Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama/ Përpjekja për ti bërë gjyqin partizanëve fitimitarë të luftës është perversitet moral dhe profesional

372
Sigal

Gjatë deklaratës së sotme për shtyp, Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama u pyet nga gazetarët se cili ishte qëndrimi i tij pas përgjigjes që i dha Kryeministri, shkrimtarit Agron Tufa për krimet e komunizmit gjatë luftës Nacional-Çlirimtare.

Luan Rama tha se Lufta Nacional-Çlirimtare është epopeja më e lavdishme e historisë së Shqipërisë. Ai theksoi se nuk është faji i i Agron Tufës, por i tufës së Edi Ramës që janë kapur pas kufomave të luftës.

Sipas Luan Ramës, përpjekja për ti bërë gjyqin partizanëve fitimitarë të luftës është perversitet moral dhe profesional.

“Çështja e të ashtuquajturës polemikë në fakt që ka nisur me herët por mori trajtën e saj më të plotë pas qëndrimit që mbajti Kryeministri në sallën e supës me disa qytetarë në 5 maj, ku ai gjeti kohën për të dëshmuar se është në anën e luftës dhe jo të Agron Tufës. Në fakt nuk ka të bëjë me Agron Tufës, por është dyfytyrësia dhe hipokrizia e tufës së horrave të Rilindjes të cilën nuk e lidh asgjë me luftën Nacional-Çlirimtare, me epopenë e lavdishme të partizanëve shqiptar që e renditën Shqipërinë në Koalicionin Antifashist Botëror dhe  bënë Shqipërinë një shtet fitues në Luftën e Dytë Botërore.

Në fakt ajo që po bën Agron Tufa nuk është asgjë por zbatimi pikë për pikë dhe gërmë për gërmë i qëndrimit të artikuluar më herët nga ai që është sot Kryeministri i Shqipërisë, pra nga Edi Rama që me botimin e librit të tij të famshëm “Refleksione”, ku ai në mënyrën më antishqiptare dua ta them, e konsideron gjakun e 28 mijë dëshmorëve partizanë të lirisë së Shqipërisë, si gjakun e rremë në themelet e kolltukëve që nisi tërmetin, thotë ai. Ndërkohë, dhe më lejoni të citoj drejtpërdrejtë se çfarë thotë ai në refleksionet e veta, thotë shprehimisht: “Duhet pranuar më në fund hapur që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile, shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste Shqiptare, e drejtuar nga emisarët jugosllavë.

Histeria e luftës për pushtet që kishte projektuar gjeneral Enver Hoxha dhe marrja e pushtetit me dhunë, që ka qenë thelbi i çdo lëvizjeje komuniste është shkaku i vetëm që ajo luftë kundër okupatorit degjeneroi në luftë civile.” E të tjera e të tjera. Pra Agron Tufa nuk thotë asgjë më shumë se kaq. E nëse ka një fajtor përballë popullit shqiptar, përballë qytetarëve shqiptarë, përballë historisë së Shqipërisë, ky është Edi Rama”, tha Zëvëndëskryetari i LSI-së, i cili nënvizoi se përpjekja e cilitdo që kërkon t’i bëjë gjyqin partizanëve që fituan luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe e bënë Shqipërinë të jenë në koalicionin e madh antifashist botëror, nuk është asgjë tjetër, por përpjekje perverse e të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë perversitet. “Sepse askush nuk ka të drejtë dhe nuk mund të gjykojë shenjtërinë e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ajo mbetet  epoka dhe lufta më e lavdishme që populli shqiptar ka bërë gjatë gjithë historisë së vet”, tha Luan Rama.