Zbardhet raporti i kontrollit mbi ILDKP: Të shkarkohet Zana Xhuka!

526
Sigal

Kuvendi ngre grup kontrolli pas përplasjeve mes punonjësve të Inspektoratit dhe drejtueses së tij

Shkarkimi i Kryetares së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive duket se është gati. Grupi i kontrollit i ngritur nëntorin e vitit të kaluar nga Kuvendi i Shqipërisë, me qëllim verifikimin e përmbushjes së detyrave funksionale të ILDKP-së, ka dalë në përfundimin se në veprimtarinë ligjore dhe institucionale të kryeinspektorit konstatohen shkelje të rënda të ligjit. Maxhoranca ka përgatitur raportin e hartuar nga grupi i kontrollit, i cili del në përfundimin se emërimi i Zana Xhukës në këtë post është i pavlefshëm dhe kërkohet shkarkimi i saj. Sipas deputetëve të maxhorancës, hartues të raportit, emërimi i Xhukës në postin e kryeinspektores është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi Xhuka nuk përmbush kriteret e përcaktuara në nenin 12, që sanksionojnë se kreu i ILDKP duhet të ketë arsim të lartë si ekonomist financier ose jurist. Zana Xhuka nuk ka aftësi profesionale në drejtimin dhe funksionimin e institucionit dhe nuk përmbush asnjë aspekt të kritereve të diplomimit, përvojës në profesion dhe meritës në zgjedhjen në krye të IKLD-s. Po ashtu, grupi i kontrollit ka dalë në përfundimin se zonja Xhuka nuk kryen detyrat ligjore dhe institucionale, duke sjellë mungesë të rezultateve në funksionimin e institucionit, konkretisht në: Administrimin dhe kontrollin e deklaratave të interesave private, trajtimin e ankimeve të konfliktit të interesit dhe masat për parandalimin dhe zgjidhjen e tyre. Forcimin e kapaciteteve investiguese dhe rolin e ILDKP-së në ndërgjegjësimin e zyrtarëve dhe autoriteteve përgjegjëse dhe forcimin e transparencës së institucionit. Sipas raportit, inspektorja e përgjithshme nuk ka zbatuar me dashje detyrimin ligjor për të informuar dhe raportuar para komisionit të Kuvendit, pra, ka refuzuar të bashkëpunojë me Parlamentin, duke e konsideruar kështu një tjetër argument për shkarkimin e saj nga detyra. Për këto arsye Grupi i kontrollit të Kuvendit, kërkon shkarkimin e Kryeinspektores së ILDKP-së, Zana Xhuka. Parlamenti ngriti një grup kontrolli pas përplasjeve mes punonjësve të Inspektoratit dhe drejtueses së tij Zana Xhuka. Grupi i kontrollit përbëhej nga 5 deputetë, 3 nga maxhoranca dhe 2 nga opozita, por kjo e fundit nuk ka pranuar të caktojë asnjë deputetet për të marrë pjesë në kontrollin e institucionit të ILDKP-së. Deputetët e caktuar nga maxhoranca ishin: Armando Subashi, Pirro Lutaj dhe Ulsi Manja. Për këtë çështje, por edhe për vendimin e maxhorancës për të rrëzuar kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me ndërhyrjen e paligjshme në sistemin kompjuterik të Tatimeve, Partia Demokratike ka depozituar ankimime në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni u ngrit për shkak të shumë informacioneve me shkrimë, të ardhura pranë kuvendit të Shqipërisë, drejtuar Kryetarit të Kuvendit dhe komisionerëve parlamentar nga stafi i ILDKPKI (34 punonjës). Përmbajtja e këtyre shkresave trajtojnë shqetësime serioze, lidhur me veprimtarinë ligjore të ILDKP-s gjatë vitit kalendarik 2013. Këto kallëzime janë paraqitur edhe në shtypin audioviziv dhe pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë. Si një organ që merret me monitorimin e veprimtarisë së këtij institucioni, Kuvendi vendosi t’i verifikojë. Pas verifikimit, doli në përfundimin e sipërpërmendur.