfrenuar në shumë fusha: Policia, gjyqtarët, prokurorët. Sidomos Ballkani në përgjithësi e ka pasur atë çështje. Vendet që ndodheshin pas Perdes së Hekurt në shekullin e 20-të duket të kenë këtë problem.
Sigal