Sigal

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi ka pritur sot në një takim në Tiranë Ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë së Republikës së Kosovës Z. Besim Beqaj.

Gjatë takimit u vlerësua fryma e bashkëpunimit dhe përpjekjet për ta thelluar më tej lidhjen e fortë mes dy vendeve, si dhe u theksua nevoja e konkretizimit të Partneritetit Strategjik e gjithëpërfshirës mes Shqipërisë e Kosovës për ta kthyer atë në një model inkurajues në drejtim të bashkëpunimit rajonal.

Agjenda e inovacionit për zhvillimin ekonomik ishte në fokus të takimit, për të cilën të dyja palët dakordësuan për ta çuar më tej këtë agjendë duke bërë përpjekje të integruara në të ardhmen dhe duke e qasur atë në mënyrë të përbashkët.

Në kuadër të zhvillimit të inovacionit, si një prej prioriteteve kryesore të qeverisë shqiptare, Zëvendëskryeministrja Mesi nënvizoi gjithashtu rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në drejtim të stimulimit të start-up-eve me objektiv kryesor shndërrimin e tyre në vlerë ekonomike.