Shehu: Koncensioni i rrugës së Arbrit dhënë kinezëve është aferë korruptive

416
Deputeti i Qarkut të Dibrës, Sherefedin Shehu, në intervistën për “Telegraf” pohon se dhënia me koncension i rrugës së Arbrit komanisë kineze, duke përjashtuar ligjin për koncensionet është një aferë korruptive, klienteliste e qeverisë. Gjithashtu, edhe kushti që shteti shqiptar, do t’i kompesojë koncensionistët kinezë, pasi kjo rrugë nuk do të ketë fluksin e pretenduar të qarkullimit të mjeteve, është antiligjor. Zoti Shehu shton se qeveria me koncensionet e tarifikimin e rrugëve dublon taksat për drejtuesit e mjeteve. 
-Zoti Shehu, a është e ligjshme koncensioni që i është dhënë kompanisë kineze për rrugën e Arbrit?
– Drejtpërdrejtë, do të thosha jo, sepse e para, që të jepet me koncension, duhet që investimi të bëhet nga vetë koncensionari. Ndërsa në rastin e koncensionit për rrugën e Arbrit, financimi do të bëhet me kredi, që do të thotë, kredinë e merr qeveria, ndërsa qeveria, në njëfarë mënyre, i bën dhuratë një kompanie tjetër kineze kontratën e koncensionit. Më tej, kemi parasysh që rruga e Arbrit shkon në një zonë e cila është e varfër ekonomikisht dhe trafiku do të jetë nga banorët e këtyre zonave, kështu që kemi një arësye tjetër, që nuk e justifikon dhënien e koncensionit. Megjithatë, ka edhe një argument të tretë, që rruga ekzistuese e Dibrës është gati më e gjatë se rruga e re e Arbrit. Në këtë kuptim, mungon edhe rruga alternative, që është një kusht dhe një standart i BE-së, që të afrosh një rrugë me koncension, qytetarëve duhet t’u japësh një zgjedhje tjetër, t’u japësh rrugën alternative, gjë që mungon. Qeveria, duhet të konsiderojë investimin me burimet e veta, ose me kreditorë të tjerë, edhe për një fakt tjetër. Kjo shumë që ka mbetur nuk është e kushtueshme, bëhet fjalë për 200 milionë euro, që e llogaritur në terma buxhetore, i bie më pak se sa ¼ e investimeve vjetore.
– Pse duhet dhënë ky koncension i rrugës së Arbrit, jashtë ligjeve të koncensioneve?
– Unë mendoj që ky përjashtim bëhet për qëllime korruptive ose klienteliste, pasi këto nuk zbatohen kërkesat minimale të ligjit “Për koncensionet”, këtu nuk ka konkurencë. Nëse do jepet me koncension, qoftë edhe mirëmbajtja e rrugës, këtu nuk zbatohet standarti më minimal, që koncensionari është edhe investues, që në fakt investues është qeveria shqitare, që merr një kredi, pavarësisht nga e merr këtë kredi, por paratë e investimit janë paratë e qeverisë shqiptare. Ky është një argument më shumë, që qeveria, jo vetëm që po bën një koncension të padrejtë, por bën edhe një aferë korruptive, sepse, fakti që përzgjidhet një kompani kineze tregon që është një koncension i paramenduar dhe bëhet për qëllime të caktuara. Qeveria duhet të japë shpjegime, së pari, përse përzgjedh këtë kompani kineze, çfarë fshihet mbrapa këtij favori të koncensionit dhe përse nuk orientohet nga BE-ja, por shkon nga Kina. 
– Mos vallë nuk ka kompani të interesuara për këtë koncension?
– Këtë nuk mund ta themi apriori. Qeveria duhet të hapë një process tenderimi, gjë që nuke ka bërë, por ajo në mnëyrë të qëllimshme kërkon që të nxjerrë gështenjat me duart e parlamentit. Që do të thotë: Do të marrë një autorizim nga parlamenti për të dhënë një koncension të paligjshëm, që nuk bazohet as në ligjin e koncensionit dhe nuk zbatohet as në standaret e praktikat ndërkombëtare për koncensionet. Është një rast tipik ku qeveria do të përdorë votën kolektive të parlamentit për të mbuluar aferat e saj. 
– Ligji për koncensionet parashikon përjashtime të tilla në dhënie koncensionesh, për raste të veçanta dhe a ka ndodhë ndonjëherë?
– Jo, kjo as ka ndodhur dhe ligji nuk e perjashton. Nëse do të ishte përjashtim i ligjit ky koncension që u jepet kinezëve, atëhere nuk kishte nevojë që të merrej leja në parlament, me një ligj të posaçëm, që ta lejojë qeverinë që të bëjë një dhënie koncensioni të paligjshëm. Rregulli normal dhe standaret janë. Investitori i cili kërkon të bëjë investimin dhe ta marrë me koncension bën një propozim i cili quhet proprozim i pakërkuar nga ligji. Qeveria pasi e studion dhe vendos që ky propozim i investitorit është i arsyeshëm, atëhere e shpall atë publikisht, që do të thotë se fton edhe të tjerët. Dhe këtij investitori të parë shteti i jep një bonus. Që do të thotë që investitori ka një prioritet në tenderim. Mirëpo qeveria në rastin konkret, nuk ka ndërmarrë asnjë nga këto hapa. Nuk e ka hapur procesin, nuk ka transparencë, prandaj, ne, natyrshëm, dyshojmë që këtu ka afere korruptive.
– A është e ligjshme që qeveria të pranojë kushtin e koncensionerit kinez, që ta kompesojë, në rast se nuk do të ketë fluksin e parashikuar të qarkullimit të mjeteve?
– Kjo tregon akoma më qartë që qeveria ka ndërmend diçka tjetër. Pra, ka një aferë që fshihet mbrapa këtij koncensioni. Qeveria nuk mund të bëjë supozime. Nëse investitori është i interesuar ta marrë me koncension, ai në rradhë të parë bën atë që quhet studim i fizibilitetit. Dhe ky i dëfton nëse ky projekt është i leverdishëm. Tani e vërteta është që rruga e Arbrit është në një zonë të varfër, por ndërhyrja e qeverisë në këtë rast nuk është të mbrojë e të ndihmojë njerëzit, por për t’i garantar e siguruar fitimin kompanisë kineze koncensionare, sepse që sot dihet që kjo rrugë nuk është e leverdishme. Kjo rrugë nuk është e harmonizuar me qeverinë maqedonase. Nuk do të bëhet korridor lidhës me Maqedoninë. Qeveria, duke marrë përsipër subvensionimin, e bën këtë projekt të leverdishëm teknikisht, sepse i siguron pagesën që nuk e mbledh dot nga qarkullimi i makinave. 
– Çfarë argument ka sjellë deri tani qeveria jonë?
– Asnjë argument nuk ka deri tani, as ndonjë studim për fluksin që duhet të ketë në qarkullimin e makinave. Koncensionari e merr pa ditur as ai asgjë. Qeveria i thotë paraprakisht: Hajde, se nëse ti nuk merr të ardhurat që të interesojnë, t’i jap unë. 
– Koha e koncensionit është përcaktuar?
– Jo, detaje nuk dimë. Por ne dimë, që qeveria po merr një kredi nga qeveria kineze, si shpërblim i kësaj huaje, qeveria jonë i jep koncensionin e rrugës së Arbrit kompanisë kinezë. 
– Sa është kredia që do marrë qeveria jonë nga Kina?
– Sipas disa shifrave që janë bërë publike, është rreth 200 milionë euro. 
– Përse do merret kjo hua nga Kina?
– Për ndërtimin e tunelit dhe të urës Vashës, që janë dy pjesët më të kostueshme të rrugës së Arbrit.
– A duhen taksuar rrugët, kur drejtuesit e mjeteve paguajnë edhe taksën e qarkullimit?
– Në Shqipëri, përpara se të kalojmë në taksimin e rrugëve, duhet të zgjidhim problemin e taksës së qarkullimit. Do të ruajmë taksën e qarkullimit, pasi do të kalojmë në taksimin e rrugëve? Për sa kohë që ne kemi një taksë të lartë qarkullimi për standartin shqiptar, që është bashkë me tatimin mbi vlerën e shtuar, kjo taksë shkon rreth 340 lektë të vjetra dhe paguhet për çdo litër karburanti. Që do të thotë, nëse heqim këtë taksë, automatikisht bie me 300 lekë çmimi i karburantit. Dhe kjo taksë, fatkeqësisht, është rritur në dy vitet e fundit. Ka qënë 70 lekë dhe është bërë 270 lekë. Po të shtojmë edhe tatimin mbi vlerën e shtuar, shkojmë te 340 lekë/litër taksa e qarkullimit. Ndryshe, kjo do të thotë, që taksimi i rrugëve sipas sistemit të koncensioneve, është taksim i fshehtë, ose i dubluar. Këto janë taksa nga ata që drejtojnë automjetin, nuk janë taksa masive, që u merret gjithë qytetarëve dhe reagimi i qytetarëve është më i dobët. 
– Faleminderit!
Sigal